STEROIDET
Barnat steroide përdoren për të kuruar patologji të ndryshme, si alergjitë, astmën dhe artritet reumatoide. Ato “punojnë” duke imituar hormonet që rregullojnë metabolizmin dhe sistemin imunitar, duke ulur inflamacionin. Normalisht ilaçet steroide prodhohen nga trupi i njeriut, por një tejkalim i masës i shkaktuar nga pirja e ilaçeve mund të provokojë të njëjtin veprim që mund të ndodhë në organizëm në situatë presioni të lartë. Në këto rrethana, kortizoli, i quajtur ndryshe edhe hormoni i stresit, e shpërndan yndyrën në stomak. Për arsye ende të panjohura, yndyra grumbullohet në pjesën e prapme të qafës, një kusht i njohur si “Sindroma e Cushing”. Steroidet janë përgjegjëse për lëshimin e një sasie të madhe sheqernash në gjak, që grumbullohen si yndyra.
Shtimi i mundshëm në peshë: Pacientët mund ta rrisin peshën e tyre në 7 për qind, ose më shumë. Disa studime kanë vërtetuar se një pirje e tejzgjatur e barnave steroide mund të çojë deri në 13 kilogramë shtim në peshë ose më shumë.
Ç’duhet bërë: Flisni me doktorin dhe vendosni së bashku me të nëse duhet t’i pini ose jo këto lloj ilaçesh. Në rast inflamacioni mund të përdorni aspirina, ose ibuprofen.
ILAÇET KUNDËR DIABETIT
Shumë personave të prekur nga diabeti i tipit 2 u jepen ilaçe antidiabetike me bazë sulfonilurean, që vepron duke e stimuluar organizmin të prodhojë më shumë insulinë, për të ulur nivelin e lartë të sheqerit në gjak. Në disa raste, këto ilaçe shkaktojnë një rënie të befasishme të rezultateve, duke krijuar te pacienti një nervozizëm të fortë, që kthehet në nevojë për të ngrënë më shumë. Edhe tiazolidinedionët (TDZs) e bëjnë trupin më të ndjeshëm ndaj insulinës dhe lejojnë një kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak, por në të njëjtën kohë nuk shkarkojnë kripërat, duke shkaktuar fryrje dhe rritje të peshës.
Shtimi i mundshëm në peshë: Disa studime kanë zbuluar se sulfonilurea mund ta rrisë peshën nga 3 deri në 5 kg, gjatë 12 muajve të parë të kurimit. TDZs është përgjegjëse për rritje të vogla në peshë: nga 1 deri në 2,5 kg.
Ç’duhet bërë: Sipas diabetologëve britanikë, ekzistojnë mundësi të ndryshme për përdorimin e ilaçeve kundër diabetit. Të tilla janë prandiali ose metaformina, që duket se kanë më pak efekte anësore në peshë.
ILAÇET PËR KONTROLLIN E PRESIONIT TË GJAKUT
Betabllokuesit përdoren për të kuruar sëmundjet kardiovaskulare, në rast hipertensioni arterioz, apo forma të aritmisë. Këto lloj ilaçesh veprojnë duke ulur nivelet e adrenalinës në sistemin nervor. Ndonjëherë, duke u ulur presioni i gjakut, zvogëlohet edhe aftësia e pacientëve për të djegur kaloritë, e si pasojë pacientët ndihen të lodhur dhe më pak të prirur për aktivitete fizike, duke i lënë rrugë të lirë shtimit në peshë.
Shtimi i mundshëm në peshë: Pacientët që marrin betabllokues për probleme kardiake për vite me radhë, rrezikojnë të shëndoshen nga 5 deri në 9 kg.
Ç’duhet bërë: Disa pacientë mund ta ndryshojnë kurën, gjithmonë duke u këshilluar me mjekun.
ANTIDEPRESIVËT
Sot shumë persona në botë vuajnë nga depresioni. Ilaçet që përdoren më shumë për të kuruar depresionin janë antidepresivët serotoninergjikët, ose SSRI (për shembull Prozac ose Seroxat, si dhe ilaçet e tjera që u korrespondojnë). Por ekzistojnë edhe disa lloje të tjera ilaçesh të quajtura TCAs. Këto ilaçe, përveçse ndikojnë në gjendjen mendore të pacientit, në të njëjtën kohë mund të prekin receptorët që i komunikojnë trurit gjendjen e etjes ose të urisë, duke e nxitur jo drejtpërdrejt të hajë më shumë.
Shtimi i mundshëm në peshë: Sipas studimeve të kryera në Shtetet e Bashkuara, gjashtë muaj pas pirjes së SSRI, pacientët paraqisnin një rritje në peshë deri në 10 për qind. Seroxat konsiderohet si përgjegjësi më i madh. Me TCAs pacientët shtonin nga 1-4 kg, por edhe nga 13-20 kg.
Ç’duhet bërë: Sipas një rishqyrtimi, ka gjasa që rritja në peshë të vërehet pas gjashtë muajsh përdorim të vazhdueshëm. Disa pacientë mund të provojnë të kalojnë te një familje më moderne antidepresivësh, me bazë bupropionin (më të njohurat janë Wellbutrin ose Zyban). Për arsye pjesërisht të njohura, këto ilaçe shoqërohen me prerje të oreksit.
KURAT KUNDËR KANCERIT
Zakonisht këto lloj terapish shoqërohen me humbje të peshës, por në rastin e kurimit me Megace, një ilaç që përdor si përbërës aktiv një element kimik të prodhuar nga trupi i njeriut, i ngjashëm me progesteronin, i përdorur për të bllokuar rritjen e kancerit, mund të vërehen edhe rritje të konsiderueshme në peshë. Po ashtu, ky lloj ilaçi përdoret për të stimuluar oreksin te pacientet anoreksike dhe ato nën peshë, sepse duket sikur arrin të nxisë receptorët e urisë. Një efekt tjetër anësor është edhe ndjesia e të vjellës, kështu mund të ndodhë që pacientët të hanë më shumë për ta frenuar këtë ndjesi. Veç të tjerash, një në dhjetë pacientë shëndoshet duke pirë ilaçin Tamoxifen për të kontrolluar rritjen e tumorit në gji, por një profesor britanik thekson se rritja në peshë është një shenjë që lidhet ngushtë me jetën sedentare të pacientëve.
Shtimi i mundshëm në peshë: Pirja e barnave kundër kancerit mund ta shëndoshë një pacient deri në 9 kg.
Ç’duhet bërë: Në rastet e trajtimit kundër kancerit nuk është e mundur të ndërrosh kurë. Mund të konsultoheni me mjekun tuaj për të bërë ushtrime fizike dhe për të mbajtur një dietë të shëndetshme.