Sinan Idrizi premton një ndeshje korrekte përballë Skënderbeut. Gjatë një bisede telefonike nga Turqia për emisionin "Procesi Sportiv", ai theksoi sërish se, pavarësisht historisë, ndeshja e nesërme nuk do të jetë për hakmarrje. Idrizi flet edhe për miqësinë me presidentin e Partizanit, Demi, por thotë se ajo është vetëm jashtë fushe.
Cili është vlerësimi juaj për ndeshjen e së mërkurës me Skënderbeun?
Ndeshje si gjithë të tjerat. Do të jemi korrekt dhe ta çojmë kampionatin tonë deri në fund. Domethënë zoti Idrizi, nuk ka vend për iluzione.
Flamurtari do të bëjë detyrën, do të luajë siç ka luajtur me çdo ekip tjetër?
Absolutisht që po.
E ndiheni presionin që nga ndeshja juaj, vendoset fati i kampionatit?
Besoj se është një presion pozitiv.
A është e çuditshme që Flamurtari feston për qëndrimin në Superiore?
Është jo e çuditshme, por e papranueshme për ne. Është një gëzim që nuk duhet të kemi më të tilla në vazhdimësi.
A do të jetë një futboll "fair-play" në fushë ndaj Skënderbeut?
Të jeni të sigurt që Flamurtari deri në fund do të bëjë futboll të pastër. Ju jeni në Stamboll për momentin, por Tirana zien. Flitet për iluzione, ndërhyrje, madje edhe politike.
Ju kanë ardhur sinjale për ndërhyrje të tilla pranë klubit apo lojtarëve tuaj?
Të jemi pak korrekt. Kur thuhet Tirana zien, mendoj se ziejnë vetëm kafenetë e Tiranës. Unë nuk komentoj komentet e kafeneve. Në reagimet e tifozëve të Flamurtarit, situata ka qenë pak më e tensionuar. Ata janë shprehur "Vlora nuk fal, Vlora nuk harron".
Duket si një ndeshje shumë e luftuar me mjaft tension?
Nuk duhet të paragjykojmë si do të jetë ndeshja. Thjesht tifozët e Flamurtarit i mirëkuptoj. Mirëkuptoj memorien historike të tyre, pasi është një kampionat që është humbur me padrejtësi. Por, të jeni të sigurt se ekipi ynë nuk do të jetë hakmarrës. Këto thirrjet e tipit: "o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri", te Flamurtari ynë nuk ekzistojnë.
Do të jeni në Vlorë ditën e ndeshjes, do të ktheheni të mërkurën?
Po, po. Patjetër që do të jem.
Si e patë ecurinë e Flamurtarit në këtë edicion?
Ecuria e Flamurtarit është larg komenteve të mia. Shikoni renditjen, nuk kam çfarë komenti të bëj.
Si janë marrëdhëniet tuaja me FSHF-në? (
Qesh). Të lutem mos më lejoni të flas më tepër nga sa duhet se mos ndoshta marr ndonjë ndëshkim tjetër. Këtu nuk ka më censurë.
Ne do të donim një shprehje të tipit "Idrizi"...
Për një nga ato shprehjet e tipit "Idrizi", kam marrë një ndëshkim prej tre muajsh dhe gjobë 3 milionë lekë. Ndaj më mirë të hesht, të hesht dhe të hesht.
Keni një mesazh për presidentin e Partizanit, Gaz Demi?
(Qesh). Kam një mesazh shumë miqësor për zotin Demi. Do të përpiqem që të jap maksimumin e mundshëm, e përsëris, të mundshëm, që askush të ketë iluzionin që miqësia që unë kam me zotin Demi do të ndikojë në fatin e kampionatit shqiptar. Ne jemi miq në jetë, por në fushë, miqësia për 90 minuta është gjë tjetër.
Përgatiti: ERMAL SIKA