Idrizi tregon bisedimet me japonezin Fukui

Idrizi tregon bisedimet me japonezin Fukui

Masato Fukui "zbarkon" në Vlorë. Japonezi, i shoqëruar nga menaxheri i tij, është takuar dje me Sinan Idrizin. Administratori i ka bërë një ofertë sulmuesit që e mbylli sezonin te Tirana dhe i ka shfaqur hapur dëshirën që ta ketë te Flamurtari. Fillimisht, e ka pyetur nëse ka kontratë, duke mos dashur që t'i hapë probleme me klubin bardheblu. Këtë lajm e konfirmon për "Panorama Sport" vetë Idrizi, i cili thotë: "Po, është e vërtetë që kemi bërë një bisedë me Fukuin. I kemi parashtruar kërkesat tona, por edhe ai të vetat. I kemi thënë që e presim, ndaj zgjedhja i mbetet lojtarit në dorë. Në Vlorë e presim, derisa edhe ofertën tonë ia bëmë".

fukui

Nika - Flamurtari pranë akordit me Ansi Nikën. Pasi i ka përfunduar kontrata me Kukësin, mesfushori pritet që të vishet kuqezi. Burime pranë klubit vlonjat thanë dje për "Panorama Sport" se ka qenë trajneri Gugash Magani ai që ka kontaktuar shkodranin. Pasi u "gradua" edhe me statusin e menaxherit nga Sinan Idrizi, trajneri ka folur me mesfushorin duke i bërë edhe ofertën konkrete. Mësohet se Ansi Nika e ka pranuar, por ende nuk është mbyllur zyrtarisht marrëveshja me shkresa. Në Vlorë e quajnë të mbyllur dhe thuhet që shumë shpejt 25-vjeçari do të jetë pjesë e Flamurtarit. Prezantimi i tij duket si formalitet.

ansi nika

Dëshirat - Gugash Magani i ka dhënë një listë të gjatë me emra lojtarësh administratorit. "Panorama Sport" ka zbuluar se një tjetër emër i pëlqyer i trajnerit është Gerhard Progni. Një tjetër element i "shënjestuar" nga vlonjatët është Argjend Malaj. Kosovari është kontaktuar nga drejtuesit, megjithatë gjithçka ka mbetur pezull. Edhe shqiptaro- maqedonasin Nijas Lena është në këtë listë, por për këtë lojtar mësohet se Sinan Idrizi nuk i ka kthyer ende një përgjigje pozitive Maganit. Por njëherësh në listën e preferencave është edhe Marko Cetkoviç, fantazisti malazez i Laçit. Gugash Magani ka shfaqur interes edhe për mbrojtësin Renato Malota. Mbrojtësi lezhjan i Kukësit mund të jetë pjesë e Flamurtarit, ndërsa për këtë raport preferohet edhe serbi Borislav Simiç, që e mbylli sezonin te Bylis. Interesim ka edhe për sulmuesin vlonjat Ardit Hoxhaj dhe 18-vjeçarin Kris Hysenin, i cili ka dalë nga akademia e Lionit.

Ermal Sika


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama