Një 62-vjeçar në Tiranë është keqtrajtuar nga djali i tij 24-vjeçar derisa të moshuarit i ka rënë të fikët. Ngjarja e rëndë është regjistruar nga komisariati nr.1, në zonën e Farkës ku shkak i këtij sherri në familje ka qenë se i moshuari i kishte ngrenë pjesën e byrekut të djalit të tij. Rasti i paprecedentë ka ndodhur në familjen Mustafaj, ku shtetasi M. Mustafaj si pasojë e këtij “gabimi” është keqtrajtuar nga djali i tij A. Mustafaj, derisa të moshuarit i ka rënë të fikët.
Pasi e ka rimarrë veten, mësohet se M.Mustafaj ka shkuar në spital, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe më pas i është drejtuar me një kallëzim komisariatit nr.1 në Tiranë, duke kërkuar mbrojtjen e uniformave blu. Lidhur me këtë ngjarje, dy ditë më parë gjykata e Tiranës ka marrë një vendim për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për të moshuarin M.Mustafaj, duke urdhëruar që djali i tij A. Mustafaj, të mos ushtrojë më dhunë mbi 62-vjeçarin.
I hëngri byrekun
Sipas rrëfimit në gjykatë të të dëmtuarit, shkak i keqtrajtimit të rëndë është bërë byreku! I biri pretendonte se i ati i kishte ngrënë pjesën e byrekut. Sipas M. Mustafaj, edhe djali tjetër i tij e keqtrajton, por me të ai kishte mundur të siguronte një urdhër mbrojtje nga gjykata, ndërkohë djali i dytë vijonte ta rrihte, megjithëse e kishte denoncuar disa herë në polici. Sipas vendimit të marrë në 7 prill nga gjyqtarja Elona Gjoka, pala paditëse u shpreh përpara gjykatës se: “…Unë kam 2 djem, që janë ndarë nga unë me letra. I pari ka shtëpinë 3-katëshe të mbarume.
As nuk e suvaton, as nuk e rregullon. Me të parin kam urdhër mbrojtje. Me të dytin A…, kam problem të vazhdueshme. Më datën 18 mars 2014, nusja e djalit të madh ka bërë byrek. Ai u çua në mëngjes më tha: “…Më ke ngrënë fliten e byrekut….” Natën tjetër ka ardhur në 11:30 të darkës ka thyer derën. Më rrahu me shkelma, me grushte. Më ka lënë pa ndjenja. Pastaj lajmërova policinë. Kjo është hera e fundit, por ka edhe raste të tjera….”.
1 vit larg shtëpisë
Në vendimin e saj, gjyqtarja Elona Gjoka, ka vendosur të ndalojë të birin e 62-vjeçarit, që të mos hyjë në banesën e babait të tij, për një periudhë 1 vjeçare. Më tej në vendim thuhet që i biri të mos i afrohet të moshuarit në një distancë prej 200 metra larg. Sipas vendimit gjyqësor, A.Mustafaj të mos lejohet të hyjë në banesën e babait, pa marrë autorizim nga gjykata e Tiranës. Ky nuk është rasti i vetëm kur gjykatat shqiptare marrin vendime të tilla, pasi disa ditë më parë Gjykata Penale e Tiranës, dënoi një person për dhunë në familje, pasi ky i fundit kishte keqtrajtuar gruan e tij sepse ajo nuk i kishte blerë birrë.