Botimin e dytë të këtij teksti, me disa ndreqje dhe shpjegime fjalësh, e pati marrë përsipër në vitin 1868 prifti shkodran Dom Engjëll Radoja, i cili katër vjet më vonë e ndjeu të nevojshme ta ripërkthente tekstin origjinal latinisht në shkodranishten e kohës së tij, në vitin 1872.
Kuvendi i Arbrit është një ngjarje e rëndësishme në historinë kombëtare dhe veçanërisht në historinë kishtare të Shqipërisë. Ai u mblodh me nxitjen e papës me origjinë shqiptare Klementi XI (Gian Francesco Albani, lindur më 1649, papë nga 1700-1721), “papë pretëmadhit”, siç e cilëson Vincenz (Visk) Zmajeviçi, arqipeshkvi i Tivarit, i cili mori urdhër prej tij të bënte një vizitë apostolike në kishat e Arbërisë që kishte nën juridiksion dhe më pas të organizonte dhe drejtonte një kuvend fetar kombëtar apo “koncil provincial” të të gjithë klerikëve të dheut të Arbërisë. Kuvendi u mblodh në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit në fshatin Mërkinjë të Lezhës, më 14 janar 1703. Vizita e arqipeshkvit “nëpër shehere, për katunde, për mahalla, për bashtina të Tinëzot” kishte nxjerrë në dukje rrënimin e kishës katolike nën sundimin tashmë të konsoliduar osman. Kishte më se dy shekuj e gjysmë që në këto vise nuk ishte parë një vizitator i rangut të lartë dhe nuk ishte mbledhur një kuvend fetar kombëtar. Vizita e fundit kishte qenë ajo e Pal Engjëllit dhe koncili i fundit ai i Matit i vitit 1462, në kohën e Skënderbeut, në fillimet e sundimit turk. Edhe kjo vizitë kishte vënë në dukje të metat e shumta të administrimit kishtar dhe bjerrjen e zakoneve dhe moralit fetar. Vendimet që dolën nga këto kuvende kishin për qëllim të rregullonin jetën dhe normat kishtare, me pikësynim forcimin e fesë dhe besimit të të parëve në kushtet e presionit në rritje të islamizimit të vendit. Vendimet e Kuvendit të Arbrit prej 115 faqesh të shtypura përmbajnë shumë më tepër lëndë sesa 15 faqet dorëshkrim të Konstitucioneve të Pal Engjëllit.
Disa nga çështjet që trajtohen në të dy kuvendet janë të ngjashme, por, ndërsa vendimet e kuvendit të Matit përqendrohen më shumë në disa rregulla elementare të jetës kishtare, si mirëmbajtja e sakramenteve, rregullat e rrëfimit, të vizitës së të sëmurëve dhe vajimit të fundit, rregullat e pagëzimit, sakramenti i martesës, vendimet e Kuvendit të Arbrit këto çështje i përmbledhin kryesisht në një nga katër pjesët e tekstit, kurse tri pjesët e tjera trajtojnë çështje të doktrinës, të normave kanunore, të festave e ceremonive fetare, të moralit fetar, detyrat e ipeshkvinjve e famullitarëve, të nxënësve të Kolegjit të Propagandës së Fesë e të shkollave të klerikëve në Kurbin e Lezhë, çështje të kufijve të dioqezave dhe të administrimit të të ardhurave etj. Në kushtet e islamizimit të një pjese të madhe të popullsisë mbas dy shekuj e gjysmë sundimi osman, kisha katolike përpiqej të bashkonte më fort rreth vetes besimtarët e saj duke kërkuar një dallim të qartë me pjesëtarët e feve të tjera.
Një numër urdhëresash kanë të bëjnë me luftën kundër apostazisë apo tradhtisë ndaj fesë, duke u ndaluar sakramentet atyre që kanë mohuar fenë botërisht, por fshehtas rrëfehen e kungohen, pastaj edhe kundër laramanisë apo kriptokrishterimit të atyre që, pa mohuar fenë, para botës sillen si myslimanë kurse fshehtas ushtrojnë fenë katolike. I krishteri, sipas porosive të Kuvendit, nuk duhet të ketë asnjë shenjë të përbashkët me myslimanin dhe duhet ta tregojë haptas fenë e vet edhe me rrezik jete. Për këtë, barinjtë e grigjës duhet të kujdesen “me d?m gr?nin prej egjëret e me mos lanë të shkjeponjënë të kështenëtë mbë dy anësh e të mos guxojnë m? me shërbyem dyve zotin?”. Këto masa të rrepta të Kuvendit me gjasë duhet të kenë pasur më fort pasoja negative jo vetëm për kohezionin social të bashkëkombësve me fe të ndryshme, por edhe për vetë pengimin e konvertimit të mëtejshëm të të krishterëve.
Përballë alternativës së shpalljes hapur të fesë së krishterë me pasoja ndoshta të rënda ekonomike e sociale dhe heqjes së sakramenteve, shumë “laramanë” parapëlqyen të dytën, duke shkëputur edhe ato fije që i mbanin lidhur me besimin e vjetër, dhe me rezultatin e kthimit përfundimisht në islam. Kontrasti midis porosive të Vatikanit për zbatim të përpiktë të kanoneve të kishës dhe përshtatjes së tyre me zakonet e vendit shpesh herë ka sjellë konflikte mes priftërinjve të huaj dhe atyre vendas, siç i njohim nga historia jonë kombëtare.
Si shkakun kryesor për degradimin e fesë dhe të zakoneve Zmajeviçi sheh injorancën: “Injoranca e klerit është rrënimi i popullit”, shkruan ai në një relacion dërguar Vatikanit. Mbasi përshkruan gjendjen e rëndë që gjeti në vendet që vizitoi, ai shpreh dhimbjen e tij me metafora emocionuese dhe përfundon: “populli emi u b? rob, përse s’pat dijen”, duke cituar fjalët e profetit Isaia që më parë i përmendte edhe Pjetër Bogdani në parathënien e veprës së tij madhore “Çeta e profetëve”. Këtë plagë të përhershme të shoqërisë e të klerit shqiptar e preknin kurdoherë me shqetësim në relacionet e tyre prelatët e kulturuar si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë mbas tyre, kur ankoheshin për rrënimin e fesë dhe largimin e besimtarëve, duke kërkuar shkollimin e priftërinjve. Dhe meqë asokohe dija barazohej në një masë të madhe me doktrinën fetare, Kuvendi premton që të dërgojë në Arbëri “doktrinat e Bellarminit shtampuem shqip”, d.m.th. veprat e Pjetër Budit, me të cilat klerikët do të përmbushin nevojat e veta dhe të popullit. Me të njëjtin qëllim në tekstin e Kuvendit flitet edhe për shkollat për priftërinj të Kurbinit e të Lezhës, ku theksohet nevoja e të mësuarit jo vetëm lexim, por edhe shkrim, pa të cilat nuk mund të mësohet latinishtja dhe as lëndët kishtare.
Cekëm disa nga çështjet e vendimeve të Kuvendit të Arbrit për të sinjalizuar rëndësinë që ka për historinë kishtare të Shqipërisë studimi i këtij teksti, i cili tani mund të lexohet rrjedhshëm në alfabetin e sotëm në tejshkrimin e Bardhyl Demirajt, pa u prekur gjuha origjinale e tekstit. Leximi i tekstit ka disa vështirësi, pasi prifti që ka bërë përkthimin shqip nuk e kishte shqipen gjuhë amtare. Për autorësinë e përkthyesit ka pasur diskutime, por tashmë është pranuar teza e Vincenc Malajt, që hamendëson si autor të përkthimin Atë Egidio D’Armenton, prefekti apostolik i provincës kishtare të Shqipërisë dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Zmajeviçit, mbështetur së fundi nga Gëzim Gurga me një dokument burimor arkivor në të cilin shkruhet:
“Vërtet i pari, pra Egidio d’Armento, e shkroi tekstin, por i dyti, da Lecce, nuk ishte më i pakët në njohjen e gjuhës shqipe, aq më tepër që ky mund të shfrytëzonte rastin për të shtypur edhe gramatikën e shqipes që kishte shkruar”. Pra në tekstin shqip të “Kuvendit të Arbënit” është edhe dora e misionarit filolog Francesco Maria Da Lecce, një françeskan italian që ka merita të veçanta për gjuhën shqipe, me Fjalorin e tij italisht-shqip, Gramatikën e shqipes, si edhe me mbikëqyrjen e shtypit dhe ndreqjen e bocave të “Kuvendit”, pas gjase edhe me ndonjë redaktim të tij.
Vështirësitë e leximit lehtësohen në një masë të madhe nga shënimet e hollësishme në fund të tekstit të autorit të botimit kritik. Shënimet pasqyrojnë një punë të mirëfilltë dhe të imtë filologjike mbas njohjes së thelluar me tekstin dhe përmbajnë përvojën gjuhësore të një gjuhëtari të rysur. Ato kanë të bëjnë me probleme të gjithanshme filologjike që parashtron vetë teksti i “Kuvendit” dhe nevoja për të sqaruar disa çështje grafike dhe gjuhësore që kanë të bëjnë nga njëra anë me mungesën e qëndrueshmërisë së normës ende të pastabilizuar letrare të shqipes së shekullit XVII e nga ana tjetër me mangësi të njohjes së shqipes nga ana e përkthyesit, siç janë lëkundjet e shumta grafike, variantet e ndryshme të së njëjtës leksemë, trajta gramatikore të pazakonshme, mospërputhje gramatikore, gabime të mundshme shtypi, pastaj edhe shpjegime trajtash të vjetruara gramatikore dhe shpjegime fjalësh të rralla e të vjetra, të panjohura për lexuesin e sotëm jospecialist.
Një pjesë e çmuar e botimit është konkordanca leksikore ose fjalori elektronik i tekstit, që përmban të gjitha fjalët e përdorura në tekst, të paraqitura në trajtën përfaqësuese, të shoqëruara me variantet e lira, me trajtat e ndryshme që merr fjala gjatë eptimit (fjalëformat) si dhe me dendurinë e përdorimit të leksemës me vendndodhjet përkatëse në tekst. Për fjalët e vjetruara ose të panjohura për lexuesin e sotëm janë dhënë edhe kuptimet përkatëse në gjuhën e sotme. Leksemat e fjalorit janë dhënë edhe një herë si gjegjëse të fjalëve në shqipen standarde, në formë indeksi.
Një risi në botimet tona është pajisja e vëllimit me një CD që përmban tekstet origjinale të katër versioneve të “Kuvendit të Arbënit”: tekstin origjinal latinisht të vitit 1706, botimin e parë të përkthimit shqip (1706), botimin e dytë të përkthimit shqip (1868) dhe versionin e dytë të përkthimit shqip nga Engjëll Radoja (1872). Kështu, përveç faksimiles së tekstit origjinal të përkthimit shqip në librin e shtypur, lexuesi mund t’i ketë në kompjuterin e vet personal tekstet që përndryshe janë raritete në bibliotekat tona publike.
Është e tepërt të theksohet, më në fund, vlera e paçmuar që ka për studiuesit e gjuhës teksti i “Kuvendit të Arbënit”, si pasqyrë e shqipes veriore të kapërcyellit të shekujve XVII-XVIII, nga një anë vijuese e drejtpërdrejtë e traditës së autorëve të vjetër të Veriut dhe njëkohësisht një shkallë evolucioni gjuhësor drejt periudhës së Rilindjes. Sa për provë, po sjellim evolucionin e shprehjes frazeologjike me i r?m mboh të Bogdanit (1685) të njëfjalëzuar tashmë në foljen mbohonj të “Kuvendit” (1706), sot të evoluar në mohoj.