Sinan Idrizi nuk feston hapin e hedhur nga Flamurtari drejt sigurimit të mbijetesës. Gjatë një bisede telefonike nga Turqia për "Panorama Sport", administratori i klubit vlonjat është shprehur se nuk e kishte diskutuar asnjëherë qëndrimin e ekipit të tij në Superiore. I qetë dhe pa entuziazëm, Idrizi thotë se ekipi bëri vetëm detyrën.
"Nuk kemi përse ta festojmë qëndrimin në Superligë. Unë them se kjo nuk është asgjë dhe nuk është se u bë ndonjë mrekulli. Unë nuk e kisha diskutuar asnjëherë qëndrimin në Superligë", tha Idrizi. Skënderbeu - Idrizi ndalet edhe te ndeshja me Skënderbeun. I pyetur në lidhje me disa nga deklaratat e tifozëve ultras se me Skënderbeun ka ardhur ora e hakmarrjes për t'i hequr titullin, Idrizi tha se Flamurtari nuk është inatçor.
"Ne nuk kemi dëshmuar se në dashurinë që kemi për sportin, të mbyllim njërin sy. Pra, Flamurtari nuk shikon me njërin sy, Flamurtari nuk është inatçor. Flamurtari ka qenë i zoti dhe i ka fituar me meritë këto kampionate. Unë kam rezervat e mia vetëm për një kampionat, që e ka marrë me mekanizma të tjerë. Harrojini historitë me hakmarrje. Unë nuk bëj pjesë as te fansat e Skënderbeut dhe as tek ata të Partizanit. Nuk ka hakmarrje te ne. Flamurtari do të luajë një ndeshje siç i ka hije. Kush do të fitojë, do t'i japë dorën tjetrit", vazhdoi administratori i vlonjatëve.
Propozimi
Drejtuesi i Flamurtarit u shpreh gjithashtu se do të lobojë fuqishëm që kampionati të bëhet me 14 ekipe, pasi formula aktuale nuk i shërben Superiores.
"Unë them se ka ardhur koha që të rishikohet kampionati dhe ky do të jetë tani misioni im në futboll. Bylisi nuk e meriton të kalojë në Kategorinë e Parë. Duhet të ndryshohet formula dhe të bëhet me 14 ekipe. Bylisi sot është ndër ekipet elitare të kampionatit dhe nëse formula do të ishte ndryshe, jo me 10 ekipe, nuk do të binte. Çfarë është kjo?
Kujt i shërben formula me 10 ekipe? Sezonin e ardhshëm nga Shkumbini e poshtë është vetëm një ekip që është në jug. Unë si Flamurtar shkoj në Dibër e Laç. Me gjithë respektin që kam për këto ekipe, por nuk kam ekip në jug. Nuk ka se si të vazhdohet kështu, pasi humbet qëllimi dhe bukuria. Sporti është pjesë masive dhe duhet të bëjmë ekipe konkurrente. Tjetër gjë që unë kërkoj është liberalizimi i numrit të të huajve. Bylisi nuk e meriton të luajë në Inferiore, ashtu si nuk e meritojnë Apolonia, Lushnja dhe Elbasani. Superiores i mungojnë qytetet elitare. Futbolli po ndahet në toskë e gegë. Kjo është e papranueshme", ka përfunduar Idrizi.
Përgatiti: ERMAL SIKA