Identifikohen eshtrat e heroit tonë kombëtar Isa Boletini. Pas analizave të kryera nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, me ndihmën e ekspertëve të EULEX-it, rezultoi se eshtrat e sjella në Kosovë nga Mali i Zi, në vitin 1998, janë të heroit.
Raporti u prezantua gjatë takimit të ministrit kosovar të Kulturës, Memli Krasniqi, me familjarët e heroit kombëtar Isa Boletini dhe zyrtarë të tjerë.
Sipas raportit të hartuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, nga 8 mbetje kockore të sjella nga Mali i Zi, u vërtetua se një prej tyre janë të Isa Boletinit, ndërsa një palë tjetër janë të Jonuz Ahmet Boletinit. Ndërkohë, nuk është zbuluar identiteti i 6 mbetjeve të tjera kockore.
Ministri Krasniqi, tha se në takim u bisedua për fazën tjetër të punës, që është përgatitja e ceremonisë së rivarrimit të heroit Isa Boletini.
“Duke e ditur simbolikën dhe si kërkesë e familjarëve të Isa Boletinit, është vendosur që ceremonia të mbahet më 28 nëntor 2014. Për këtë ceremoni do ketë bashkëveprime dhe me institucionet shqiptare”, deklaroi ministri Krasniqi.
Përfaqësuesi i familjes së heroit, Gazmend Boletini falënderoi për përkushtimin e treguar në gjithë këtë proces, ndërsa theksoi angazhimin e plotë për ceremoninë e rivarrimit.