Është e njohur periudha e krijimtarisë rugoviane para angazhimeve në fushën politike. Rugova është dritues në botën akademike, nga ku ndriçojnë më shumë se 10 vepra të tij. Veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës ‘Gjurmime albanologjike’ të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Kështu, logu i mendjes do të ishte magjia ku do të brumosej rezistenca mbarëpopullore. Prandaj e gjithë etapa e qëndresës rugoviste do të ishte e butë, pa gjak, dhe me mendje të kthjellët. Dr. Rugova e shndërroi në një periudhë të shpejtë orientimin e Shoqatës së Shkrimtarëve në drejtimin politik, duke shpallur më 23 dhjetor 1989 Lidhjen Demokratike të Kosovës si forca e vetme politike për të organizuar rezistencën paqësore, me synimin e qartë: deri në fitoren përfundimtare. Qysh nga themelimi zgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, në qasje jo të dhunshme shqiptarët e Kosovës e shpallën pavarësinë në vitin 1990 dhe në vitin 1992 Dr. Ibrahim Rugova u shpall President i vendit.
Për të sfiduar pushtetin e regjimit okupues komunist serb, eksperimentoi për herë të parë ngritjen e strukturave paralele të qeverisë, në drejtim të kujdesit shëndetësor dhe arsimin si pjesa më e prekshme dhe më dobiprurëse për masat popullore. Inicioi hapjen e klasave e më pas të shkollave në mbarë vendin. Formon qeverinë, e cila në pjesën e saj dërrmuese ka si objekt punën me shqiptarët në Gjermani, Zvicër, Shqipëri dhe Maqedoni, duke fituar mbështetje të gjerë në mesin e shqiptarëve etnikë, por edhe duke mbledhur financat e nevojshme për të mbështetur arsimimin dhe kujdesin shëndetësor si dhe të tjera shërbime që po ravijëzoheshin me shpejtësi.
Si njeri vizionar, kishte një ëndërr të rrënjosur thellë, një qëllim për të krijuar Kosovën, një shtet demokratik, sovran dhe të pavarur nga Serbia. U cilësua nga politikanët në zë të kohës si “Gandi i Ballkanit”, sepse kërkoi të arrinte në një zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës duke u mbështetur në programin e një rezistence pasive.
Me qëndrimet e tij, Dr. Rugova ka shërbyer si avokati më i mirë i shqiptarëve të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave civile në arenën ndërkombëtare. Duke dhënë intervista të shumta në mediat ndërkombëtare, kërkonte mbështetjen e huaj për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës.
Nuk kishte se si të mos predikonte politikat e pacifizmit njeriu që erdhi nga bota e letërsisë dhe artit, njeriu i brumosur nga kjo botë e magjishme. Lideri fliste gjithmonë me zë të ulët, të qetë dhe të ngrohtë. Masat popullore në mbarë Kosovën, të shtypura sidomos në shekullin e njëzetë, u bashkuan me një dashuri e mirëbesim ndaj liderit Rugova dhe e deshën, e respektuan dhe gati e mistifikuan figurën gjithsesi të madhe të Dr. Rugovës. Shalli i mëndafshtë i tij u bë proverbial.