Trajneri i Tiranës, Ilir Daja, nuk ka pranuar që të flasë për një objektiv konkret për sezonin e ri. Tekniku i cili u kthye në drejtimin e bardhebluve edhe pse dha dorëheqjen, ka shpjeguar edhe arsyen se pse nuk e bën një gjë të tillë.
"Padiskutim që duam të bëjmë një ekip fitues, por pa pasur një grup të plotë lojtarësh, do të ishte absurde të diskutonim për një gjë të tillë", tha trajneri. "Ndonëse prezantohem sot, ne kemi disa ditë që bashkëpunojmë. Synimi i parë ishte ruajtja e pjesës më të madhe të grupit. Një ekip nuk mund të ndërtohet brenda vitit nga e para. Kemi parë se ku duhet të përforcohemi, por duhet të fusim edhe rivalitetin në grup, në mënyrë që lojtarët që zbresin në fushë, të meritojnë fanellën që veshin".
Daja ka falënderuar klubin për besimin që i ka dhënë, ashtu si edhe tifozët që kërkuan kthimin e tij, edhe pse nuk arriti kualifikimin në Europë. "Falënderoj presidentin dhe drejtuesit e klubit për këtë besim që më dhanë për të vazhduar bashkëpunimin me klubin më të titulluar në Shqipëri. Një element i shtuar është suporti që kanë dhënë tifozët ndaj meje. Ndjehem i vlerësuar për faktin se pavarësisht se nuk u arrit objektivi i sezonit, u konfirmova përsëri. Besoj që në të ardhmen do të bëjmë maksimumin. Çelësi i suksesit do të jetë bashkëpunimi mes të gjithëve për objektiva madhore që i ka gjithmonë Tirana".
Në fund, ai u shpreh i sigurt se shumë shpejt, UEFA do të dërgonte konfirmimin për dënimin e Skënderbeut dhe zhvillimin e ndeshjeve të Tiranës në Europë, duke i hapur rrugë punës konkrete me skuadrën. "Kemi bërë projektin tonë, në momentin që do të vijë konfirmimi zyrtar, dhe mendoj se me përqindje të madhe mundësie do të vijë shpejt, do të shohim se çfarë ndodh. I kemi ndarë në dy etapa objektivat e ekipit. E para është emergjente për pjesëmarrjen europiane, që do të thotë që do të fokusohemi te grupi që kemi, apo nëpërmjet huazimeve, pasi është kohë e shkurtër në dispozicion. Mund të huazojmë, meqë është nevojë emergjente, për të qenë sa më efikas", shpjegoi ai.