Pas fotos ekskluzive të "Panorama Sport", ku sulmuesi Danilo Alvesh u kap "mat" në kompleksin e Skënderbeut në Durrës, reagon ashpër administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.
Në linjë telefonike nga Turqia ku gjendet për arsye pune, ai tha se ka dërguar në Prokurori një kallëzim penal për brazilianin dhe menaxherët e tij. Idrizi i bën thirrje organit të Akuzës të zbardhë ngjarjen dhe të verifikojë të gjitha kamerat për lëvizjet e lojtarit, ndërsa dyshon se ndeshja e fundit Flamurtari-Skënderbeu ka njollosur kampionatin shqiptar.
"E pashë foton e publikuar në gazetën tuaj dhe në ato momente nuk është se pata ndonjë ndjesi të veçantë, megjithatë më ndihmoi që të theksoja më shumë dyshimet që kisha.
Në këtë moment që ne po flasim së bashku (ora 15:30 e ditës së djeshme), përfaqësues të klubit po bëjnë kallëzimin penal në Prokurori për Danilo Alvesh dhe grupin e menaxherëve të tij. Mund të them se pas kësaj që pamë, ne kemi dyshimet tona për ndeshjen e fundit të kampionatit që Flamurtari luajti me Skënderbeun.
Tani e ka radhën Prokuroria që të faktojë dyshimet tona dhe të hetojë për këtë çështje, nëse është njollosur apo jo kampionati shqiptar në ndeshjen e fundit të tij. Me sa duket, alibia se lojtari paska qenë i dëmtuar nuk qëndron. Duket se Alvesh ka qenë i mërzitur.
Por unë pyes, përse?! Patjetër që unë kam dyshimet e mia. Para se të dilte kjo foto, unë kam pasur informacionet e mia, por tani po i përforcoj edhe më shumë dhe se thashethemet të cilat unë nuk u besoj, po na dalin të vërteta. Ka disa gjëra që duhet që të vërtetohen këtu.
Unë dyshoj se me dikë është takuar para ndeshjes me Skënderbeun, pas saj, por edhe në ditët e fundit. Çfarë ka ndodhur, ta zbulojë Prokuroria.
Është prishur kampionati thonë shqiptarët, pasi edhe një lojtar i vetëm ndikon në këto gjëra. Nuk merrem me thashetheme, por ka filmime. I bëj thirrje Prokurorisë dhe i kërkoj që të verifikojë të gjitha kamerat dhe lëvizjet e lojtarit, kush e ka marrë nga Vlora dhe ku ka shkuar.
U bëj thirrje edhe menaxherëve të Alveshit që janë burra të ndershëm dhe një grup e kompani serioze që të na ndihmojnë në këtë situatë. I bëj thirrje menaxherit të tij të vijë të dëshmojë që ta zgjidhim këtë çështje. E ka njollosur apo jo kampionatin Alvesh, këtë ta gjejë Prokuroria.
Unë nuk e pranoj këtë turp nga cilido lojtar që të jetë ai. Secili lojtar që bën veprime të tilla të përgjigjet para ligjit", tha fillimisht Idrizi.
Etika - Sinan Idrizi tha se për këtë ngjarje do të vendosë në dijeni edhe Komisionin e Etikës në FSHF. Por administratori i vlonjatëve tha se nuk ka besim te ky komision.
"Në këtë rast unë i drejtohem Prokurorisë dhe jo Komisionit të Etikës në FSHF. Do ta vendos vetëm në dijeni Komisionin e Etikës sa për të shpëlarë gojën, sepse nuk kam fare besim te ky komision, pasi çdo gjë është e qartë dhe ju i keni parë veprimet dhe qëndrimet e këtij komisioni", u shpreh administratori.
Kontrata - Për Sinan Idrizin, kontrata me Alveshin është tjetër histori, tani më e rëndësishme mbetet çështja e hapur në Prokurori. "Nuk më internon kontrata. Historia e kartonit është gjë tjetër, tani është fakt, ka një kallëzim penal në Prokurori për Danilo Alvesh.
Unë kam dyshimet e mia, nëse nuk është kështu, atëherë organet kompetente të vërtetojnë të kundërtën. Tifozët kanë dyshime dhe që të mos më akuzojnë mua, atëherë të shkojmë në Prokurori. Ju do të pyesni për kontratën e Danilos te Skënderbeu, për hair na qoftë!
E përgëzoj për pushimet që po kryen, por përgëzoj edhe ata që i ofruan pushimet. Do të shikojmë në vazhdim se cili e ka bukurinë më të madhe, deti Adriatik apo Joni, dhe cili është më i thellë dhe ka kripën më të rëndë. Jam i sigurt se Danilo Alvesh është me pushime në atë kompleksin ku është fotografuar", përfundoi Idrizi.
ERMAL SIKA