Në këtë Europian, imazhi i stampuar i tij është Xhanluixhi Bufon, i kapur mbi traversë pas çdo fitoreje të Italisë, një gjest fatsjellës, i cili shpreson që ta përsërisë edhe natën e sotme, në Bordo, duke ulëritur prej gëzimit, përpara të gjithë tribunës së tifozëve "axurrë". Pikërisht kjo skenë mund të jetë ajo për të cilën ndoshta ai ka ëndërruar mbrëmjen e djeshme, sepse mendoni që sot, mund të jetë hera e fundit për të që përfaqëson kombëtaren në një Europian.
Mos harrojmë, është 38 vjeç, por edhe pse fluturon dhe pret me freskinë e një adoleshenti, ndoshta objektivi i tij i fundit mund të jetë Kupa e Botës "Rusi 2018", ai Botëror i gjashtë në karrierë, i cili do ta konsolidonte figurën e tij prej të pavdekshmi. Gjithsesi, i tillë do të ishte edhe sikur ta fitonte këtë Europian, një turne që i mungon, madje do të ishte gati që të hiqte dorë edhe nga pjesëmarrja në Rusi, vetëm që të shpallej kampion në Paris, më 15 korrik, ndonëse fillimisht duhet të kalojë Gjermaninë e rivalit dhe mikut të tij, Manuel Nojer, për të cilin nuk ka komplimente pa doganë.
"Unë apo Nojer? Më i mirë Manueli, është më i ri se unë, është një portier tepër i zoti, sepse unë nuk kam më as moshën që të hyj në një konkurrencë apo debate të tilla. Por ajo që më intereson të tregoj, është që kur të vesh bluzën e Kombëtares së Italisë, ose atë të Juventusit, askush të mos ketë guximin që të kërkojë vendin tim".
Bufon, një 38-vjeçar që pret si ty, ndoshta nuk do të shihet më në historinë e futbollit...
Është bukur kur dëgjon të tilla komplimente, por është po aq e vërtetë se për të ndërruar opinion mjafton një ndeshje e mbrapshtë. Unë kam pasur një karrierë të rëndësishme dhe mjaft konstante, por kurrsesi nuk jam i kënaqur plotësisht prej saj. Nuk jam ende i lumtur me atë çfarë kam arritur.
Besoni se ky Europian do të ishte kurora e duhur për ty, për kombëtaren, për të gjithë italianët?
Gjermania të fut frikën. Në letër janë skuadra më e fortë, pa asnjë diskutim. Por sikur të mos mjaftonte edhe cilësia, është edhe fusha që të rezervon ndonjë surprizë të pakëndshme, ndonëse mund të luash më mirë se më të fortët. Gjithsesi, ne kemi ardhur në Francë për të bërë mrekulli, ndryshe nuk do të kishte kuptim të pranonim të vishnim bluzën e kombëtares.
OK, por ju flisni për një mrekulli. Kaq të pasigurt erdhët në këtë Europian?
Nuk ka lidhje me pasiguritë tona, por dyshimet mbi grupin tonë ekzistonin dhe ndoshta ishin të drejta përpara startit të këtij turneu në Francë. Në letër, ne të 23- të që jemi vënë nën urdhrat e Antonio Kontes shiheshim dhe mbase ishim Kombëtarja italiane më pak cilësore e të gjithë historisë sonë. Është gjithashtu e vërtetë se ne nuk kemi ndonjë superyll, por ajo që na bën të fortë është vullneti për të kaluar limitet tona dhe, për këtë arsye, jemi këtu, aty ku askush nuk na priste.
Pra, a mund të shpresojnë italianët te një tjetër mrekulli e juaja?
Unë po, e gjithë kombëtarja jonë po, prandaj edhe tifozët duhet ta bëjnë. Fundja, unë nuk jam i lodhur së fituari dhe luftuari, prandaj kundër Gjermanisë presin mrekullinë e radhës nga ana jonë.
Sa shanse ka realisht Italia për t'i mundur kampionët e botës?
E ritheksoj se Gjermania të frikëson, por ne jemi Italia, ata dhe ndoshta të vetmit që kemi treguar historikisht se nuk heqim dorë, nuk dorëzohemi kurrë deri në sekondën e fundit dhe përballë çdo vështirësie që mund të duket edhe më e madhe sesa forcat tona.
Gjermani-Itali do të jetë edhe një duel mes Nojerit dhe Bufonit...
Të gjithë do të zbresim në fushë për të bërë detyrën tonë dhe natyrisht që edhe portieri, në sfida si kjo, mund të bëjë diferencën. Pastaj, kur flasim për një gjigant si Manuel Nojeri, i cili me 105 kilogramët dhe 198 centimetrat e tij bëhet një mal shumë i lartë për t'u kaluar, normale që të godasësh gjermanët do të bëhet edhe më e vështirë. Por edhe unë nuk qahem, madje shpresoj të festoj sërish mbi traversë.