Në muajin maj të vitit 2014 eksporti i mallrave arriti vlerën e 25 miliardë lekëve, duke u rritur me 8,7 % në krahasim me muajin maj të vitit 2013, dhe 11 % në krahasim me muajin prill të këtij viti. Ndërsa tek eksportet e grupeve “materiale ndërtimi dhe metale” ka pasur rritje më të madhe vjetore me 58,7 %; “tekstile dhe këpucë” me 24 % dhe “produkte kimike dhe plastike” me 19,6 %.
Eksporti i grupit “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” pati ulje më të madhe vjetore me 12,6 %.
Në muajin maj të këtij viti, importi i mallrave arriti vlerën e 48 miliardë lekëve, duke u rritur me 6,7 % në krahasim me majin e 2013-ës, dhe 8,7 % në krahasim me prillin e 2014-ës. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 31,8 %, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 15,7 %, dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 14,8 %.
Ndërsa importi i grupit “produkte kimike dhe plastike” pati ulje më të madhe vjetore me 10,3 %.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 23 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me maj 2013 dhe 6,2 % në krahasim me prill 2014 . Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63,6 % të të gjithë tregtisë.
Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 34,1 %, Greqia 8,5 %, Turqia 8,1 % dhe Kina 6,8 %.