INSTAT Shqiptaret shpenzojne me shume per makinen se per familjen

INSTAT: Shqiptaret shpenzojne me shume per makinen se per familjen
Shpenzimet e shqiptarëve në raport me krizën janë surprizuese. Harxhet për blerje makinash dhe serviset e tyre bashkë me naftën vijnë gjithnjë në rritje nga viti në vit, pavarësisht kushteve të pafavorshme ekonomike. Shifrat tregojnë se kompleksi për t’u dukur mbetet i fortë, ku familjarët kursejnë për rrobat dhe ushqimet e fëmijëve për të lëvizur qoftë edhe për qejf me makinë. INSTAT njoftoi dje se tregtia dhe riparimi i automjeteve shënoi një rritje gati 8 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërsa shitjet në grupe të tjera të mallrave të konsumit të përditshëm shënuan një rritje shumë herë më të vogël.

Trendi Vitet e fundit, biznesi i makinave është rritur ndjeshëm, në proporcion të zhdrejtë me tregun ndërkombëtar, ku tregtia e makinave u godit e para nga kriza e ekonomike. Industritë më të njohura ta makinave u përballën me falimentin. Por për shqiptarët makinat janë ende një ëndërr që duhet prekur me çdo kusht. Për shkak të kësaj situate i gjithë zinxhiri i tregtisë që ka të bëjë me makinat ka ardhur në rritje, që nga pjesët e këmbimit deri te nafta. Tregtia e automjeteve është në lulëzim dhe serviset janë po aq të shpeshta sa ushqimorët.

Vitin që shkoi biznesi i automjeteve dhe naftës ka shënuar një rritje më të madhe se 10 për qind, ndërkohë që konsumi për mjetet e tjera të jetesës së përditshme si ushqimet, veshjet ishin me rritje pak më shumë se 2 për qind. Ekspertët ekonomisë e lidhin këtë tendencë me shumë faktorë. Nga të cilët, kryesor mbetet fakti se numri i makinave për frymë popullsie është ende i ulët dhe tregu ende nuk është maturuar. Ekspertët në Europë do ta përkthenin këtë fenomen me një rritje të madhe ekonomike të vendit, çka nuk është se po ndodh në realitet. Harta Tregtia me pakicë ose siç e njohim ndryshe konsumi, pësoi një gjallërim në tremujorin e fundit të vitit 2012, duke pësuar një rritje me mbi 5 për qind.

Duke marrë në konsideratë ecurinë e tre tremujorëve të tjerë, rritja e konsumit në tërësi gjatë vitit 2012 nuk është më shumë se 2%. Në tremujorin e fundit, konsumi i veshjeve dhe artikujve shtëpiake ka shënuar ulje të ndjeshme me vlera negative për të gjithë muajt, ndërkohë që tregtia me pakicë e karburanteve ka shënuar rritje 15 për qind në krahasim me vitin 2011. Këtu ka edhe një paradoks tjetër, pasi dogana ka raportuar një ulje të importit të karburanteve për 2012-n, ndërkohë që shitjet me pakicë po shënojnë rekorde të larta. INSTAT raporton gjithashtu se shitjet e ushqimeve në supermarkete kanë rënë ndjeshëm. Kriza ka stimuluar tregjet e rrugës dhe ato të mëdha.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama