Niveli i papunësisë arrin në 14.5%. Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës nga INSTAT, në një vit shkalla e papunësisë për popullsinë ekonomikisht aktive është rritur me 1.1 pikë përqindje. Papunësia vazhdon të jetë një plagë veçanërisht mes të rinjve. Sipas të njëjtave të dhëna, shkalla e papunësisë për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç në tremujorin e parë të këtij viti ishte 24.9%, në rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por më e lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2012.
Shkalla e papunësisë vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt sesa për femrat, çka, sipas INSTAT, reflekton një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një shkallë të ulët aktiviteti në tregun e punës nga ana e femrave. Një e katërta e femrave që e kanë deklaruar veten joaktive në tregun e punës e kanë shpjeguar këtë me angazhimin si shtëpiake.
Papunësia në radhët e meshkujve është 15.8%, ndërsa te femrat është 12.9%. Pothuajse gjysma e popullsisë aktive në Shqipëri është e punësuar në sektorin bujqësor. Pesha e punësimit në bujqësi, sipas INSTAT, ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti ishte 48.7%. Vijon sektori i shërbimeve, ku mes të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, angazhohen rreth 35% e totalit. Në industri punojnë 16% e totalit të të punësuarve. Si shërbimet, ashtu edhe industria kanë një peshë specifike në rënie për sa i takon punësimit.