I ndahet avioni shqiptari fluturon 15 minuta pa motor

I ndahet avioni, shqiptari fluturon 15 minuta pa motor
Një ngjarje e rrallë ka ndodhur gjatë ditës së dielë në një shkretëtirë të Sudanit. Shqiptari i njohur me emrin Xhejms Berisha, i cili prej disa muajsh udhëton nëpër botë me një avion privat për të lobuar për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, është detyruar të bëjë ulje të menjëhershme. Ngjarja, sipas tij ka ndodhur ditën e dielë, por ajo është bërë publike vetëm dje, pasi, siç mësohet edhe nga media në Kosovë, shqiptari është detyruar të kalojë në një kalvar të vërtetë burokracish me autoritetet sudaneze.

Ngjarja e rrallë

Gjatë fluturimit të tij nga Port Sudan në Khartoum, diku 10-15 minuta pas nisjes, aeroplani i Xhejms pësoi një dëmtim serioz. Për shkak të motit shumë të nxehtë dhe aeroplanit të vjetër, cilindri i parë në anën e djathtë të motorit të aeroplanit është ndarë në dy pjesë. Për 15 minuta aeroplani i Xhejms Berishës ka fluturuar pa motor ditën e dielë, mbi një shkretëtirë ku ka qenë e pamundur të bëhej një ulje e sigurt.

Ai ka arritur të kontaktojë me një pilot të një aeroplani tjetër, i cili i ka dhënë udhëzime që të provojë të ulet në një rrugë të vjetër, që nuk përdoret më në ato anë. Me shumë vështirësi Berisha ka kryer ulje të menjëhershme në mes të shkretëtirës, ku aeroplani është dëmtuar rëndë. Pas 2 orëve rastësisht ka kaluar një veturë, që po udhëtonte për në një minierë aty afër, dhe ata e kanë lajmëruar policinë.

Ai u vu fillimisht nën përkujdesjen e punëtorëve të minierës, ndërsa aeroplani u sekuestrua nga policia. "Tani Berisha gjendet në një moment shumë të vështirë ku nuk dihet se çka do të ndodhë. Ai lutet që nëse dikush ka ndonjë kontakt me dikë në Sudan apo nëse mund t'i ndihmojë Xhemsit në çfarëdo mënyre", njoftonin dje pak pasi morën evsh lajmin, mediat në Kosovë.

Por pak më vonë në profilin e kosovarit në facebook u postua dhe një deklaratë nën emrin e tij, përmes së cilës Xhejms konfirmonte aksidentin që kishte pasur në shkretëtirat e Sudanit, por që fatmirësisht ka shpëtuar i gjallë. Berisha, përmes kësaj deklarate, tha se aksidenti kishte ndodhur të dielën pasdite dhe pasi kishte qëndruar në minierën "Hassai Mine" për disa orë, rreth orës 23:00 e kishte marrë Shërbimi Policor i Sudanit, për të cilët tha se e kishin keqtrajtuar.

Deklarata e plotë e Xhejms Berishës, botuar nga "Infosoft":

"Të dashur përkrahës të misionin, ju falënderoj nga zemra për vëmendjen që keni treguar gjatë tërë misionit, e sidomos në momentet e mija më të vështira.Siç e dini, kam pasur një aterrim urgjent të detyrueshëm në shkretëtirat e Sudanit dhe falënderoj Zotin që jam gjallë.

Aksidenti ka ndodhur në ditën e Diele pasdite. Për shkak të pamundësisë së komunikimit, informatat janë përcjellur pjesë-pjesë. Pas ngjarjes për me të cilën ju tani jeni të njoftuar, unë kam qëndruar për disa orë në minierën "Hassai Mine" nën përkujdesjen e stafit të minierës. Ditën e Diele, rreth orës 23:00 erdhi shërbimi policor i Sudanit dhe më mori nga miniera, më dërgoi në fshatin më të afërt, që ishte rreth 2 orë larg.

Policia më mbajti deri ditën e Hëne në mbrëmje, dhe më lëshuan vetëm pas intervenimit të z.Denis Baillargeon që është drejtori i asaj miniere.
Gjatë mbajtjes në polici, kam kaluar nëpër intervista hetimore, nënshkrime të shumta, procedura e maltretime gjatë tërë ditës, me shumë pak ushqim dhe ujë. Natën më dërguan në një shtëpi të mbuluar me llastër ku temperaturat ishin shumë shumë të larta. I jam shumë mirënjohës z.Baillargeon që më shpëtoi nga ai vend.

Aeroplani është ende në shkretëtirë, në vendin e aksidentin dhe është nën përkujdesjen e policisë. Grupi hetues nga Aviacionit Civil i Sudanit janë duke ardhur prej Khartoum-it, dhe ata do ta bëjnë analizën e aksidentit dhe do të marrin vendim se si do të vazhdojmë më tutje.

Z.Denis Baillargeon ka ofruar numër të konsiderueshëm të pajisjeve të minierës dhe mjete të transportit, në mënyrë që të mund ta sjellim aeroplanin deri afër minierës. Miniere posedon një pistë për aeroplanët e tyre dhe shpresoj që do të mund të nisem nga kjo pistë pas rregullimit të aeroplanit.
Do të mundohem të ju përcjell informacione sa herë që të mundem. Ju falënderoj përsëri!Kapiteni juaj, James Berisha".

Kush është Xhejms Berisha

Që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, Xhejms Berisha i hipi një avioni të vogël Cessna për të fluturuar mbi vende të Amerikës Latine e së fundmi edhe mbi vende të Afrikës me qëllim lobimin që ato vende në këto kontinente që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë atë sa më parë. Njihet nga gazetarët në Kosovë, si "ambasadori i ajrit" dhe ka patur një mbulim shumë të gjerë në faqet e shtypit në Kosovë, në Shqipëri por edhe në shumë vende ku ai ka fluturuar. Ai ka një përvojë 15-vjeçare dhe mbi 6 mijë orë fluturimi.

Mendon se këto fluturime do të kenë pasur sukses për të ndërgjegjësuar, sado pak njerëzit për Kosovën në secilin prej kryeqyteteve e Amerikës Latine apo dhe të Afrikës ku ai ka "shkelur" hapësirën ajrore. Ai vetë ka edhe faqen e tij të internetit www.flyingforkosovo.com me emrin "Të fluturosh për Kosovën", për të bërë të njohura përpjekjet e tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama