ISHP Rreth 40 e te moshuarve me depresion

ISHP: Rreth 40% e te moshuarve, me depresion
Rreth 40% e personave të moshës 65-75 vjeç në vendin tonë vuajnë nga depresioni, ndërsa më të prekura janë femrat. Të dhënat i përkasin një studimi të realizuar për herë të parë nga Instituti i Shëndetit Publik mbi sëmundshmërinë dhe mobilitetin e të moshuarve. Sipas studimit, dalja në pension, braktisja nga fëmijët apo dhe mungesa e aktivitetit fizik janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë lloj çrregullimi mendor.

"Në Shqipëri kemi identifikuar pothuajse 40 për qind persona që kanë probleme me depresionin. Mund të jenë shkaqe të lidhura me sëmundje kronike më të shpeshta në këtë territor, por mund të jenë të lidhura edhe me probleme socio-ekonomike. Një nga teoritë që po eksplorojmë është e lidhur edhe me daljen në presion dhe mungesën e punësimit pas moshës 65 vjeç", - shpjegojnë specialistët, të cilët kanë realizuar edhe studimin. Gjithashtu, është vënë re se pjesa më e madhe e personave që shfaqin shenja depresioni, pasi janë pyetur për mënyrën sesi e kanë kaluar fëmijërinë nga 0 deri në 15 vjeç, kanë raportuar jetë shumë të vështirë.

"Kemi eksploruar edhe lidhjen e depresionit dhe mobilitetit me vështirësitë e jetës në 15 vitet e para. Në Shqipëri risku për të pasur një depresion tek një person që ka kaluar fëmijëri të vështirë është pesë herë më i lartë krahasuar me atë që ka kaluar një fëmijëri normale. Me fëmijëri të vështirë kemi parasysh probleme të lidhura me punësimin e prindërve, me punë të vështira, uri, arsimimin e keq, abuzimin fizik, eksperienca të lidhura me të e të tjera si këto", - shpjeguan specialistët.

Sa i përket mentalitetit, më të prekurit në vendin tonë janë ata të moshuar të cilët nuk jetojnë me fëmijët e tyre. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën metodologji si ky studim është realizuar dhe në dy qytete të Kanadasë dhe në dy të Amerikës Latine. Në krahasim me këto vende, numri i të moshuarve të prekur nga depresioni është pothuajse 4 herë më i lartë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama