I. Ajeti është ndër lisat e lartë të kulturës dhe të fisnikërisë shqiptare. Dijetar i rysur, kërkues dhe mbrojtës i palodhur e i paepur i së vërtetës shkencore, prijatar në shumë fusha të albanologjisë, frymëzues dhe prind shpirtëror i nxënësve e studentëve të tij të shumtë, mik i dashur i zemrës i kolegëve e i bashkëpunëtorëve. Rrallëkush i ka dhënë aq shumë kombit dhe vendit të vet. Rrallëkush u ka vënë shpatullat dhe gjoksin burrërisht punëve të mëdha për çështjen kombëtare, për kulturën shqiptare e për gjuhën shqipe si Idriz Ajeti. Emri i tij është i pandarë nga zhvillimi i arsimit dhe i shkencës në Kosovë. Në themelimin e Universitetit të Prishtinës dhe të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, roli dhe ndihmesa shkencore e organizative e Idriz Ajetit janë të pazëvendësueshme.
Idriz Ajeti lindi më 26 qershor 1917 në Tupallë të Medvegjës (Kosova Lindore). Ndoqi studimet e larta për gjuhësi në Zagreb e më pas në Padovë pranë albanologut Carlo Tagliavini; u diplomua për romanistikë në Beograd (1949), ku u specializua në albanologji pranë albanologut Henrik Bariç. Punoi si profesor i gjuhës e i letërsisë shqipe në gjimnazin e Prishtinës (1949-1953), dha mësim në Seminarin e gjuhës shqipe të Universitetit të Beogradit (1953-1960), ku mbrojti doktoratën për zhvillimin historik të së folmes së fshatit shqiptar Arbënesh pranë Zarës (Kroaci). Drejtoi për 20 vjet katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës që nga themelimi i saj më 1960. Si rektor i Universitetit të Prishtinës themeloi më 1974 Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili zhvillohet për vit në muajin gusht. Seminari i Prishtinës u bë shpejt një vatër joshëse për formimin e albanologëve të rinj nga e gjithë bota dhe qendër takimesh shkencore ndërkombëtare.
Ai vetë e kujton me emocion këtë ngjarje madhore: “Në vitin 1974, kur po zinim të vinim në jetë idetë dhe nismën rreth organizimit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zemrat tona mbusheshin me ndjenja gëzimi, në një anë, e, në anën tjetër, na shqetësonte një ndjenjë tjetër. A do t’i dilnim në krye asaj pune aq fisnike dhe dobiprurëse në përparimin e shkencave albanologjike? Në ato çaste shqetësimesh dhe pasigurie ne asnjëherë nuk na ka lëshuar zemra, duke pasur besim të ngulët në traditën dhe në dashurinë që punonjësit e shkencave albanologjike dhe të botës së jashtme kanë ushqyer për degë të ndryshme albanologjike”. I tillë është Idriz Ajeti. Për punët që ka kryer, i ka rrahur zemra fort.
Fushat kryesore të studimeve shkencore të I. Ajetit janë: dialektologjia historike dhe e sotme, historia e gjuhës shqipe, fonetika e morfologjia historike, etimologjia, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët sllave fqinje, historia e shqipes letrare dhe kultura e gjuhës, së cilës do t’i kushtojë vëmendje të veçantë. Ai ka dhënë ndihmesa të çmuara për të ndriçuar më mirë një radhë problemesh të gjuhës shqipe. I. Ajeti ka qenë figurë qendrore në veprimtaritë për normimin e shqipes letrare në Kosovë (1952, 1957, 1963). Ai ishte tribuni i Konsultës gjuhësore të Prishtinës në prill 1968.
Në referatin e tij “Rruga e njësimit të shqipes letrare” shtjelloi ecurinë e zhvillimit konvergjent të shqipes letrare dhe për aq sa i lejohej në rrethanat e atëhershme, e çoi diskutimin në pikën që bënte të mundshme njësimin e normës letrare mbi bazën e projektit të drejtshkrimit të botuar në Tiranë një vit më parë. Pjesën tjetër të punës e plotësuan diskutuesit e shumtë dhe studentët entuziastë të Universitetit të Prishtinës, që treguan së bashku përgjegjësi kombëtare dhe ndjenjë të lartë emancipimi intelektual. Ata zgjodhën rrugën e bashkimit gjuhësor me shtetin amë, si parathënie e bashkimeve e integrimeve të mëpastajme, si parathënie e kërkesave të mëtejshme e të pandalshme, që sollën shpërthimin e qëndresës së armatosur dhe çlirimin e Kosovës e më tej ngritjen e statusit të shqiptarëve e të gjuhës shqipe në Maqedoni. Ata u kthyen shpinën mendësive krahinore e veçuese, sedrës së sëmurë krahinore dhe u thanë JO! me vendosmëri synimeve për t’i ndarë edhe gjuhësisht nga bashkëkombësit në Shqipëri.
Roli dhe kontributi i I. Ajetit në organizimin dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit 40 vjet më parë kanë qenë me rëndësi themelore. Siç ka theksuar me të drejtë akademiku Shaban Demiraj, “Pa ndihmesën e madhe të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë nuk do të kishte qenë e mundur të realizohej vendimi historik i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972 për një gjuhë letrare të përbashkët. Dhe për të qenë më të saktë, duhet ripohuar se një vendim i tillë de facto ishte marrë katër vjet më parë në Konsultën historike të Prishtinës në vitin 1968, kur falë qëndrimit të patundur të prof. I. Ajetit dhe të shumë intelektualëve të tjerë nga Kosova dhe vise të tjera të ish-Jugosllavisë, u vendos që të përdorej dhe atje po ajo gjuhë letrare, që do të përdorej në shtetin amë.
Dhe të gjithë ne e njohim qëndrimin e palëkundur të prof. I. Ajetit dhe intelektualëve të tjerë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia etj. për ta mbrojtur e për ta zhvilluar më tej këtë gjuhë letrare të përbashkët, që është, besoj, arritja më e madhe e kombit shqiptar në këtë gjysmë shekulli, sepse në këtë mënyrë u bë e mundur të afirmohej edhe një herë uniteti kombëtar dhe kulturor i gjithë shqiptarëve përkëtej dhe përtej kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë”. Është e habitshme që ndonjë dëshmitar i heshtur nga salla e asaj ngjarjeje historike në Prishtinë nuk ka arritur ta kuptojë ende atë vizion emancipues e atë vetëdije kombëtare të profesorëve e të shokëve të tij dhe e bren ende mëdyshja: ka qenë apo s’ka qenë “dora e agjentëve të regjimit të Tiranës” në atë Konsultë!
Përpjekjet absurde për ta paraqitur shqipen e sotme standarde si diçka “të importuar” (kur Kosova mund të kishte të vetën!), për ta nxjerrë “me biografi të keqe”, për ta përbaltur me dyshime të atilla përqafimin e saj nga mbarë shqiptarët në ish-Jugosllavi në prill 1968, mjerisht janë shtrirë edhe në mjedise ku duhej të zotëronin bindje e parime të tjera. Në fjalën zyrtare në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për 90-vjetorin e akad.
Idriz Ajetit vepra prijëse, themelvënëse dhe frymëzuese e tij për gjuhën letrare shqipe në tërësi dhe veçanërisht në Kosovë zë diç më pak vend sesa vlerësimi i një studimi të tij për gjuhën e ‘Vehbijes’ së Tahir Efendi Boshnjakut (1835). Referuesi zyrtar e ndrydh kështu veprën madhore të Idriz Ajetit në këtë fushë: ”Idriz Ajeti nuk mund të mbetej anash rrymimeve dhe përpjekjeve të gjithëmbarshme shqiptare për formimin e një gjuhe të përbashkët standarde.
Ajeti ishte pjesëmarrës i të gjitha ndërmarrjeve në fushën e normimit të shqipes letrare në Kosovë: në Mbledhjen Gjuhësore të vitit 1952, në mbledhjen e vitit 1957, në Mbledhjen e vitit 1963, e cila rezultoi me një ortografi me vlerë për kohën dhe në Konsultën Gjuhësore të vitit 1968, e cila, jo vetëm me faktin se kjo pjesë e botës shqiptare po integrohej në rrjedhat gjithëshqiptare të planifikimit gjuhësor, do të bëhet një nga ngjarjet vendimtare në zhvillimet e mëtejme lidhur me gjuhën letrare shqipe.” Shprehja “nuk mund të mbetej anash” nuk është thjesht një mënyrë të thëni, po dëshmon një gjykim të peshuar mirë dhe do të thotë se I. Ajetin e mori rryma, nuk mundi të mbetej anash, se ai vetë nuk paska pasur ndonjë mendim shkencor ose aspiratë kombëtare në këtë fushë. Referuesi ndalet te përmendja e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (prill 1968) dhe as që i bëhet ta zërë në gojë Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor 1972), për organizimin dhe mbarëvajtjen e të cilit I. Ajeti dha një ndihmesë të shquar e të pazëvendësueshme. Zyrtarët e sotëm të ASHAK-ut nuk e kanë njohur punën, Rezolutën dhe veprën e këtij Kongresi mbarëkombëtar, por kanë lëvizur e lëvizin gur pas guri që ato të mbeten “vetëm si një moment” e jo si një bazament në historinë e gjuhës letrare e të kulturës shqiptare, ashtu siç janë në të vërtetë.
I. Ajeti gjithnjë është pritur me dashuri e nderim në institucionet dhe mjediset shkencore në Shqipëri. Ai nuk është marrë me kornizat politike-ideologjike që kanë shoqëruar ngjarjet e mëdha shkencore të përbashkëta, po me thelbin kombëtar të tyre. Fjala e I. Ajetit në konferencën e organizuar në vitin 1997 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 80-vjetorit dhe të dekorimit me Urdhrin “Naim Frashëri” të artë, titullohet “Për frymën shkencore objektive”. Kjo fjalë tingëllon edhe si një testament shkencor e atdhetar.
Ndër të tjera ai tha: “Akademitë shkencore tonat do të përqendrohen në gjurmimin, hetimin dhe studimin e trashëgimisë lëndore, mendore dhe morale të botës shqiptare duke krijuar mendimin shkencor shqiptar, i cili bëhet mbështesë e sigurt për mendimin politik, që ky të përvijojë rrugën në të cilën do të ecë sa më lehtë e pa lëkundje të mëdha…. Mesazhi ynë për kërkimtarin, studiuesin e ri shqiptar është: duhet të ecë në mënyrë të paanshme, duke u shquar për frymën shkencore objektive”. Ndryshe kishte vepruar e vepronte Akademia Serbe e Shkencave, që kishte ngritur një këshill ndërakademik të përhershëm për studime të Kosovës, i cili i kishte vënë vetes për detyrë të hidhte poshtë me çdo kusht etnogjenezën ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Autorëve të librit “Iliri i Albanci” (“Ilirët dhe Shqiptarët”), të botuar nga ajo Akademi më 1988, I. Ajeti u thoshte hapur se “u ka munguar fryma objektive shkencore, ata për fat të keq të tyre dhe të shkencës nacionale ishin mbrehur në zgjedhën e një propagande të papajtueshme me metodologjinë shkencore.”
Një autor serb i pranishëm në atë botim akademik arrinte të pohonte se shqiptarët dhe gjuha e tyre dalkan si “pjellë kompromisesh të filologëve shqiptarë që kishin marrë dorë të mirë ndër shkolla gjermane” (!). Me çiltërsinë e karakterit dhe me objektivitetin e tij shkencor të skalitur, I. Ajeti do të shprehej për këtë: “Njeriu mbetet pa mend përpara urrejtjes që ndryn në vetvete një shkencëtar ndaj trashëgimisë së kulturës dhe gjuhës, do të thoshim edhe ndaj qenies së popullit tjetër, popullit shqiptar.” Dihet mirëfilli, se pseudoshkenca serbe është rropatur “të provojë” se shqiptarët jo vetëm në Kosovë, po edhe më gjerë qenkan ardhacakë dhe prandaj mund të qëndronin në Kosovë vetëm falë “bujarisë” serbe si shtetas të bindur të Serbisë. Përndryshe përzënia e tyre nga vatrat stërgjyshore ishte e përligjur me argumente shkencore historike!
Me theks të veçantë I. Ajeti trajtoi në këtë fjalë edhe detyrat e gjuhësisë e të shoqërisë shqiptare për gjuhën standarde, veçanërisht në Kosovë. “Gjysmëbota shqiptare e andejshme, – tha ai, – sot për sot nuk ka punë e detyra më të ngutshme e që janë të përditshme, se ç’është kultura e gjuhës, d.m.th. gjithçka përqendron gjuha letrare shqipe. Pozita e asaj gjysmëbote shqiptare në viset më të skajshme të saj, e përzier me popuj, gjuhë e kultura të tjera, shtron para saj detyra e probleme të karakterit shkencor, kulturor e kombëtar e është gjuhësia shqiptare ajo që duhet të kujdeset për jetësimin e tyre…
Brezat e rinj që po vijnë për të marrë në dorë të sigurt realizimin e punës së mbetur, do ta kryejnë atë duke treguar përgjegjësi të ndërgjegjshme. Studimi i mëtejmë, përsosja dhe zbatimi i gjuhës së njësuar shqipe mbeten ndër detyrat parësore të tyre, regjistrimi i visarit leksikor ndër dialekte e të folme, vjelja e tij nga literatura e botuar, janë gjithashtu ndër punët e mëdha për t’u kryer.” I. Ajeti ka kërkuar ngritjen e kulturës gjuhësore jo përmes të ashtuquajturit “liberalizim” të normës letrare, d.m.th. zbritjen e saj në rrafshin e ligjërimit të shëtitoreve e të çajtoreve, po përmes arsimimit më të mirë, përmes një veprimtarie më të dendur e të gjithanshme të gjuhësisë e të institucioneve.
Veprimtaria e tij në këtë fushë është shembullore si për gjerësinë e problemeve, ashtu dhe për frymën ndërtuese. Në një rast tjetër ai ka theksuar që mësimi i gjuhës të mos kufizohet vetëm në rregullat e normës letrare, por të lidhet ngushtë me letërsinë: “Letërsia e traditës dhe ajo e pasluftës e shkruar në gegërishte, si dhe letërsia popullore në të folmet e ndryshme gege, janë pjesë e pandashme e kulturës sonë kombëtare. Këto vlera nuk mund të shijohen pa një edukim gjuhësor të përshtatshëm. Duam të dihet e të mos harrohet se aq sa prej krijuesve kërkohet të zbatojnë normën e gjuhës standarde, po aq ata do të jenë të lirë të shkruajnë në variantet e mëhershme ose në të folmen amtare; kjo varet natyrisht nga synimi artistik, i krijimit, nga kuptimi që ka krijuesi për përgjegjësinë kulturore të tij.”
I. Ajeti është nga ata burra që u ka peshë fjala, është nga ata dijetarë që i hedhin hapat me kujdes e nuk shkelin në truall të pasigurt, që nuk janë prekur nga egoizmi, as nga mania për të tjerrë elukubracione, për të sajuar doemos teza vetjake, nga ato që nuk qëndrojnë dot më këmbë. Ai ka shkruar gjithnjë thjesht e qartë dhe me fuqi bindëse, si dijetar i vërtetë. Prandaj veprat e tij shkencore kanë sjellë pasurim e përparim cilësor në studimet për gjuhën shqipe dhe në disa aspekte edhe në ballkanologji. I. Ajeti është një përmendore e gjallë e fisnikërisë së shpirtit, e burrërisë dhe e mençurisë së kombit shqiptar. Jubileu i tij tepër i veçantë na jep një rast të ri për t’i shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë për veprimtarinë e tij të palodhur e të dendur dhe për rrezatimin e saj këndellës në botën intelektuale shqiptare. Jubileu i tij është njëkohësisht edhe një rast tjetër për të njohur vlerat e vërteta e të pavdekshme të njeriut e të dijetarit, për të ndjekur shembullin e tij, për ta gjetur frymëzimin e punës dhe përkushtimin e krijimit tek ato gurra të pastra që frymëzuan dhe ushqyen veprën madhështore të Idriz Ajetit.
I dashur profesor Ajeti! Nxënësit e dashamirët e tu të panumërt, ata që ju kanë ndjekur në rrugën e shkencës e të dinjitetit njerëzor e kombëtar, mbarë bota shkencore dhe inteligjencia shqiptare urojnë me shpirt e me zemër të jeni siç jeni sot edhe pas pesë vjetësh, në festën e madhe të 100-vjetorit tuaj! Qëndroni i fortë, nën përkujdesjen e përhershme të Orës suaj Mbrojtëse, që jua ka sjellë pranë Zoti e Fati!