I shkaktoi humbjen e fundit Balaj Nuk e harroj ironine e Pepes

I shkaktoi humbjen e fundit, Balaj: Nuk e harroj ironinë e Pepes

Bekim Balaj është ai që me golin e shënuar në Aveiro i ka shkaktuar humbjen e fundit Portugalisë në Europian.

Bekim Balaj duke festuar pas golit qe shenoi ndaj Portugalise

Bekim Balaj duke festuar pas golit qe shenoi ndaj Portugalise

Bekim Balaj ka kujtuar menjëherë pas finales së Europianit buzëqeshjen ironike të Pepes, pasi shkodrani realizoi një perlë në Portugali.

Tashmë është pjesë e një skuadre tjetër, me të cilën ka shënuar dy herë në po kaq takime të zhvilluara në fazën përgatitore, por njëri prej tyre ka qenë përballë portierit me tuta të gjata, Kirali.

Në një intervistë për "Panorama Sport", shkodrani tregon ekipin me të cilin ka bërë tifo që fëmijë, si dhe komenton ecurinë e Portugalisë deri në triumfin e arritur.

Shembujt që duhen marrë nga ky kompeticion si dhe përcakton atë që ai e cilëson si golin më të bukur të Europianit.

Portugalia e nisi këtë edicion kualifikues me humbje ndaj Shqipërisë dhe tashmë fiton Europianin me vetëm një ndeshje që e ka mbyllur me triumf në 90 minuta...

Është një ekip që me ndeshjet e para s'ka bindur askënd. Ka zhvilluar një futboll cinik, shumë të kujdesshëm dhe ka arritur të shfrytëzojë me fanatizëm rastet që ka krijuar. Nuk kanë zhvilluar atë lloj futbolli të bukur që jemi mësuar të shohim nga ekipet kampione, mirëpo e fituan Europianin jo pa meritë.

Goli yt i ka shkaktuar humbjen e fundit në ndeshjet zyrtare Portugalisë. Si ndihesh për këtë fakt?

Të them të drejtën, kur Franca dhe Portugalia u mësuan si dy finalistet, nga kurioziteti e kërkova këtë fakt në internet. Dy finalistet që kanë humbjet e fundit kundër Shqipërisë, është një gjë që... s'e di, të ngjall ndjenjë të çuditshme (qesh). Të them të drejtën, ne kemi bërë paraqitje të mira kundër të dyjave. Kur sheh se si Portugalia shkoi në finale dhe triumfoi vetëm me barazime, shërben edhe si model frymëzues. Jo vetëm kaq, por të bën të mendosh se me pak fat mund të kishim bërë edhe më shumë hapa në këtë event.

Pepe u shpall lojtari i ndeshjes në finale, ndërkohë që ka pasur një ngacmim mes jush në ndeshjen e parë. E kujton momentin kur i shënove Portugalisë?

Ka kaluar shumë kohë, por e kujtoj atë ndeshje. Ishin provokime dhe ngacmime gjatë gjithë ndeshjes me të. Në fillim, isha unë që bëja rolin e mbrojtësit, pasi i shërbeja skuadrës në fazën defensive dhe kjo i krijoi shqetësim të madh atij, pasi iu bëra i mërzitshëm duke e mbuluar nga afër gjatë gjithë kohës. Pas golit, gjeta unë mundësinë ta ngacmoja dhe e pyeta: A të pëlqeu? Ngacmime të zakonshme për një ndeshje, por pikërisht pas finales kur ai u fokusua si lojtari i ndeshjes m'u kujtua e qeshura ironike e tij pas golit tim.

E meritoi Portugalia Europianin?

Thuhet rëndom që fituesi nuk gjykohet. Ata luajtën një futboll shumë cinik, të kujdesshëm dhe që u mbrojtën shumë mirë. Kanë arritur të zgjidhin shumë takime falë cilësive të lojtarëve që kanë në përbërje. Diku me fat, diku nga kualitetet ia dolën. Futbolli tregon që edhe në këtë mënyrë arrihen rezultate. Për mua, rrugës nuk ka bindur, por në fund fitoi kundër Francës dhe e meritoi Europianin.

Si e ke përjetuar këtë Europian?

Si asnjëherë tjetër, pasi këtë herë kemi qenë protagonistë. Tri ndeshje që i përjetuam me emocione, por më së shumti emocionuese kanë qenë ditët e pritjes, ku të gjithë u bëmë specialistë llogarish duke përcaktuar golavarazhin e rezultatet e takimeve të tjera në funksion të kualifikimit tonë. Mirëpo, këto, fati dhe shumë gjëra u bënë bashkë dhe nuk na dhanë mundësinë të vazhdonim më tej. Na bënë që ta mbyllnim atë eksperiencë më shpejt nga sa e meritonim. Megjithatë, jo vetëm për ne si aktorë, por edhe për të gjithë shqiptarët do të jetë i paharrueshëm. Pjesa tjetër, secili e ka ndjekur si tifoz, duke u rikthyer në "origjinë" me mbështetjen e ekipeve që gjithsecili simpatizon.

Me kë je tifoz, përveç Shqipërisë, kuptohet?

Gjatë Europianeve të kaluara, nga babai, jam bërë tifoz me Holandën. Në mungesë të saj këtë edicion, kam simpatizuar Italinë. Një ekip që e nisi me lojtarë "anonimë", por treguan që me gjakun dhe egon që i karakterizon italianët, bënë paraqitje të mira.

Cili është goli më i bukur i Europianit sipas teje?

Pa diskutim, i Shaqirit! Ekzekutim perfekt i roveshatës. Një gol shumë i vështirë. Mënyra si e realizoi më bën të them që ishte më i bukuri.

Cila ka qenë surpriza e këtij Europiani?

Për mua dhe shumë si unë që e ndoqëm këtë kompeticion, mund të them Islanda. I tregoi të gjithë botës që me aq pak popullsi, arriti të krijojë një ekip që të pretendojë dhe të përfaqësohet denjësisht në të gjitha ndeshjet. Kur sheh ekipe të tilla, kupton që në futboll diferencat ngushtohen shumë kur në fushë jep gjithçka. Sakrifica, dëshira dhe puna e madhe bën që futbolli i sotëm të mos ketë shumë ndryshime mes ekipeve si dhe të shërbejë si motivim për ato që quhen ekipe të vogla.

Si të kanë pritur te Terek?

Më kanë ndjekur edhe gjatë Europianit. Pas ndeshjes me Rumaninë, të gjithë kërkonin që eksperienca e Shqipërisë të mos mbaronte me aq dhe kam marrë shumë mesazhe urimi dhe mbështetje, pavarësisht se nuk kisha shkuar ende në klub. Të gjithë ishin të mendimit që fati na eliminoi shumë shpejt. Më kanë pritur mirë dhe jam bashkuar menjëherë me ekipin në fazën përgatitore këtu në Austri, ku po përgatitemi për nisjen e sezonit të ri.

Dy ndeshje dhe dy gola, një prej të cilave përballë Gabor Kirali...

Më vjen mirë që në dy takime shënova dy herë. Si i thonë në Shqipëri, fillimi i mbarë është gjysma e punës. Megjithatë, janë vetëm ndeshje testuese dhe kam shumë punë për të bërë. Një prej këtyre dy takimeve ishte kundër një ekipi ku në portë ishte pikërisht portieri hungarez. Nganjëherë, të gjithë kemi qeshur përpara televizorit kur e kemi parë me tuta në fushë.

OLSI TUJANI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama