Po ashtu, vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, bën të ditur se nuk i ka ardhur asnjëlloj kërkese për leje importi për këtë produkt. “Ministria e Shëndetësisë nuk e ka të regjistruar këtë lloj produkti, dhe nuk as të drejtë kontrolli apo bllokimi të tij. Janë institucione të tjera për këtë punë. Për barnat antikanceroze nuk ka asnjë ligj që i kontrollon”, - ka sqaruar ministri i Shëndetësisë, nëpërmjet zëdhënëses së tij për shtyp. Por, me gjithë këtë deklaratë, tashmë janë shtuar edhe më shumë enigmat rreth ilaçit që pretendohet se lufton jo vetëm kancerin, por edhe një sërë sëmundjesh të tjera. Preparati “Vitadox” vetëm para pak ditësh ka filluar të shitet në një farmaci në kryeqytet dhe kaq ka mjaftuar që lajmi të marrë dhenë se më në fund është gjetur edhe zgjidhja për kurimin e kancerit dhe se tashmë medikamenti i ardhur nga Kuba mund të blihet vetëm në Shqipëri. Por, ajo që mbetet ende e paqartë për këtë produkt të quajtur ilaç, është fakti se deri më tani askush nga institucionet përgjegjëse nuk bën të ditur sesi ka hyrë ky medikament në vendin tonë dhe sa i lejueshëm është ai për t’u përdorur nga njerëzit që vuajnë nga kanceri apo edhe sëmundje të tjera.
Deri më tani, institucioni që fajësohet, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë për futjen e këtij produkti në vendin tonë, aq më tepër që nuk është i lejuar as në vendet e Bashkimit Europian, është Dogana. Sipas specialistëve të sektorit të shëndetësisë dhe ata të tregut farmaceutik, Dogana është institucioni i parë dhe i vetmi që duhet të bënte kontrollin e këtij produkti. Përsa kjo gjë nuk bëhet e ditur se ka ndodhur, specialistët hedhin dyshime se produkti mund të jetë futur në Shqipëri në mënyrë kontrabandë, nëpërmjet metodës të quajtur me “trasta”, që lejon kalimin e tij me arsyen se sasia e marrë është për përdorim personal. Ndërkaq, burime të tjera bëjnë të ditur se sasia e “Vitadox” që ka ardhur në Shqipëri në datën 29 prill është e limituar, por kjo nuk do të thotë se pas mbarimit të saj, ky produkt nuk do të vijë më në vendin tonë, aq më tepër nëse asnjë prej institucioneve përgjegjëse nuk do të marrë masa, qoftë edhe për të sqaruar opinionin publik për preparatin në fjalë, pastaj të mbetet në dëshirën e pacientëve për ta përdorur ose jo atë.
Gjithsesi, ky nuk është një lajm që ka “pushtuar” vetëm vendin tonë, por edhe Italinë. Ditët e fundit në mediat italiane është raportuar shumë rreth këtij produkti, duke vënë theksin se ai është i pa certifikuar nga Bashkimi Europian dhe se nuk njihen vetitë e tij si medikament që shëron sëmundjen e pakurueshme deri tani, të kancerit. Ndryshe nga farmacia që tregton këtë produkt në vendin tonë, e cila ka sqaruar se në përmbajtjen e ilaçit gjendet vetëm helmi i akrepit blu, mediat italiane raportojnë se ai është i përbërë nga droga, helmi i gjarprit skorpions, helmi i akrepit dhe këta përbërës janë tretur në alkool.