Kryeministri i ri, Edi Rama, me bashkëshorten e tij Linda, ishin në një tavolinë me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, gjatë iftarit të shtruar nga Komuniteti Mysliman me rastin e nisjes së muajit të Ramazanit. “Me Lindën në iftarin e shtruar nga Komuniteti Mysliman. I uroj lehtësi çdo besimtari e mbarësi gjithë komunitetit”, shkruan Rama në Twitter dhe Facebook.
Vetë Rama ka publikuar në këto rrjete sociale dhe foton ku përballë ka deputeten demokrate me të cilën do të jenë në një sallë në muajin shtator. Në foto, në tavolinën VIP të iftarit, duket kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, në krahun e majtë të të cilit është Rama me bashkëshorten Linda, e që vijon më pas me kreun e Gjykatës Kushtetuese. Në krahun e djathtë të Muçës është Jozefina Topalli, e cila mban ende postin e kryetares së Kuvendit, e më pas Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë së Tiranës e klerikë të besimeve të ndryshme në Shqipëri. Në foto duket se politikanët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, por janë aty vetëm në respekt të festës fetare.