Ndoshta do të duhet ende kohë që të “fortët” e makinave luksoze të kuptojnë se ata janë si gjithë qytetarët e tjerë dhe se ligji është i njëjtë edhe për ata. Në një video të siguruar nga News 24 para disa ditësh shihet sesi shoferi i një Lamborghini fyen dhe kërcënon efektivin e policisë rrugore, pasi e kishin penalizuar për shkelje të semaforit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ferit Xhajko”.
Drejtuesi i mjeti tip “Lamborghini” me targë AA 464 KF, shtetasi Amar Sh. 25 vjeç, fillimisht i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë, por pasi ka mësuar për shkeljen, si dhe pasi i është dhënë fleta e procesverbalit të konstatimit ka dalë nga mjeti duke ofenduar dhe kërcënuar policët rrugorë.
Shoferi: A të q… motrën Mbaje mend ca kam për të bërë, mbaje mend. Ik ore plehër m… ik ore plehër.
Drejtuesi i mjetit menjëherë në vrull e sipër është ndaluar nga dy punonjësit e policisë rrugore që më pas kanë kërkuar dhe përforcime të patrullave të rendit.
Pas kësaj mësohet se drejtuesi i mjetit është proceduar për veprën penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë. 25-vjeçari do të detyrohet të paguaj dhe një gjobë të majme për shkelje të semaforit.