Iken nga shtepia perdhunohet nga shoket

Iken nga shtepia, perdhunohet nga shoket

Një vajzë, vetëm 17 vjeçe, ka ikur nga shtëpia e saj, pasi nuk duronte më jetën aty, duke u bashkuar me dy djem të rinj, por nuk e kishte menduar se do të binte pre e dhunës seksuale të tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lezhë dhe zë fill që të premten e kaluar, kur ajo ka lënë shkollën dhe është bashkuar me dy të rinjtë, të cilët tashmë janë arrestuar nga policia, megjithëse nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur nga adoleshentja. Vajza e re, e cila rezultonte e zhdukur që nga e premtja, megjithëse ishte shpallur në kërkim nga policia, është gjetur rastësisht në Durrës nga një i njohur i familjes së saj, kur ishte nën shoqërinë e një balerine, e cila kërcente në lokalet e natës.

Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje kanë arrestuar Valentin Kolën dhe Taulant Ndrecën, nga fshati Barbulloj i Lezhës, të cilët dyshohen për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”. Sipas uniformave blu, gjithçka ka nisur të premten në drekë, kur babai i 17-vjeçares kishte shkuar në shkollën ku studion e bija, me qëllim që ta dërgonte në shtëpi. Ai e kishte çuar në mëngjes në shkollë dhe si përherë kishte shkuar ta merrte sërish.

 

Por, kur ka shkuar aty, ka vënë re se vajza e tij nuk kishte qëndruar në shkollë atë ditë. Në këto kushte, nga burime të policisë mësohet se babai i saj kishte telefonuar të afërmit, por edhe të njohur të vajzës, me shpresën se ajo ndodhej te ndonjëri prej tyre. Por, pavarësisht kërkimeve për disa orë, ai nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e vajzës dhe i është drejtuar për ndihmë policisë.

Sipas të dhënave, menjëherë pas kallëzimit të kryer nga babai i 17-vjeçares, Policia e Lezhës ka nisur kërkimet për vajzën e re, ndërsa që të hënën, emrin dhe foton e saj e ka shpërndarë në çdo qark, sidomos në pikat kufitare, me qëllim që ajo të mos bjerë pre e trafikimit nga persona të tjerë për qëllime shfrytëzimi. Megjithatë, policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e saj. Por, fati ka qenë me familjen, e cila nuk kishte reshtur së kërkuari që nga e premtja, pasi një i njohur i tyre, kishte pikasur vajzën në një lokal në Durrës.

 

Në këto kushte, ai ka telefonuar familjen e vajzës dhe u ka shpjeguar se ajo ishte nën shoqërinë e një vajze tjetër, kështu që menjëherë është kërkuar ndihma e policisë për shoqërimin e saj. Burimet policore thanë se kanë shoqëruar dy vajzat, të cilat janë marrë në pyetje paraprakisht në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe më pas, e zhdukura është shoqëruar për në Lezhë. Fillimisht, vajzat kanë treguar se ishin njohur nga njëri prej dy personave të arrestuar, pasi shoqëruesja e 17-vjeçares e kishte njohur gjatë punës, pasi punonte si balerinë në një lokal gjatë natës.

Vetë vajza 17-vjeçare mësohet se ka shpjeguar para policisë se kishte ikur nga shtëpia me dëshirën e saj dhe ishte bashkuar me një të njohurin e saj, në moshë të mitur, i cili e kishte prezantuar edhe me një shok tjetër. Gjatë këtyre ditëve, ata e kishin mbajtur 17-vjeçaren nga një hotel në tjetrin, ku kishin kryer marrëdhënie seksuale me të, kundër dëshirës së saj. Madje, adoleshentja ka treguar edhe emrat e të dyshuarve, të cilët janë gjetur dhe arrestuar nga policia.

 

Megjithatë, ata nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur nga vajza, duke pretenduar se nuk kishin kryer asnjë veprim kundër dëshirës së saj. Por, e gjitha kjo pritet të vërtetohet pas daljes së konkluzioneve të mjekësisë ligjore, e cila ka kryer aktin e ekspertimit për 17-vjeçaren. Në lidhje me këtë ngjarje, policia tha se aktualisht i ka arrestuar dy të dyshuarit me urdhër prokurori, por është shpallur në kërkim edhe një i tretë, i cili mendohet se ka bashkëpunuar me dy të parët. Red. Akt.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama