Pas thashethemeve që kanë qarkulluar në internet, Bledar Sejko ka reaguar në rrjetin social “Facebook”. Pasi falënderon të gjithë ata persona që e kanë uruar, ai shprehet tepër i lumtur që pas shumë vitesh kontributi në muzikë vlerësohet për herë të parë me çmim të parë.
“Pjesëmarrja ime si konkurrent në festivalin e madh për herë të fundit ka qenë në 1992 me Thunder Ëay “Legjenda e Heroit” ku na vlerësuan me vendin e fundit. Mendoj se i detyrohem dhe asaj pjese të publikut që nuk ka pëlqyer këngën ose që mendon se unë atë e kam vjedhur që të bëj disa sqarime, jo për të vendosur nderin tim në vend si muzikant, por sepse mendoj që puna nuk mbaroi me Festivalin, pasi tani na pret edhe një betejë tjetër, Eurosongu ku do na duhet ndihma e të gjithë shqiptarëve dhe këto publikime nuk i bëjnë mirë këtij qëllimi të përbashkët. Për këtë më duhet të them: 1) Për motivet e këngës jam mbështetur në folklorin shqiptar dhe më saktësisht në atë të valleve të Tropojës, të valleve Çame dhe disa krahinave të Jugut, gjë që duket qartë nga prezenca e lodrave (daulleve), çiftelisë zëvendësuar me kitarën, isos së jugut zëvendësuar me sektorin e violinave, dhe thirrjet e veriut “hej” përshtatur për korin.
2) Kam dëgjuar këngën serbe, të cilën disa shqiptarë po publikojnë ‘Plavi safir’ 1988 dhe ju them nga njohuritë e mia si kompozitor që kënga ka një intro, një strofë, një bridge, një refren dhe një mbyllje. Kënga ime nuk ka asnjë nga këto komponentë të ngjashme me këtë këngë përveç 3 notave të intros, të cilat me kombinim përsërisin njëra-tjetrën ose më saktë këta shqipetarë duhet më mirë të thonin që kompozitori serb ka vjedhur 3 notat e para të këngës “Kur bie fyelli çiftelia” të kënduar nga këngëtarja jonë e madhe Vaçe Zela .
Ju falenderoj pafund të gjithëve për mbështetjen dhe uroj ta kemi nga të gjithë Shqiptarët nëpër botë këtë mbështetje në mënyrë që vendi ynë, edhe pse i vogël, të përfaqësohet sa më denjësisht në Eurosong. Ju uroj t`ja kaloni sa më mirë festat, shëndet e mbarësi!”, shkruan Sejko.