Idrizi Nuk jemi shtojce e Partizanit

Idrizi: Nuk jemi shtojcë e Partizanit

Sinan Idrizi nuk e kapërdin dot atë humbje të Flamurtarit me Skënderbeun. Gjithnjë i referohet paraqitjes në fushë dhe jo vetëm rezultatit. Sinan IdriziPor, ndërkohë, ia pret shkurt edhe kur pyetet për Partizanin, duke thënë se nuk ka luajtur as për Partizanin dhe as për Skënderbeun.

"Nuk jemi shtojca e askujt", ka thënë Idrizi për "Panorama Sport".

Zoti Idrizi, çfarë po ndodh me Flamurtarin?

Thjesht ky grup lojtarësh nuk respekton as fanellën dhe as investimet që janë bërë. Unë nuk kam kërkuar kurrë fitore me çdo kusht, por ama kur skuadra humbet, të paktën të ketë dinjitet në atë që ka bërë në fushë. OK, por keni marrë një vendim të paprecedentë, duke shkrirë skuadrën dhe larguar gjithë stafin teknik.

Pse kjo masë kaq drastike, në një kohë që objektivi minimal u arrit?

Sepse në ndeshjen ndaj Skënderbeut skuadra ime nuk ekzistonte në fushë, kështu që në momentin kur ata nuk japin asgjë, atëherë asnjëri prej tyre nuk më vlera. Të gjithë bashkë, çfarë janë dhe çfarë s'janë, nuk e meritojnë të qëndrojnë te Flamurtari.

Ky vendim erdhi rreth dyshimeve që mund të keni për sjelljen e lojtarëve ndaj Skënderbeut apo e kishit menduar edhe më parë?

Nuk futem unë te dyshimet e askujt. Unë sapo rikthehem nga Turqia në Shqipëri, gjëja e parë që dëgjoj janë fjalët "u shit, u ble". Nuk më interesojnë gjërat që fliten në kafene, thjesht unë kam parë ndaj Skënderbeut një skuadër pa pikën e përgjegjësisë. Ishte një Flamurtar i shthurur në fushë, por unë nuk mund t'i futem rrugës së komplotit. Të gjithë ata që kanë zhgënjyer, udha e mbarë u qoftë! Kjo është përgjegjësi kolektive, sepse për mendimin tim, me atë ndeshje që bëmë, nuk u respektua kampionati. Natyrisht, unë uroj Skënderbeun për fitoren dhe titullin, madje këtë e kam bërë edhe pas ndeshjes me korçarët, duke u dhënë dorën. Mirëpo, unë nuk mund të toleroj këtë shpërfytyrim të skuadrës.

Çfarë ju zhgënjeu më shumë, fakti që nuk luajtët mirë apo që nuk morët qoftë edhe një pikë?

Flamurtari nuk shkoi një herë në portë. Ishte një zhgënjim i paparë, sepse janë po këta lojtarë që luajnë mirë ndaj Tiranës apo Kukësit, ndërsa kur u kërkohet të respektojnë kampionatin, nuk e bëjnë. Ka dy gjëra, ose këtu kemi të bëjmë me një problem teknik ose është një histori tjetër. Në këto kushte, për të mos u marrë me analizën e asaj çfarë ndodhi, duke qenë se në Shqipëri nuk i zgjidh dot gjërat, atëherë i rashë shumë shkurt, duke u dhënë dorën të gjithëve.

Mos ndoshta jeni nxituar kur keni vendosur që të mos vazhdoni me asnjë lojtar?

Jo, jo i gjithë ekipi është i larguar, nuk ka më vend te Flamurtari. Nuk ka asnjë shans që ndonjë prej këtyre lojtarëve të rikthehet, duke futur këtu edhe trajnerin apo ndihmësit e tij. Si ka mundë- si që kjo skuadër nuk luajti ndaj Skënderbeut, në një kohë që me skuadra të tjera të forta ka bërë një lojë shumë të mirë?!

Trajneri deklaroi se e arriti objektivin mbijetesë...

Para ndeshjes kam mbledhur skuadrën dhe u kam thënë vetëm kaq: "Respektoni fanellën dhe kampionatin ndaj Skënderbeut. Jeni ekip me 1.5 milionë euro buxhet dhe mbyllni tabelën e klasifikimit, por ua kam falur të gjitha gabimet dhe kërkoj që të luani me dinjitet për ta përfunduar në mënyrën më serioze këtë kampionat".

Tashmë gjithçka do ta nisni nga zero, e keni një plan për ekipin?

Kam tre muaj kohë dhe çdo gjë do të nisë nga e para, duke filluar me trajnerin e ri dhe deri te futbollistët. Mua nuk më poshtërojnë dot këta me atë impenjim. Nuk kam kërkuar unë as titull kampion dhe as kupë, por dinjitet. U mundëm me Kukësin 0-1 në Vlorë dhe kam shkuar në dhomat e zhveshjes, duke u thënë: "bravo djema".

Fakti që nga ndeshja e Vlorës varej fati i titullit, keni marrë ndonjë telefonatë nga drejtuesit e Partizanit pas ndeshjes?

Nuk më intereson fare Partizani në këtë histori dhe s'kanë pse të më telefonojnë. Secili bën llogaritë e veta. Unë nuk kam luajtur as për Partizanin dhe as për Skënderbeun. Ne jemi Flamurtari dhe bëjmë llogaritë e shtëpisë sonë. Indinjata e Partizanit nuk ka pse të jetë me ne. Për Flamurtarin ishte një ndeshje e radhës dhe ne si klub nuk jemi shtojca e askujt.

Për herë të parë gjatë këtij sezoni ishte një stadium i tejmbushur, që ndoshta priste të gjente ngushëllim te një fitore ndaj Skënderbeut, duke kujtuar atë titull të humbur të sezonit 2010-2011...

Kjo ishte madhështia e tifozërisë vlonjate, që, edhe pse ky ekip i ka zhgënjyer pa fund, e mbushi stadiumin. Ky Flamurtar i uli kokën kësaj tifozërie dhe kjo është papërgjegjshmëri e lojtarëve tanë.

U druheni padive në FIFA nga lojtarët që nuk u ka përfunduar ende kontrata?

Ka disa lojtarë që janë nën kontratë, por kanë të gjithë klauzola. Gjithsesi, ata që kanë probleme, le t'u drejtohen gjykatave. Unë mund të dështoj financiarisht, por moralisht nuk dështoj kurrë. S'mund të mbaj unë përsipër moralin. Me këtë buxhet kaq të madh dhe të mos luash një ndeshje dinjiteti që të kërkohet, çfarë të thuash për këta lojtarë?!

Pema që nuk bën as fruta, të paktën të bëjë hije dhe, nëse nuk bën as këtë, duhet të pritet. Kjo është edhe filozofia ime në jetë.

Përgatiti: JORGIS MEMO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama