ISIS-i do te hedhe ne Mesdhe qindra varka me emigrante

ISIS-i do te hedhe ne Mesdhe qindra varka me emigrante

Sulmi më i ri që ISIS-i po planifikon të godasë Europën do të jenë qindra barka me rreth 500 mijë emigrantë që do të hedhë në ujërat e detit Mesdhe.

Mediat italiane raportojnë sot se autoritetet italiane kanë zbuluar transkripte të disa telefonatave të përgjuara, sipas të cilave ISIS po kërcënon të dërgojë 500 mijë emigrantë njëkohësisht në det të hapur përmes qindra barkave, me atë që mund të konsiderohet si “armë psikologjike” kundër Europës, nëse do të ndërhyhet ushtarakisht ndaj tyre në Libi.

Gjithnjë sipas këtij plani, nëse ekziston, shumë prej “emigrantëve” do të viheshin në rrezik për t’u mbytur, pasi shërbimet e kërkim-shpëtimit të Europës do ta kishin të pamundur të përballeshin me këtë fluks të rrezikuarish.

Por ky nuk është i vetmi problem. Autoritet italiane i frikësohen faktit se në mesin e atyre emigrantëve që do të shpëtohen mund të futen terroristë e më pas të shpërndahen në Europë për të shkaktuar trazirë e kryer sulme terroriste.

Sipas “Telegraph”, militantët shpresojnë të marrin plotësisht kontrollin në Libi, e përmes saj edhe në detin Mesdhe dhe kjo do të arrihet duke u maskuar si refugjatë, sipas letrave të para nga grupi antiterror “Quilliam”.

Ministri italian i Brendshëm, Angelino Alfano, tha gjatë së hënës se Libia ishte “prioriteti absolut” dhe këmbënguli se nuk duhet humbur asnjë minutë nga komuniteti ndërkombëtar për të ndërhyrë.

“Nëse milicitë e kalifatit do të avanconin më me shpejtësi sesa vendimi i komunitetit ndërkombëtar, atëherë si mund ta shuajmë zjarrin në Libi dhe të ndalim fluksin e emigrantëve? Jemi përballë një rreziku të një eksodi të paprecedent”, tha ai.

Më shumë se 170 mijë emigrantë kanë mbërritur me varka në Itali gjatë vitit të kaluar. Që prej të premtes së kaluar, rreth 4 mijë janë shpëtuar.

Përhapja e militantizmit në Libi ka qenë e parashikuar edhe nga lideri i ekzekutuar i vendit, Muammar Gaddafi, i cili paralajmëroi se Mesdheu do të bëhej “deti i kaosit”. ISIS ende nuk kishte arritur rezultate të frikshme dhe nuk kishte depërtuar në Libi, kur Gaddafi bëri këtë profeci gjatë intervistës së tij të fundit në mars të vitit 2011.

Por, trazirat e “pranverës arabe” të atij viti shkaktuan një luftë civile në Libi dhe forcat opozitare të mbështetura nga NATO rrëzuan Gaddafin në një grusht shteti të dhunshëm, vetëm 5 muaj pas parashikimit të tij ogurzi.

Në tetor 2011, forcat besnike të qeverisë së tranzicionit në vend gjetën liderin e rrëzuar të fshehur në një kanal nën rrugë në Sirte dhe e vranë atë. 4 vjet më pas, Shteti Islamik mori peng 21 egjiptianë të krishterë, kopt, në Sirte (vendlindjen e Gaddafit) përpara sesa të lëshonin disa pamje të frikshme të ekzekutimit të tyre me prerje koke në brigjet e Mesdheut, vetëm 220 milje në jug të Italisë. Në atë video, terroristët paralajmëruan se ata “do të pushtonin edhe Romën”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama