I zbulova Shqiperise nje art te ri…

I zbulova Shqiperise nje art te ri…
Vetrazhi është shumë  lidhur me skenografinë, thotë Fatbardh Marku, skenograf i talentuar nga Elbasani. “Në terminologji skenografi është arkitekt skene. Skenografia më ka bërë të zbuloj magjinë e dritës,  ndryshimet që bën ajo, tonalitetet që i jep  një ambienti në raport me përmbajtjen, vazhdon të tregojë Marku, duke renditur emocioniet e asaj që ai e quan goditje magjike. “Por ‘goditja’ që më erdhi mua nga vetrazhi ndodhi  në vitin 1995”. Kisha katolike e Elbasanit porositi në Itali dy vetrazhe.  “Prifti më ngarkoi që të bëja projektet e vetrazheve për dy dritaret qendrore të derës kryesore”.  Materializimi i projektit ishte edhe goditja finale që i ndodhi për tu marrë me vetrazhin.

“Xhami në raport me dritën sjell mrekullira”, pohon ai, “e prej asaj kohe fillova të merrem nga pak me vetrazhin”. Vetrazhi ka filluar të bëhet tani pjesë e gjerë e jetës dhe arkitekturës shqiptare. Fillimisht vetrazhi është përdorur në kisha për të shtuar magjinë mistike. Arkitektët filluan të lënë hapsira shumë të mëdha për vetrazhin, e zbuluan magjinë që krijonte drita në raport me dritën dhe me  figurat në xham. Ai është shpikur qysh në primitivizëm fillimisht me dy ngjyra të ndryshme dhe më pas u shtuan ngjyrat duke krijuar efektet nga më të ndryshmet dhe tani është një art më vete “Nuk mund të diferencoj punët e mia pasi në çdo punë hedh shumë dashuri dhe gjërat më të mëdha arrihen me shumë dashuri”. Ai thotë më tej se ka një shembull në punën e tij: “Jam frymëzuar nga veprat e  Zhan Mirro dhe Kandinski. Kam ndjekur veprat e tyre por edhe pasionin, fantazinë dhe talentin tim”. 

“Unë kisha filluar më parë të bëja punime të miat në shërbim të besimit. Më janë dashur 6 muaj punë në vitet më të varfra për Shqipërinë të derdhja në beton veprën e Nënë Terezës e cila ndodhet në Jetimoren Motrat e Nënë Terezës këtu në Elbasan. Kur Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë dhe Elbasanin, u ndal në këtë Jetimore dhe pasi pa veprën e derdhur në oborr mori duart e mia dhe mi bekoi. Një moment mjaft emocionues që nuk do ta harroj. Kështu ditën që  inagurohet skulptura e nënë Terezës, atë ditë më ngarkohet edhe realizimi i pikturimit të kishës katolike me rite bizantine. Puna në këtë kishë bëri që unë të lidhesha shumë me krijuesin dhe mbase mbase edhe puna me xhamin ishte dhuratë e tij”.

Pyetjes nëse e konsideron më delikate një vepër në xham, ai i përgjigjet me buzëqeshje se xhami me ngjyra është mozaik dhe nëse dëmtohet një pjesë ai zëvëndësohet. Gjithashtu Marku sjell një shembull nga Mesjeta kur mbretëresha e Anglisë arriti të shpëtojë të gjitha vetratat e kishave dhe katedraleve duke i çmontuar dhe magazinuar.

Por skenografi i talentuar që tashmë merret me vetrazhin thotë se, kjo teknikë, pjesë e arkitekturës, ka hyrë gjerësisht dhe është përqafuar nga  njerëzit duke mos mbetur vetëm pronë e aristokracisë së dikurshme. “Vitrazhi është pjesë e atyre njerëzve që duan të personalizojnë shtëpinë e tyre pasi veprat në vitrazh janë unike dhe të papërsëritëshme.  Një punë e kërkuar në vitrazh është edhe një përshtatje të psikologjisë dhe të personalitetit të vetë personave që e kanë përsëritur prandaj para se të realizoj një punë të tillë unë shoqërohem dhe njoh më parë familjen që e ka porositur”. Por gjithashtu skenografi ndodh që nuk pranon edhe realizimin e punëve që nuk i pëlqen duke respektuar kështu artin e tij. Pasi ka realizuar shumë punë dhe nuk diferencon ndonjë prej tyre, Marku është duke punuar për një objekt që ndoshta do të hyjë edhe në rekordet Gines për sasinë e xhamit të punuar të përdorur në arkitekturën e tij.

Titulli “Kalorës i Vatikanit”

Fatbardh Marku  tregon se realizimi  i afreskeve, ikonostasit dhe vetratave të kishës Unide është bërë bashkë me të talentuarin Arben Jano. Na janë dashur 4 vjet punë për të realizuar afresket, ikonat e gjithçka tjetër në këtë kishë. Fillimisht kemi studiuar  artin bizantin që është edhe në themel të artit profesionist. Kujdesi për çdo detaj, saktësia ishin në themel të punës sonë. Në përfundim të këtij objekti, prifti i kishës na kërkoi fotografi dhe një Curriculum Vitae  pasi ishte rezervuar një nderim. Ambasadori i Vatikanit në Tiranë në një vizitë në kishën Unide na dorëzoi titullin “Kalorës”. Ishte një nderim mjaft i madh për ne pasi janë të paktë ata që e kanë marrë këtë titull”.

Jeta ime

Fatbardh Marku ka lindur në Elbasan në një familje të Kalasë. Ai ka vazhduar shkollën Onufri dhe më pas Akademinë e Arteve në profilin e skenografit. Numëron 10 çmime kombëtare , 150 skenografi, dhe është ndër të vetmit që ka fituar çmimin Kalorës nga Vatikani (titulli më i lartë që jep një shtet) për punën e tij  duke u zgjedhur gjithashtu i 1627-ti ndër 6000 njerëzit e përzgjedhur nga Vatikani. Ndër mjeshtrat e grafikës ai ka arritur të performojë në këtë fushë qysh në vitet 80-të. Është ndër skenografët më prodhimtarë që vazhdon të na ngacmojë me zgjidhjet në vepra të ndryshme të vëna në skenë nga Teatri Kombëtar dhe nga teatri i Elbasanit. Ka kontribuar në fushën e filmit me skenografinë e filmit “Plumba Perandorit” dhe është nderuar me çmim të parë në festivalin e filmit me  një ndër ikonat e kinematografisë shqiptare“Udha e Shkronjave”, mjeshtërisht e realizuar dhe që I ka rezistuar të gjitha kohërave. Ai është nderuar gjithashtu me çmim të parë në filmin “Shumë gjethe të thata ranë atë vjeshtë”. Si skenograf I afirmuar ka  bashkëpunuar me regjizorët Spiro Dunin, me Drita Agollin, me Dhimitër Pecanin e shumë regjizorë të tjerë. Nga viti 1996 e tani vazhdon të merret edhe me një art tjetër atë të vitrazhit. Ka realizuar shumë punë në xham. Është ndër mjeshtërat e kësaj fushe dhe gjithashtu ka realizuar edhe afreske nga të cilat do të mbeten në kujtesë afresket e kishës Unide në Elbasan.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama