Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin gusht 2012 arriti 112.4 përqind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin gusht është 2.8 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.1 për qind.
Indeksi i grupit "ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 0.8 për qind. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 3.7 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate, përfshirë patatet". Çmimet kanë shënuar rritje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupin "fruta" me 1.1 për qind, nëngrupin "qumësht djath dhe vezë me 1.4 për qind, "sheqer e ëmbëlsira" me 0.4 për qind, etj.
Indeksi i grupit "veshje dhe këpucë" ka shënuar një ulje prej 0.8 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me 1.7 për qind, veshjeve për fëmijë me 1.6 për qind, këpucëve për gra me 0.6 për qind etj.
Indeksi i grupit "qira, ujë lëndë djegëse dhe energji" shënoi një rritje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i lëndëve djegëse shënoi një rritje prej 0.2 për qind.
Indeksi i grupit "transporti" ka shënuar një rritje prej 0.6 për qind. Gjatë muajit gusht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.6 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.6 për qind.
Indeksi i grupit "argëtim dhe kulturë" ka shënuar një rritje prej 0.4 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve për shërbimet e argëtimit me 1.9 për qind.