INTERVISTA/ Flet Prof.dr. Miaser Dibra Drejtore e Institutit Antropologjise Kulturore dhe i Studimit te Artit

INTERVISTA/ Flet Prof.dr. Miaser Dibra Drejtore e Institutit  Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit
IAKSA ka objektiv kërkimin dhe studimin shkencor të etnokulturës, ruajtjen dhe dokumentimin e traditave të kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar. Fillesat e institutit i gjejmë në 1947, kur u nis puna si një sektor studimor i kulturës kombëtare pranë Universitetit të Tiranës. Kurse më 1960 krijohet “Instituti i Folklorit”. Emri i tij ka ndryshuar në raport me zgjerimin e hapësirave studimore në “Instituti i Kulturës Popullore” deri më 2007, si institut i Akademisë së Shkencave dhe pas këtij viti si strukturë përbërëse e Qendrës së Studimeve Albanologjike, me shtimin e një departamenti të studimit të arteve emërtohet “Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve”. Është një institucion studimor qendror, me shtrirje të hapësirës së punës brenda e jashtë Shqipërisë, kudo ku ka shqiptarë. Ka disa breza albanologësh, folkloristësh e etnografësh që me profesionalizëm të spikatur kanë kontribuar në studimin e etnokulturës shqiptare.

Instituti zhvillon jetën shkencore në tre departamente: Departamenti i Folklorit, me sektorin e folklorit gojor dhe te muzikologjisë; Departamenti i Etnologjisë, me sektorët e etnologjisë shpirtërore dhe materiale dhe Departamenti i Studimit të Artit. Krahas punës konkrete shkencore të studiuesve në IAKSA ka një pasuri shumë të madhe arkivore të ruajtur në gjashtë arkivat e tij. Kjo padyshim e bën këtë institut të jetë mjaft specifik dhe me peshë në Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Znj.Miaser! Ditët e fundit ju zhvilluat një sezion shkencor mbi folklorin, muzikën, etnografinë. Çfarë përmbante në thelb ky sezion dhe cilët ishin diskutantët?

Më datën 02.06.2010 Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit zhvilloi Konferencën Shkencore “ Tradita etnokulturore dhe bashkëkohësia”. Në kumtesat e mbajtura në këtë veprimtari u trajtuan  probleme nga më të ndryshmet, duke patur si pikë reference temën qëndrore, d.m.th. si kanë ardhur në bashkëkohësi disa nga traditat tona etnokulturore, cilat janë problemet me të cilat përballet sot etnografia, folklori shqiptar dhe artet. Nisma për të organizuar këtë veprimtari pati si qëllim kryesor evidentimin e trashëgimisë sonë etnokulturore, parë në shumë dimensione e disiplina studimore.

Në platfortmën e përgatitur për këtë aktivitet shkencor është kërkuar të përqëndrohej vëmendja posaçërisht në pasqyrimin e tipareve etnologjike, folklorike dhe artistike në bashkëkohësi, në aspekte të ndryshme të jetës së shqiptarëve. Kjo shtrirje i shërben studimeve albanologjike, si procedurë normale e studimit, nga e kaluara në të sotmen, nga e njohura në kërkim të së resë, por edhe për faktin se sot më tepër se kurrë evidentimi i traditave, identitetit dhe vlerave tona janë një shprehje konkrete për t’u theksuar, për t’u njohur, në mënyrë që të hyjmë në portën e dëshëruar të Europës me dinjitet, duke paraqitur edhe ne, si njëri ndër popujt shumë të lashtë të rajonit, tiparet karakteristike që na i kanë dhënë shekujt, historia, udha e gjatë nëpër të cilën kemi kaluar.

Kjo temë kaq e gjerë u krijoi shumë mundësi studiuesve të tre departamenteve të IAKSA ta thonë fjalën e tyre, secili sipas fushës studimore që mbulon, për të dhënë mendime të kualifikuara sidomos lidhur me detyrat që shtrohen sot para shkencës antropologjike për të thelluar studimet në zhvillimet aktuale etnokulturore. Studiuesit tanë shumë shpesh janë të pranishëm për të thënë fjalën e tyre në veprimtari shkencore, tryeza pune nëpër Shqipëri e jashtë saj. Në këtë kuptim arrijnë të reflektojnë duke njohur problemet, duke njohur ecurinë e deritanishme të studimeve shqiptare të këtyre fushave dhe perspektivat e zhvillimit të tyre.  
   
Shtrirja e punimeve të kësaj konference në dy seksione, të Folklorit dhe të Etnologjisë e Artit, ku u mbajtën 35 kumtesa, tregoi angazhimin serioz të gjithë punonjësve shkencorë të IAKSA. Tregoi gjithashtu jehonën që pati kjo veprimtari në institucionet e tjera akademike të vendit, pasi prej tyre u paraqitën disa kumtime. Punimet e kësaj veprimtarie janë kërkuar të paraqiten në dy nivele, një për referim dhe një tjetër më i gjatë për botim.

Në IAKSA këtë vit akademik u hap Shkolla e Doktoraturës. Institucioni ynë, me aq shumë përvojë në punën e mirëfilltë kërkimore-shkencore arriti të realizojë një vit shkollor akademik të nivelit të kërkuar bashkëkohor. Këshilli Shkencor i IAKSA dhe organizuesit e kësaj konference e panë të udhës, në dobi të promovimit dhe ndihmës për gjeneratat e reja të kërkuesve shkencorë që, në konferencën tonë t’u krijojmë hapësirë studentëve të Shkollës Doktorale të paraqesin punimet e tyre, përkrah pedagogëve me përvojë e kërkuesve të fushave të ndryshme që u përfshinë në këtë veprimtari. Pjesëmarrja në një konferencë të këtij niveli ua ka vështirësuar atyre përgatitjen dhe ua ka shtuar edhe më përgjegjshmërinë për kumtimin që paraqitën. Por studiuesit e rinj duhet ta kuptojnë deri në fund se rruga e shkencës është sa e bukur, aq edhe e vështirë. Shpreh bindjen se ky rast ishte për ta fatlum, çlirues njëkohësisht dhe një përvojë e vlefshme që u jep sodisfaksion dhe siguri për punët e së ardhmes, pasi u dhamë shumë besueshmëri, të cilën ata me punë këmbëngulëse e justifikuan plotësisht.

Çfarë mesazhesh solli konferenca dhe a ka pasë studiues të huaj?

Çdo kumtesë e mbajtur solli mesazhe dhe mendime për probleme që kërkojnë përgjigje aktualisht. Tematika ka qenë mjaft e studiuar. Për këtë ka patur angazhin serioz të grupit të punës që e përgatiti veprimtarinë dhe të Këshillit Shkencor të IAKSA që aprovoi programin e saj. Natyrisht që secili studiues e ka zgjedhur vetë temën, por në disa raste janë dhënë mendime paraprake për një përqasje sa më të thelluar në raport me temën qëndrore. Specifika e mesazheve në një veprimtari me 35 tema është tepër e larmishme dhe për t’i dhënë ato do të duhej shumë kohë, ndoshta një reflektim nga ata që dëgjuan ose kur kumtesat e zgjeruara të botohen.

Por disa mesazhe përgjithësuese të veprimtarisë ishin: vëmendje e përqëndruar për të ndërthhurur të sotmen me traditën, kërkesë për të nënvizuar disa devijime në muzikën e sotme popullore, në ndërtimet tradicionale, tekstet e këngëve folklorike që shfaqen disa herë edhe të denatyruara në kushtet e ekonomisë së tregut dhe nuk duhet të lulëzojnë sit ë tilla; shumë tema reflektuan respekt për traditën dhe nevojë për ta përdorur atë si faktor identiteti dhe vijimësie në zhvillim bashkëkohor, për t’u përfshirë në Europë me vlerat tona të spikatura etnokulturore.

Në disa tema u theksuan ripërtëritje të disa mjeshtërive në kushtet e sotme si vlera shumë dimensionale Një mesazh shumë i rëndësishëm që solli kjo konferencë mendoj se ishte realizimi i një detyre që kemi ne studiuesit me përvojë për t’u dhënë besueshmëri më të rinjve, natyrisht kur e meritojnë. Duhet ta vërejmë me vëmendje punën e tyre, jo vetëm për të krijuar raport të ndershëm ndërmjet brezave dhe për ta kaluar përvojën në mënyrë të natyrshme, por edhe për të përfituar shkenca shqiptare mendim të ri, në të cilin vërehet botë e mendje e hapur, shfrytëzim i thelluar i mundësive të reja të teknologjisë së sotme e shumë vlera të reja.

Konferenca ka qenë kombëtare dhe ka përfshirë, përveç studiuesve të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit edhe nga Akademinë e Shkencave, Univeristeti i Tiranës dhe i Elbasanit, Akademia e Arteve etj.

Cilat janë problemet e sotme në fushën e folklorit, muzikës, etnokoreografisë?

Pyetja juaj sjell njërin nga synimet e rëndësishme të këtij tubimi shkencor. Konferenca  u ndal në disa nga problemet më preokupante të sotme të fushave tona studimore. Në sesionin e folklorit u trajtuan tema të tilla si: a janë festivalet folklorike një riprodhim i vërtetë folklorik, cila është gjendja e sotme aplikative dhe problemet e disa prej gjinive e llojeve folklorike si këngët e mërgimit, këngët qytetare; cilat janë marrëdhëniet aktuale të shumëzërëshit vokal tosk me muzikën instrumentale, motivet folklorik në kontekste të reja, probleme të muzikës popullore qytetare pas viteve ’90, përqasje të reja në shkencën e etnomuzikologjisë, tradita folklorike dhe menaxhimi i saj sot, tradicionalitet dhe risi në dasmat aktuale, kënga e dashurisë dje e sot, gjama si rast studimor, karnavalet – traditë e aktualitet, evoluimi i valleve në ditët e sotme.

Në sesionin e etnologjisë dhe arteve u mbajtën tema me interes aktual si riaktivizimi i mjeshtërive popullore, ripërtëritja e traditës së endjes, tradita e organizimit komunitar dhe e sotmja, arkitektura popullore si dëshmi identiteti, ndërtimet tradicionale në shërbim të turizmit kulturor, antropologjia dhe moderniteti shqiptar, mbetje të disa përfytyrimeve animistike në besimet popullore shqiptare, studimi etnologjik i qytetit – arritje dhe probleme, veshjet popullore sot,  fustanet e nusërisë në shek. XX etj. Nga fusha e arteve të aplikuara u mbajtën temat lojrat popullore, ritet dhe teatri – marrëdhënie aktive, ndikime të traditës etnografike në artet pamore, kultura postkomuniste shqiptare dhe sfidat europiane, mite dhe legjenda në dramën e sotme shqipe, rite të dasmës dhe vdekjes në artin pamor bashkëkohor, skenografia në festivalet folklorike pas viteve ’90.

Përveç temave të trajtuara në këtë veprimtari natyrisht që ka edhe shumë të tjera në të cilat ia vlen të ndalesh. Por, përveç se ato janë objekt i punës sonë të përditëshme, i botimeve individuale apo i revistave shkencore të specializuara, do ketë edhe veprimtari të tjera ku do të thuhet fjala e studiuesve të këtyre fushave me interes të gjerë.

Ju jeni femër dhe duke patur postin tuaj a mendoni se femra shqiptare e ka zënë pozicionin e duhur në shoqëri?

Të flasësh nga pozicioni im, d.m.th. ai i  një gruaje që ka një karrierë të gjatë profesionale, mësimdhënëse në institucione akademike, studiuese gjithashtu në të njëjtin nivel, drejtuese për shumë vjet e një fakulteti universitar dhe ai i drejtueses së një instituti kërkimor shkencor vitet e fundit, mendoj se pyetja juaj mund të konsiderohet retorike. Gjithashtu, duke patur fatin të punoj në ambiente shkollimi e studimi njoh edhe shumë raste zonjash të tjera, madje edhe me më shumë arritje se të miat.

Nevoja dhe dëshira për të qenë e realizuar fillon që me shkollimin, pajisjen me dije e kulturë të grave, aftësinë e tyre për të përballuar punë tepër të rëndësishme. Jam e kënaqur që shikoj shumë studente të mia universitare e post universitare që kanë etje e vullnet të pashoq për të arritur kualifikim të tyre. Është një fakt që më gëzon pa masë jo vetëm për ta, por për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, pasi gruaja, nëna është vërtet faktor tepër i rëndësishëm në emancipimin e një shoqërie që në themelin e saj.

Mendimi im është se përveç jetës personale kushtet dhe mundësitë për karrierë të kualifikuar krijohen së pari në familje. Fatmirësisht kam një familje të realizuar, që më ka mbështetur hap pas hapi dhe më ka frymëzuar për punë gjithmonë, një familje ku të gjithë, bashkëshorti, fëmijët punojnë shumë dhe për pasojë arrijnë të realizohen secili në profesionin e vet.

Mendoj se një njeri i ditur e kërkon dhe e gjen vendin e duhur në shoqëri, sidomos kur me rezultate imponon respekt. Për ta bërë këtë ka nevojë për disa kushte, të cilat shumë herë fatkeqësisht mungojnë. Ka shumë për të bërë po të gjykosh për qinda-mijëra gra që duhet të bëjnë më shumë, kanë nevojë t’u jepet besueshmëri më shumë, t’u krijohen kushte në familje e jashtë saj për të treguar vlerat që i mbajnë ndrydhur. Ndërkaq duhet që ato vetë të sakrifikojnë për t’u realizuar më shumë, duke mos u kënaqur me një pozicion inferior. Duhet bërë shumë më tepër për të realizuar pozicionin që gratë meritojnë të kenë në shoqërinë shqiptare.

Pyetje

Cili është bashkëpunimi juaj me institucione të tjera në Ballkan e në Europë?

Përgjigje

Ka disa bashkëpunime në nivel institucional me shqiptarët në vendet fqinj, me vende të rajonit e më gjerë.

Lidhjet me Kosovën janë të shumanshme e të vazhdueshme, me aktivitete të përbashkëta e duke ndjekur punët e njëri-tjetrit me institucionet homologe. Aktualisht në gusht të këtij viti do të mbajmë konferencën për Eposin e Kreshnikëve. Kjo veprimtari po përgatitet nga Qendra e Studimeve Albanologjike (veprimtari ku IAKSA ka rol parësor) dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës. Veprimtaria do të jetë në nivel ndërkombëtar. Ka projekte të shumta bashkëpunimi të departamenteve të IAKSA për veprimtari të përvitshme me punonjësit shkencorë edhe këtë vit. Është një projekt dy vjeçar, 2010-2011, për kërkime e gjurmime me karakter etnologjik e folklorik në Kosovë ndërmarrë me mbështetje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Po ashtu marrëdhëniet me universitetet e Maqedonisë janë të vazhdueshme në fushë të kumtimeve dhe botimeve. Ka studime të shumta për shqiptarët e Malit të Zi dhe të nivelit krahasues me vendet kufitare.

Është mbyllur një projekt katër vjeçar me Fonogram Arkivin e Vjenës për dixhitalizimin e Arkivit Muzikor.

Kemi pjesëmarrje me vendet e rajonit në Inisiativën Adriatik-Jon, të ndërmarrë nga Universiteti “Karlo Boo” i Urbinos në Itali, ku bashkëpunojnë për të studiuar trashëgiminë kulturore vendet e Ballkanit e më gjerë.

Studiuesit e IAKSA kanë lidhjet e tyre studimore me homologë të shumë vendeve të botës, po ashtu krijojnë marëdhënie në drejtim të doktoraturave me kotutelë me shtete të ndryshme të Europës.

Ju falenderoj për intervistën, për interesimin tuaj në drejtim të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, institucionit më të rëndësishëm shqiptar ku ruhen e studiohen vlerat e trashëgimisë sonë kulturore

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama