Zoti Merdani, mësuam se para dy ditësh ju kanë vjedhur makinën. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj ngjarjeje?
Unë jam Sherif Merdani, që vij mbas 16 viteve burg në këtë shoqëri të re. Meqenëse kjo qeveri mori atë vendim që të na japë ato lekë, të na dëmshpërblejë nga burgu, edhe unë pata rastin të dëmshpërblehem dhe kam marrë këstin e parë e këstin e dytë. Me këto dy këste vendosëm familjarisht, me gruan dhe me djalin, të blinim një makinë. Blemë një makinë të re para 2 vjet e gjysmë, tip “Citroen Picaso”. Një makinë e vogël, ngjyrë të zezë. Ata specialistët francezë e quajtën në anglisht “Space Box”, domethënë një kuti me hapësirë. Ishte një makinë shumë e rehatshme, shumë komode. Qarkullonim me të sidomos nëpër Tiranë, ndonjëherë në Shkodër, ndonjëherë në Durrës dhe asgjë tjetër. Ditën e premte në darkë shikoj që makinës i kishin thyer një xham. Xhamin e vogël majtas. Ai person që ka thyer xhamin e ka ditur që në krahun e shoferit, te xhepi i derës së majtë, ndodhej krejt rastësisht çelësi rezervë i makinës. Mbase në atë moment nuk ka ditur, ose nuk ka mundur që ta çajë plotësisht xhamin dhe e la “aksionin” e tij për një ditë tjetër. Në atë moment unë bashkë me gruan shkuam dhe e riparuam xhamin me letër dhe e porositëm xhamin në Turqi për javën tjetër, që jemi tani, domethënë për ditën e martë.
Pra kishin tentuar t’jua vidhnin edhe më përpara?
Po. Pasi rregulluam xhamin, shkuam në Kishën e Shën Ndoit në Laç dhe u kthyem. E parkuam makinën afër shtëpisë. Atë natë filloi edhe “aksioni” që ishte lënë në mes. Them unë, rreth orës 2 të natës, është marrë me çelës dhe është vjedhur. Ky është tregimi im “ordiner” që mund të bëj. Pastaj vjen tregimi që është më i rëndësishmi për mendimin tim, ai i ndjenjave. Mua më vjen çudi se si mund të ketë një shqiptar, që të paktën këtu në lagje apo diku tjetër, të mendojë që të vjedhë makinën e Sherif Merdanit!
Keni ndonjë ide apo dyshim?
Këta në lagje e njohin të gjithë dhe ka 2 vjet e gjysmë a 3 vjet që nuk e trazon njeri makinën time, në çdo vend që e parkoj unë. Përkundrazi, e ruajnë makinën. Dhe vjen tani historia ime, që nuk mund të mos reflektoj në këto momente. Të mendosh që mbas 16 vjetëve burg, me lekët e burgut, të falura nga qeveria, me këstet e dëmshpërblimit, të blesh një makinë dhe të ta vjedhin. Mund të them nga këto fjalë sa të duash, po me të vërtetë jam i prekur nga gjesti që kanë bërë.
Po ju vetë jeni interesuar?
Unë do dëshiroja që nëpërmjet gazetës suaj të bëja vetëm një mesazh. “O njerëz të nderuar, që ashtu siç thoshte Krishti, fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë, silleni atë makinë ku e keni marrë. Dorëzoni ato çelësa dhe thoni vetëm një fjalë: Më fal, zoti Sherif! Dhe unë i kam falur”.