Numri i të papunëve rezulton të jetë rritur ndjeshëm sipas një ankete që INSTAT zhvilloi me 5000 familje në të gjithë vendin. Të dhënat finale rezultojnë me një rritje të papunëve për periudhën qershor-shtator me 1.1 për qind, ndërsa papunësia totale shënoi 16.9 për qind, ose rreth 4 për qind më pak se niveli zyrtar i deklaruar i papunësisë.
Puna kërkohet me mik
Papunësia, që është i vetmi tregues disi stabël në këto vite të krizës ekonomike, duket se po tronditet. Anketa e INSTAT-it, që në fakt nuk është treguesi zyrtar që i referohen institucionet, jep një panoramë krejt tjetër. Nga kjo metodë dalin si të papunë më shumë se 10 mijë persona. Por alarmi vjen tek papunësia ndër të rinjtë, që është në shifra alarmante. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 26,9 %, ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ishte 14 %. Por e keqja është se të papunët nuk u drejtohen për ndihme institucioneve të shtetit, por më së shumti njerëzve të njohur ose miqve. INSTAT pohon se 88 % kërkojnë punë në këtë mënyrë, pasi zyrat e punës janë krejtësisht formale. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës (63,6 %) si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta etj.
Sektorët që ndikuan
Gjatë tremujorit të tretë 2013 punësimi ka patur një rënie në sektorin e ndërtimit me 4.6 % dhe në sektorin e industrisë përpunuese me 3.1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012, punësimi në sektorin e ndërtimit ka rënë me 18.8 % dhe punësimi në sektorin e shërbimeve të tregut ka rënë me 6.3 %. Ndërsa rritje mësohet të ketë patur punësimi në industrinë nxjerrëse me 34%, duke përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, të gazit, avullit dhe ujit, si dhe në industri me 3.2 %. Në sektorin e shërbimeve pati një rritje të lehtë me 0.6 %.Gjatë tremujorit të tretë 2013, punëtorët pa pagesë të familjes përbënin 33 % të punësimit total.
Tre në pesë të punësuar si punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes ishin femra. Gjatë qershor –shtator 2013, rreth 52 % e femrave të punësuara ishin të angazhuara në aktivitete bujqësore, 37.5 % në sektorin e shërbimeve dhe 9.4 % në industrinë përpunuese. Ndërsa ndër të punësuarit meshkuj, 36 % ishin të punësuar në sektorin e bujqësisë, 40 % në sektorin e shërbimeve, dhe 13.2 % në sektorin e ndërtimit. Krahasuar me tremujorin e dytë 2013, pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është ulur me rreth 1.5 pikë përqindje, ndërsa pjesëmarrja e meshkujve është ulur me 1 pikë përqindje. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se ishin nxënës/studentë ose në trajnim, përbënin 61% të të rinjve ekonomikisht joaktivë. Gjatë tremujorit të tretë 2013, rreth 17% e popullsisë ekonomikisht joaktive e moshës 15-64 vjeç ishte duke përmbushur detyrat shtëpiake, vëren INSTAT. Gjatë këtij viti, INSTAT do të zgjerojë bazën e anketimit të familjeve për fenomenin e punësimit, duke e çuar në 8 mijë familje nga më shumë se 5 mijë që janë aktualisht.