Dënimi i skuadrës së Skënderbeut me një vit jashtë kompeticioneve të UEFA-s pritet të favorizojë dy skuadrat e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën.
Të kuqtë kanë shanse reale që të marrin pjesë në Champions League, ndërsa Tirana në Ligën e Europës. Në një intervistë për "Panorama Sport", drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, ka folur në lidhje me dënimin e korçarëve dhe faktin që skuadra e tij është gati për të marrë pjesë në Champions.
Tomori, besoj se jeni njohur me dënimin e dhënë nga UEFA për Skënderbeun. Si e pritet këtë vendim, si drejtor i përgjithshëm i Partizanit?
Po, jemi informuar. Si qytetar i thjeshtë, si sportist, por edhe si drejtues te Partizani të them të drejtën nuk e kam pritur me gëzim, pasi ky dënim nuk është i mirë për futbollin shqiptar. Këtë vendim e konsideroj si goditje për futbollin tonë, aq më shumë kur që do të përfaqësohemi për herë të parë në Kampionatin Europian me Kombëtaren. Pra, nuk është gjë e mirë për Shqipërinë, por ky është vendim i UEFA-s. Dihet që në këtë rast u godit një nga klubet më të suksesshme të kohëve të fundit, Skënderbeu, që fitoi 6 trofe radhazi.
Tani çfarë ndodh me Partizanin, do të përfaqësoheni në Ligën e Europës, apo në Champions?
Tani presim të njihemi më specifikisht me dënimin, që i është dhënë Skënderbeut dhe masat e mëtejshme që do të marrë UEFA për pjesëmarrjen e skuadrave shqiptare në Europë për këtë sezon. Pra, fati i Partizanit do të përcaktohet saktësisht në ditët në vijim, pasi është UEFA ajo që përcakton procedurat që do të ndjekin skuadrat e tjera shqiptare në varësi të dënimit të Skënderbeut.
Partizani ka qenë i përgatitur në këtë periudhë për këtë vendim të rivalëve?
Të përgatitur kemi qenë, pasi korçarët kanë hyrë më herët në komisionet hetimore të UEFA-s. Pra kemi qenë në pritje të vendimit, që të mos ndiheshim të papërgatitur, pasi ekzistojnë mundësitë që të përfaqësohemi edhe në Ligën e Kampioneve. Dihet që është tjetër të luash në Ligën e Europës dhe tjetër në Champions, që është një veprimtari me nivel më të lartë dhe kërkon përgatitje ndryshe.
Nëse deri më sot merkato ka qenë e fokusuar te përfaqësimi në Ligën e Europës, i bie që tani të mendoni për afrime të një niveli më cilësor, pasi ekziston mundësia të luani në Champions?
Pa dyshim, pasi edhe vështirësia e Champions-it është më e madhe. Në ditët në vazhdim do të punojmë në të gjitha aspektet që të jemi të përgatitur edhe për Ligën e Kampioneve, nëse do të na jepet mundësia.
Keni piketuar lojtarë dhe nëse po mund të na thoni ndonjë?
Sigurisht që kemi piketuar. Edhe trajneri do të jetë më i qartë në planin e punës që do të ndjekë. Trajneri e njeh më mirë ekipin dhe lojtarët, pasi ka parë video të ndeshjeve të ndryshme të ekipit. Trajneri do të ketë edhe ndihmesën tonë, pasi stafi teknik mbetet po ai, nuk ka asnjë ndryshim, përveç trajnerit. Kështu, të gjithë së bashku si staf i vjetër do t'i japim më shumë afrimitet trajnerit të ri, që ta kontrollojë më mirë ekipin dhe të vendosë pikat mbi "i" që Partizani të ecë përpara.
Ju përmendni trajnerin, por zyrtarisht klubi ende nuk e ka bërë të ditur se kush do të jetë "timonieri" i ri i Partizanit?
Zyrtarisht do të prezantohet në ditët në vijim, por them se nuk ka ndonjë të fshehtë, pasi ju e keni pasqyruar në "Panorama Sport" se kush do të jetë. Kështu që po punojmë të gjithë që të formojmë një Partizan sa më konkurrues dhe të suksesshëm.
Përgatitjet keni planifikuar që t'i kryeni në Itali. Me ndryshimin e pjesëmarrjes në Europë, mund të ndryshojë plani i punës?
Jo, jo, do të vijojmë me përgatitjet që i kishim planifikuar më parë. Ndryshimi ka të bëjë vetëm me kohëzgjatjen e përgatitjeve, pasi tani do të kemi më shumë kohë në dispozicion. Nëse luajmë në Champions, kemi edhe 12 ditë kohë më shumë që të përgatitemi.
Tani ju mund të merrni lojtarë cilësorë nga Skënderbeu. Keni nisur kontaktet me ndonjërin prej tyre që të jetë pjesë e Partizanit?
Sigurisht që çdo lojtar i mirë na bën punë, këta mund të jenë të Skënderbeut apo të ndonjë ekipi tjetër. Kështu që në ditët në vijim do të jemi më konkretë në lëvizjet tona për përforcimin e grupit.
ILIR CARA