Zoti Rokfeler, çdo të thotë të jetosh me një emër me kaq shumë peshë? Është diçka e mirë apo një barrë?
Besoj se është privilegj. Jam krenar për atë që ka bërë familja ime dhe ndihem i nderuar që mbaj këtë emër.
Nuk ju është dashur asnjëherë të përballeni me refuzime apo me avantazhime?
Dihet mirë që jo të gjithë e vlerësojnë atë çfarë ka bërë familja ime. Por sinqerisht: në vija të trasha kam gjetur gjithnjë ndjenja pozitive karshi meje.
A mendoni se në librat e historisë gjyshi juaj është trajtuar në mënyrë të padrejtë? Nga shumë konsiderohet monopolist i pamëshirshëm madje cilësohet shpesh edhe me nofkën baroni hajdut.
Në fakt, për një periudhë të gjatë ka qenë i tillë. Gjithsesi kam përshtypjen se sot njerëzit vërejnë gjithnjë e më shumë gjërat e mira që ka bërë, si sipërmarrës në industrinë e naftës, dhe si ndër të parët në botë që i dha filantropisë rol të dorës së parë. E admiroj dhe e kam dashur shumë.
Ishte gjysh i mirë?
Po, i tillë ishte.
Si e përjetonte famën e keqe që gëzonte te njerëzit?
Nuk e vriste shumë mendjen.
Për pjesën më të madhe të jetës, keni qenë bankier në Nju-Jork. Si e gjykoni krizën financiare që ka tronditur aktualisht tregjet botërore?
Nuk ka dyshim që jemi përpara një periudhe ku lipsen vendime të mençura e të matura. Nuk duhet nënvleftësuar pesha e krizës, por duhet vërejtur nga ana tjetër se institucionet financiare janë të forta dhe se autoritetet amerikane e luajnë si duhet rolin e tyre, mbi të gjitha "Federal Reserve".
Mos ka shumë babëzi sot në Wall Street?
Pjesërisht është e vërtetë. Kemi jetuar vite të bukura, jo vetëm në Wall Street. Shumë njerëz që më parë zotëronin, pak kanë arritur të fitojnë shifra të pabesueshme parash dhe nuk kanë ditur t‘i përdorin në mënyrë të përgjegjshme.
Cili është kufiri mes babëzisë dhe kërkimit të lumturisë që garantohet nga Kushtetuta amerikane?
Babëzia është pjesë e natyrës njerëzore. Dhe në kohë të bukura joshja prej saj është më e madhe. Njerëzit që bëhen pre e babëzisë dëmtojnë të gjithë komunitetin.
Ju flisnin babai dhe gjyshi për babëzi morale?
"Për mënyrën se si kanë jetuar dhe se si na kanë edukuar, mesazhi ka qenë gjithnjë i qartë: kush ka më shumë shanse, ka edhe më shumë përgjegjësi karshi shoqërisë. Dhe unë jam i lumtur që, në kompleks, familja ime ka jetuar duke mbajtur parasysh këtë rregull.
Çdo të thotë ky rregull sot për të rinjtë e Wall Street-it, që ia kanë dalë të pasurohen?
Më e rëndësishmja është që ta menaxhosh biznesin tënd në rrugë etike dhe të përgjegjshme. Nuk duhet menduar vetëm për të bërë sa më shumë para të jetë e mundur. Dhe nuk duhet jetuar në një botë të cilën të tjerët e konsiderojnë skandaloze. Nuk duhet lejuar që të bëhesh pre e dëfrimit të shfrenuar, por ta përdorësh atë që fiton në dobi të shoqërisë.
Vitet e fundit në ambientin tuaj konsumi i shfrenuar është kthyer në një modë për t‘u ndjekur.
E gjithë kjo më duket pak tërheqëse. Nuk është e pamoralshme, thjesht është diçka pa shije.
Ç‘rol luan bamirësia te të pasurit?
Kur isha i ri, merrja një pagesë mujore nga prindërit. 10 për qind të saj duhet ta shpenzoja për qëllime bamirëse, një 10 përqindësh tjetër duhej ta investoja. Të njëjtën gjë kam bërë edhe me bijtë e mi. Është një leksion i vlefshëm për të mësuar leksionin e bamirësisë. Pa këtë lloj sjelljeje të përgjegjshme, një shoqëri e bazuar te sipërmarrja e lirë, vështirë se do të qe e pranueshme. Në idenë e socializmit ka diçka absolutisht joshëse, vetëm se deri më sot asnjë shtet socialist nuk ka funksionuar. Për këtë është e nevojshme të mbahet ekonomia e tregut të lirë. Çurçilli e ka shpjeguar këtë në mënyrë të mrekullueshme: "Problemi i kapitalizmit është se e shpërndan lumturinë në mënyrë të pabarabartë, ndërsa problemi i socializmit është se shpërndan mjerimin në mënyrë të barabartë". Në Amerikë kapitalizmi ka funksionuar shumë mirë dhe në dobi të pjesës dërrmuese të njerëzve. Sido që të jetë është e keqja më e vogël që kemi sot për sot.
Bijtë tuaj janë joshur nga ideja e socializmit?
Është e vërtetë që e konsiderojnë të arsyeshme dhe të pranueshme. Sot nuk do t‘i përsërisnin pjesën më të madhe të pohimeve që bënin kur ishin të rinj.
Por kapitalizmi është gjithnjë i njëjti. Nga kohët e Reganit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjetuar një fazë radikale. Mendoni se akrepi tani di të shkojë në krahun tjetër, drejt një shteti me stil mirëqenieje evropiane?
Mund të marr me mend se shumë anëtarë të Partisë Demokratike kanë pikë referimi Toni Blerin: më shumë përgjegjësi për shtetin, por duke mos cenuar rolin e sipërmarrjes së lirë. Në raport me Evropën vërehet gjithnjë një ndryshim: edhe politikanë si zonja Klinton apo Obama shohin mbi të gjitha shanset që ofron kapitalizmi dhe e duan sa më të rregullt të jetë e mundur.
Familja juaj ka luajtur gjithnjë edhe një rol politik në Amerikë. Rokfelrët njihen si republikanë të moderuar. Vëllai juaj, Nelsoi, do të kishte kandiduar për postin e presidentit në rast se krahu konservativ i partisë, i kryesuar nga Ronald Regani, nuk do të kishte dalë kundër.
Ngjitja e Reganit në skenë ishte veç një prej pengesave. Fakti që Nelsoni qe divorcuar dhe ishte martuar me një grua tjetër, luajti një rol të rëndësishëm në këtë lojë. Atëherë divorcet nuk pranoheshin nga opinioni publik.
Eksitojnë ende republikanët rokfeleristë?
Njerëzit e përdorin këtë shprehje dhe vetëm ky fakt është mjaft domethënës. Me termin "republikan alla rokfeler" nënkuptohet dikush që, në njëfarë mënyrë, është më evropian nga pjesa më e madhe e politikanëve evropianë, konservator në politikat financiare, liberal në çështjet sociale dhe që sheh një rol të fortë të qeverisë në ekonominë e vendit. Disa njerëz pranë Xhon Mek Keinit konsiderohen republikanë rokfeleristë. Kjo thotë diçka edhe mbi vetë Mek Keinin. Megjithatë, ai vetë nuk do ta përkufizonte kurrë veten me këtë term.
Për të do të qe shumë e rrezikshme?
Padyshim, po.
Kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Maikëll Blumberg, është i pavarur. A mund të konsiderohet "republikan rokfelerist"?
Sido që të jetë, po bën një punë të mrekullueshme. Shpresoj që të bëhet guvernator i Nju-Jorkut dhe që një ditë të zgjidhet deri President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është një shpresë e madhe për vendin. Më pëlqen veçanërisht pasi kërkon me këmbëngulje që institucionet shtetërore të drejtohen në mënyrë të frytshme.
Nga Gazeta Shqip