Ish-trajneri Sulejman Starova, që aktualisht ushtron detyrën e këshilltarit të presidentit Demi, ka qenë një nga personat që e ka festuar më së shumti golin e Vilës nga tribuna VIP e stadiumit të Korçës.
Sipas "Bobit", gëzimi është legjitim dhe me fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, u vërtetua që Partizani e meriton të jetë kampionia e këtij edicioni në Superiore.
Në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", Starova pohoi se titulli i "demave" varet nga Flamurtari, pasi ata e kanë në dorë vetëm fitoren ndaj Teutës.
Kështu, në mënyrë që titulli të jetë i Partizanit, kërkohet trepikëshi ndaj durrsakëve, si dhe Skënderbeu të mos fitojë në Vlorë. Të kuqtë i favorizon e shkuara e dy klubeve që janë përplasur për titullin e sezonit 2010-2011.
Profesor, pas fitores me Skënderbeun, si i shikoni shanset dhe probabilitetin e Partizanit për të dalë kampion, kur ka mbetur për t'u luajtur edhe një javë?
Nuk duhen shumë llogari që Partizani të shpallet kampion. Të gjithë e dinë që titulli të jetë i yni duhet që Partizani të fitojë me Teutën dhe Skënderbeu të mos fitojë në Vlorë.
Në dallim nga një javë më parë, tani morali është më i lartë dhe në këtë aspekt a duket më i favorizuar Partizani, ndonëse ndodheni dy pikë prapa korçarëve?
Titulli nuk është në dorën tonë. Në dorën e Partizanit është që të fitojë ndaj Teutës. Gjithçka është në dorë të Flamurtarit, prandaj kërkohet që fati të jetë me ne në këtë rast.
Pra, shpresoni që Flamurtari të luajë për veten dhe për Partizanin?
Atë nuk e di unë. Di që ne jemi në dorë të Flamurtarit dhe po e bëri, sigurisht që ne na bën nder dhe titullin ia jep skuadrës që e meriton këtë kampionat.
Në Korçë u pa një Partizan i rreshtuar si në pjesën e parë kur ju ishit në drejtim, me Trashin në qendër dhe Kalarin në të majtë. Mendoni se këto ndryshime ndikuan në fitoren ndaj Skënderbeut?
Ekipi në përgjithësi ka luajtur shumë mirë në Korçë. Trashi ka luajtur gjithë kohës me Bathën në qendër të mesfushës në dy fazat e para, si dhe Kalari në krahun e majtë. Pra, ishte një rreshtim i natyrshëm i skuadrës. Në përgjithësi, Partizani ka bërë një kampionat shumë të mirë dhe meriton të dalë kampion, por kemi rënë në dorë të Vlorës. Kemi avantazhet tona në këtë javë, pasi Flamurtari ka një histori të vjetër me Skënderbeun, ku kanë luftuar për një titull kampion. Kështu që ata kanë mundësi dhe motiv për të luftuar në këtë takim.
Jeni trajneri i fundit që e keni shpallur kampion Partizanin, në sezonin 1992- 1993. Sipas jush, ekipi aktual mund të përsërisë të mërkurën atë sukses të para 23 viteve?
Po e them edhe një herë që Partizani është në dorë të Flamurtarit dhe po na e bënë vlonjatët këtë të mirë, me meritë bëhemi skuadra që e meriton të shpallemi kampionë.
Në Korçë ju kemi parë juve dhe drejtuesit e tjerë që e keni festuar shumë golin e Vilës në fund...
Gëzimi është legjitim dhe duke qenë pjesë e Partizanit, ndajmë anët pozitive dhe negative të skuadrës.
Keni gabuar shumë dhe humbja me Bylisin bëri që titullin ta luftoni deri në fund. A do të ishte më mirë që sfida direkte me Skënderbeun të ishte vendimtare për përcaktimin e titullit?
Kështu kanë bërë edhe të tjerët para nesh. Ka gabuar Skënderbeu, kështu i ka ndodhur edhe Barcelonës apo Realit të Madridit. Pra janë situata të ngjashme që ndodhin në futboll.
Ndonëse ekipi udhëtoi drejt Korçës me minus 5 pikë dhe moral të ulët, tifozët sërish nuk ju lanë vetëm, por dhanë spektaklin e radhës. A duhet shpërblyer kjo sakrificë e tyre me titullin kampion?
Ata e meritojnë 100%, por besoj edhe të tjerët që e ndjekin Partizanin nga televizori e meritojnë që të shpërblehen me titullin kampion në fund të sezonit. Partizanit i shkon që të shpallet kampion këtë radhë.
Ndaj Teutës vini me tri mungesa të rëndësishme, Kalari, Atanda dhe Trashi. Mund të themi se ka emergjencë në mbrojtje për këtë takim?
Realisht mungesat janë serioze, por do të mundohemi që t'i zëvendësojmë deri ditën e ndeshjes, pasi kemi lojtarë në dispozicion.
A është koha që Ditmar Bicajt t'i hiqet pezullimi i vënë pas derbit?
Do të mblidhemi për këtë gjë dhe do të shikojmë se çfarë do të vendosim në fund.
Sa shanse ka Bicaj që të jetë ndaj Teutës?
Pse jo? Edhe Bicaj mund të jetë i gatshëm për këtë takim.
ILIR CARA