Idrizi i pergjigjet Kapllanajt Estrada e Ballshit e famshme

Idrizi i përgjigjet Kapllanajt: Estrada e Ballshit, e famshme

S inan Idrizi reagon nga Turqia pas akuzave të presidentit të Bylisit, Agron Kapllanaj, që e cilësoi estradë ndeshjen Laçi-Flamurtari. Në një komunikim telefonik nga Stambolli për "Panorama Sport", administratori tha se me shumë siguri Kapllanaj nuk e ka parë këtë takim, pasi Laçi ishte më luftarak se kurrë.idrizi dushku Ai evidenton se në Vlorë mbahen për parodi dhe jo për estradë, pasi për këtë të fundit të famshëm janë pikërisht ballshiotët. "Jam i sigurt se kryetari i Bashkisë së Ballshit, Agron Kapllanaj, nuk e ka parë ndeshjen.

Ka ngatërruar adresë, pasi të nxjerrësh një konkluzion të tillë nuk e di, por është problem tjetër, nëse është e kundërta. Të flasësh për estradë, unë them se estrada e Ballshit ka qenë e famshme.

Ndërsa ne kemi parodistët shumë të famshëm dhe nuk jemi mbajtur për estradë, por për parodi. Nuk është e drejtë të flasësh kështu kur të gjithë panë një Laç shumë luftarak përballë Flamurtarit", tha shkurtimisht Idrizi, i cili e konsideron të tepruar deklaratën e bërë nga Kapllanaj.

Klubi në "Facebook" Edhe klubi nuk ka qëndruar në heshtje për akuzat e lëshuara nga kryebashkiaku i Ballshit. Me anë të një deklarate të postuar në faqen zyrtare në "Facebook", vlonjatet sqarojnë se kurrë nuk bëhen pjesë e këtyre pazareve.

Madje, ata nënvizojnë se në kohën kur të gjithë heshtnin për çështjen e trukimit të ndeshjeve, kësaj gangrene të shoqërisë, Flamurtari e ka denoncuar atë me forcën më të madhe. Ata nuk bëhen pjesë e estradave të tilla që në Shqipëri tashmë e kanë një emër, thuhet ndër të tjera në deklaratën e klubit.

"Duke marrë shkas nga deklaratat për tolerim në ndeshjen Laçi-Flamurtari dëshirojmë vetëm të sqarojmë të gjithë opinionin sportiv se Flamurtari Futboll Klub nuk është dhe nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e tyre. Dëshirojmë t'ju kujtojmë zotërinjve në fjalë se Flamurtari ishte i vetmi ekip që ka denoncuar fuqishëm këtë gangrenë të futbollit kur të tjerët vijojnë të heshtin.

Flamurtari nuk bëhet pjesë e estradave të tilla që në Shqipëri tashmë e kanë një emër", shprehet klubi. Ndërkohë, në deklaratën e klubit ka pasur edhe nota ironie. Flamurtari shikon si të vetmin rival të drejtpërdrejtë ekipin e Tërbunit.

Klubi argumenton se arrin në këtë konkluzion për shkak se Tërbuni kundër Flamurtarit ka katër pikë, ndërsa ndaj rivalëve direkt zero pikë. "Për Flamurtarin i vetmi rival i drejtpërdrejt është Tërbuni që kundër nesh ka marrë katër pikë, kurse kundër rivalëve tanë direkt ka marrë vetëm zero pikë.

Është më se e drejtë që gjithsecili të shikojë ekipin dhe ndeshjet e veta dhe jo të gjejë alibi për dështimet tek të tjerët. Flamurtari nuk ka nevojë për pritje me tufa me lule në asnjë fushë", thuhet në deklaratën e klubit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama