Igli Pustina mes detit dhe Everestit

Igli Pustina, mes detit dhe Everestit
Por, jo vetëm deti është shtëpia e tij. Ai nuk i thotë jo edhe një ftesë për në mal, dhe jo një ftesë dosido, por Everestit, Nepalit, shëtitjeve prej 16 ditësh pa ndërprerje, të provojë kënaqësitë që të jep lartësia, të ndiejë të ftohtin polar dhe nxehtësinë aziatike. Personazhi për të cilin po flasin nuk është një hero i një përralle, por Igli Pustina. Është një zhytës profesionist dhe një alpinist amator. Në një intervistë për Sh2-shin ai na tregon për aventurat e jetës së tij. Ai ka prekur të katra kontinentet e botës dhe zbulimi më i fundit është një anije spital e luftës së dytë botërore në brigjet e Vlorës. Në këtë rrëfim tregon aventura e tij në det dhe në mal.


Igli, dimë se deti është pasioni juaj i hershëm. Na tregoni pak për kontaktin e parë me të, si dhe kur e keni mësuar notin?
Meqenëse unë jam nip durrsak, pasi mamin e kam nga ky qytet, e kam frekuentuar plazhin që kur isha 2-3 vjeç. Shkoja me familjen apo dhe me dajat. Ata më kanë mësuar të notoj. Në njëfarë mënyrë më kanë detyruar, por edhe mësuar sigurisht. Bëhet fjalë për moshën 5-6-vjeçare. Kam qenë i shkathët që i vogël...


Po më pas, kur e morët seriozisht këtë punën e notit?
Në moshën 10-11 vjeç dikush më mbush mendjen se unë kisha trup balerini dhe kështu u regjistrova në kursin e baletit në pallatin e pionierit. Por, njëkohësisht vazhdoja edhe sportin e notit, në të cilin u përqendrova më shumë. Merrja pjesë në gara, fitoja çmime dhe kjo e bënte më tërheqës notin për mua në atë periudhë. E ndieja veten më mirë. Kur u bëra 14 vjeç duhet të zgjidhja, ose baletin, ose notin. Unë vendosa që të vazhdoja notin. Ky kalim ndodhi në vitin 1984 - 1989. Në po këtë vit u arratisa nga Shqipëria. Shkova në Itali. Pasioni që kisha për sportet e ujit më bëri kurioz dhe kërkoja të shikoja pishinat e Italisë, vendet ku ushtrohej ky lloj sporti, si ishin, çfarë bëhej aty. Italishten e flisja mirë dhe pasi pashë pishinat, u regjistrova në një shoqatë noti dhe vazhdova rregullisht stërvitjen. Në pishina shikoja disa persona më bombola në kurriz. Pyeta profesorin, ai më tha që ky është një sport i bukur që të çon në një botë tjetër, në botën nënujore. Kjo më joshi dhe fillova kursin e zhytjes.


Cila është gjëja më e bukur që keni parë nën ujë?
Kanë qenë të shumta, por një imazh më kujtohet si tani. Kam parë një peshkaqen që mund të ishte afërsisht 13 metra i gjatë, të cilit i vinin rrotull 13 delfinë. Ishte si një tip vallëzimi në ujë, por, ishte një kompozim shumë i bukur. Këtë e kam parë në ishujt e Polinezisë. Këtu kanë qenë edhe zhytjet më të bukura që kam bërë.


Po momente më i vështirë që keni kaluar?
Ka pasur mjaft. Ishte viti 2004, së bashku me disa miq të mi kishim organizuar një tur në Egjipt. Të gjithë së bashku realizuam zhytje shumë të bukura. Teknike, profesionale. Pamë shumë peshkaqen. Por, kur dolëm, hipëm në varka, u zhveshëm, na u shfaqën në sipërfaqe të ujit dy peshkaqenë që quhen Lunxhimano. Qëndronin në sipërfaqe dhe disa miq të mi nga ekzaltimi u hodhën në det për t'i parë më nga afër. Ata janë më të rrezikshëm në sipërfaqe sesa në thellësi. Këta lloj janë peshkaqen mishngrënës. Kur pashë që u hodhën të gjithë në ujë, u hodha edhe unë. Brenda pak sekondash një e kisha para dhe një pas. U tremba shumë e nuk dija çfarë të bëja. Në atë moment hoqa Pinat dhe e godita njërin nga turinjtë. Ata kanë vetinë që të vijnë rrotull, të afrohen, të marrin erë dhe pastaj të sulmojnë. Por, unë i sulmova më parë, duke i rënë me Pina, derisa munda të hipi në varkë. E njëjta gjë më ka ndodhur në Rixho, përsëri në Egjipt. Ishim me një anije afër një gjiri dhe në atë kohë ishin fillimet e mia në ekspedita. Doja të tregoja veten në zhytje e not dhe u hodha në det. Mendova të shkoja një herë deri në breg. Kur në një moment pashë një peshkaqen gri që më ndiqte nga pas. Isha vetëm, aty pata një dridhje dhe po mendoja që nuk ishte e vërtetë. Pashë që bregun e kisha më afër se anijen, dola në breg e ndenja derisa erdhën shokët të më merrnin.


Bota nënujore është misterioze, çfarë keni parë në të, keni zbuluar thesare...?
Thesare jo, anije po. Para një viti bëmë një eksplorim në gjirin e Vlorës. Aty ka mbi 70 anije të mbytura të luftës së parë dhe të dytë botërore. Anija e luftës së dytë botërore është e mahnitshme, është 130 metra e gjatë, është si një Titanik i gjirit të Vlorës. Unë e kam parë dhe është madhështore. Ajo ka shërbyer si anije-spital dhe kur u futëm poshtë gjetëm ende krevate, ndërsa në sallë ishin veglat e operacionit, bombolat, bisturitë, gërshërët. Në zhytje të tilla duhet të jesh shumë i kujdesshëm se është e rrezikshme, pasi kur futesh në një ambient të mbyllur do kohë që të dalësh, ndërsa kur je në det gjithmonë ikën sipër.


Po më pas, keni filluar që ato që shihnit, t'i fotografonit?
Në vitin 1998, unë punoja në Itali me ndihmat e shpejta në det. Kisha filluar të bëja foto, filmime gjatë ndërhyrjeve që realizonim. Kisha me vetë si kamerën, edhe aparatin. Këtë gjë e bënim për aksidentet dhe për të kuptuar se çfarë duhet të përmirësonim. Një nga këto aksionet e çova te Televizioni "RAI 3". Atyre iu pëlqeu shumë dhe më dhanë mundësinë të takoja një producent që kërkonte filmime nënujore e merrej me realizimin e dokumentarëve. Në vitin 2001, ata dërguan një ekspeditë në Polinezi për të bërë një dokumentar për Kilimanxharon. Më kërkuan që të shkoja edhe unë. Duke qenë gjithmonë në brendësi të tyre fillova të mësoja më shumë. Ajo që kam bërë, është se kam realizuar copëra filmimesh, interesante, të rralla. Këto janë shkrirë, janë punuar dhe janë realizuar dokumentare, me këtë dua të them se nuk është tërësisht merita ime për realizimet të tilla që ka bërë "RAI 3".


Ju nuk keni pasion vetëm ujin, por edhe malin, apo jo?
Pasioni për malin është i vonë, por është po aq i dashur sa dhe për detin. Në fillim të vitit 2000 fillova të vija më shpesh në Shqipëri. Njoha një shok të vjetër që quhet Arjan Gaçe. Ai ishte në fillimet e zhytjes, ndërsa kishte shumë përvojë në ngjitjet në mal dhe, kur mori vesh që unë isha profesionist në këtë punë, filloi të shoqërohej me mua dhe zhyteshim bashkë. Ndaj, dua të them se pasionin e malit ma ka dhënë Arjani. I kërkova të shkoja në mal me të sa herë që ai kishte guida të tilla nëpër Shqipëri. E kështu bëra, pas disa kohësh kuptova që edhe ky lloj sporti më bënte shumë mirë. Filluam të shkonim në Theth, në Tomor, në malin e Krujës, në Llogora. Kam qenë pothuajse në të gjitha malet këtu. Pas kësaj bërë kalimin tim të madh, që është ngjitja në malin e Everestit.


Jeni një alpinist amator, si shkuat në Everest?
U kisha folur disa miqve të mi italianë për ngjitjet në malet e Shqipërisë. Ata më kërkuan të vinin këtu, ta provonin dhe ata këtë përvojë. Pasi u ngjita më ta në malet tona, atyre filloi t'u pëlqente dhe po i joshte ideja e ngjitjeve të larta. Kur u larguan nga Shqipëria më thanë se kishin vendosur të iknin në Indi, në Nepal. Dhe unë fillova të interesohesha për terrenin. U organizuam për të shkuar në Everest. Blemë librat, guidat, filluam të studionim shtigjet. U bëmë gati me të gjitha pajisjet. Realizuam dy ture faktikisht, një në Everest dhe një në Anapurna. Dhe për mendimin tim, turi i Anapurnës ishte goxha më i bukur se turi i Everestit, më emocional.


Sa metra jeni ngjitur në Everest?
Kemi shkuar deri në 5 416 metra. Na u deshën 13 ditë, të shkonim e të vinim. Dhe 16 ditë bëmë turin e Anapurnës. Bënim nga 15-16 kilometra në ditë. Gjatë rrugës kishte shtëpi si tip restorantesh, pasi ishte shteg që rrihej shumë nga turistët.
Entela Resuli

Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama