INA - nje gur kilometrazhi ne historine e albanologjise

INA - një gur kilometrazhi në historinë e albanologjisë
Nuk është rastësi që tri shkronjat e dorës që formojnë shkurtesën "INA"  janë të kuqe, thotë Elton Prifti, por ato nuk kanë të bëjnë me flamurin shqiptar: "E kuqja, nga këndvështrimi grafik është një nga ngjyrat më të theksuara e që thith vëmendjen e nuk ka të bëjë fare me asnjë interpretim nacionalist, patriotist, pseudopatrioist a kombëtarist a çfarëdo qoftë". INA është shkurtesa e togfjalëshit: International Network of Albanology, në shqip: Rrjeti ndërkombëtar i albanologjisë. Drejtori ekzekutiv i saj, Elton Prifti, thekson se INA ka si synim të nxisë shkencën dhe jo politikën, megjithëse kjo e fundit i interpreton rezultatet e shkencës për qëllimet e saj, shton Prifti.  Ky linguist, i cili aktualisht punon si bashkëpuntor shkencor në  Universitetin e Potsdamit pranë Berlinit, kishte së paku dy vjet që po e përgatiste lindjen e shoqatës, e cila më në fund u realizua më 14 janar 2008.

INA shënon një gur kilometrazhi në historinë e albanologjisë, sepse, siç thotë kryetari i saj, Bardhyl Demiraj, ajo "është shoqata e parë me qëllim organizimin gjithëpërfshirës të qendrave albanologjike universitare dhe shkencore në botë." Gjithsej janë mbi 30 të tilla, por pjesa dërrmuese është në Shqipëri, të tjerat të shpërndara në Kosovë, Maqedoni dhe Evropë: "Pika më perëndimore është Londra, ajo më veriore është Petersburgu, më lindore është Sofja, dhe më jugore në Siçili", numëron Demiraj.

Komunikimi virtual

Deri tani gjetja e informacioneve gjithëpërfshirëse për albanologjinë ka qenë e fragmentuar, vëren Xhovani Belusho (Giovanni Belluscio) nga Universiteti i Kozencës, në Kalabri të Italisë. INA synon ta zgjidhë këtë problem me faqen e saj të internetit http://albanology.com. "Kjo do t\'u japë mundësi shkencëtarëve dhe studiuesve të shpërndajnë njohuritë e tyre dhe të takohen në internet për të diskutuar për problematikat e lidhura me albanologjinë", thotë Belusho. Profesori kalabrez shpreson që kështu do të rritet edhe interesi për pjesë të albanologjisë, vazhdimësia e të cilave është në rrezik. Belusho jep si shembull dialektologjinë, e cila në Shqipëri po pëson rënie, ndërsa në trevat jashtë saj vazhdon të jetë një fushë mjaft interesante për studiuesit. Profesor Demiraj  vëren megjithatë se interesimi për albanologjinë po përjeton një trend pozitiv. Për këtë flasin edhe shifrat e Universitetit elitar të Mynihut, ku ai është shef katedre: "Ndërsa tetë vjet më parë, kur e mora në dorë katedrën gjeta katër studentë, tani janë 40", bën bilancin Demiraj.

Marrëdhënie ndërdisiplinore

Një synim  tjetër i INA-s është nxitja e karakterit ndërdisiplinor të studimeve albanologjike. Kjo është arsyeja edhe pse gjuha zyrtare e saj është anglishtja, në mënyrë që edhe disiplina të tjera simotra të albanologjisë të mund të përfitojnë nga studimet albanologjike dhe anasjelltas.  "Albanologjia nuk mund të ekzistojë pa patur marrëdhënie të ngushta me shkencat e tjera", argumenton Prifti.

Krahas Bardhyl Demirajt që është drejtuesi i Institutit të vetëm Albanologjik në Gjermani, shoqata mbledh rreth vetes edhe albanologë të tjerë me emër, si kryetarin e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Profesor Rexhep Ismajlin, prorektorin e Universitetit të Kozencës, Françesko Altimarin (Francesco Altimari) si edhe ish-kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1993-1997) profesor Shaban Demirajn.

Të premten, më 11 korrik 2008, shoqata pati takimin e parë në Universitetin Humboldt të Berlinit, falë kjo edhe angazhimit vullnetar të Dr. Gerd-Diter Nering (Gerd-Dieter Nehring), i cili ka punuar për një kohë të gjatë në Insitutin e Slavistikës të këtij universiteti.

Ardian Ndreca, profesor i filozofisë moderne nga Roma, kishte ardhur enkas në Berlin, për të shprehur mbështetjen e tij për iniciativën: "Tani shpresojmë që të gjejë edhe mbështetjen e studiuesve dhe institucioneve shqiptare, sepse është me të vërtetë diçka për t\'u përshëndetur". Gjithsesi, shteti shqiptar e tregoi shenjën e tij të parë dashamirëse ndaj INA-s me pjesëmarrjen e ambasadorit shqiptar në Berlin, Gazmend Turdiu. Për këtë "mik të albanologjisë", siç do ta quante atë profesor Demiraj, tubimi i parë i INA-s ishte i fundit në periudhën e shërbimit të tij si ambasador në Gjermani.
 
Anila Shuka/Berlin (DW)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama