Dhjetëvjetori i vdekjes së vëllait tuaj, shkrimtarit, poetit e politikanit të njohur Teodor Keko, u përkujtua në një numër aktivitetesh. Cila është përshtypja që këto ceremoni lanë tek familja e Dorit, siç na pëlqen ta quajmë?
Dhjetëvjetori i vdekjes së Dorit ishte menduar fillimisht të përkujtohej në një rreth të kufizuar miqsh me promovimin e librit “Si breshka në shpinë mbaj një varr”, por rrugës, u pa dhe kuptua që miqtë dhe dashamirësit e shumtë, kërkonin të ishin pjesë e përkujtimit të tij. Kështu, dorëzimi i Çmimit Kombëtar të Gazetarisë Kulturore për vitin 2011 nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe propozimi i saj e dekorimi nga Presidenti i Republikës, botimi i librit honorifik “In Memoriam, Një portret i paautorizuar”, mbi çfarë është shkruar dhe folur për të gjatë këtyre dhjetë viteve nga Universiteti Europian i Tiranës, çfaqja e premierës së filmit dokumentar “Letër dashurie për Dorin” realizuar nga Digitalb, më detyruan mua në mënyrë të natyrshme të shkoja nga përkujtimi familjar drejt organizimit të një mbrëmje - homazh.
Po ku? Fillimisht mendova ta organizoj në sallën e kinema “Milenium”, por shpejt e kuptova që ajo sallë ishte e vogël për miqtë e Dorit. Lista e gjatë e emrave më detyroi të ndaloj në Teatrin Kombëtar ku gjeta gjithë dashamirësinë e drejtorit të tij, Kristaq Skrami. Në një kohë rekord, falë bashkëpunimit me stafin e teatrit, gjithçka u bë gati dhe mbrëmjen e 5 shtatorit holli dhe skena e tij ishin në dispozicion të mbrëmjes – homazh “Mall për Dorin”.
Ishte një mbrëmje e paharruar… Besnik Mustafaj, Timo Flloko, Preç Zogaj, Natasha Lako, Bardhyl Londo, Remzi Lani, Artur Zheji, Zana Turku, Alfred Lelaj, Luljeta Lleshanaku, Henri Çili, Arjan Lleshi dhe Beti Njuma, janë disa nga miqtë apo dashamirësit e shumtë të Dorit që patën fatin të ngjiten atë natë në skenë, me nga një trëndafil në dorë. Emocioni ndihej dhe lexohej qartazi në sytë e tyre por dhe në ato të qindra të ftuarve që mbushën sallën dhe ndoqën në heshtje të plotë fjalët dhe poezitë e tyre kushtuar mikut të munguar, si dhe fjalën e Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani në ceremoninë e dekorimit dhe dokumentarin, transmetuar këto të fundit përmes ekranit të madh që zëvendësonte me imazhe foton e mrekullueshme të Dorit të qeshur. Ishte vërtet një mbrëmje e paharruar, për ne si familjarë të Dorit, por, edhe për miqtë e Dorit.
Sapo ka dalë në qarkullim libri më i fundit i Teodor Kekos, më së shumti me materiale të pabotuara, me titull "Si breshka mbi shpinë mbaj një varr". Ky libër ka një histori intriguese pas vetes. Cila është ajo?
Eshtë e vërtetë. Pjesa më e madhe e materialeve që janë botuar në 312 faqet e këtij libri janë të panjohura për lexuesin, por jo vetëm për të, Deri para tre muajsh, edhe për mua. Fati e desh që të kontaktoja me zotin Arben Shkodra, nënpunës në Kryeministri që nga koha kur edhe Dori punonte aty. Dhe befasia ishte e jashtëzakonshme. Ky njeri i cili vetëm kishte dëgjuar të flitej për të pasi në atë kohë ai ishte i sëmurë dhe i duhej të shkonte e vinte për kurim në Selanik, pas vdekjes së Dorit, mblodhi gjithçka gjeti në tavolinën e tij të punës dhe i ruajti ato për dhjetë vjet. Janë më shumë se pesëdhjetë faqe… tregime, poezi, një fragment drame, vazhdimi i një romani si dhe dhjetra copa letra me shënime…
E paimagjinueshme dhe e rrallë po të mendosh që Arben Shkodra nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me letërsinë. Në një kuptim, me emrin e tij lidhet vetë fati i këtij libri, sepse po të mos ishte ai dhe po të mos i kishte ruajtuar ai ato fletë, ky libër nuk do të mund të botohej asnjëherë. Sot që ai është në dorën e lexuesit, unë jam i lumtur pasi, me mënyrën si është konceptuar, kushdo që e merr në dorë, do të mund të kuptojë më mirë përmes rreshtave që ai ka shkruar apo planeve krijuese që ka skicuar, forcën shpirtërore dhe kurajon e madhe të Dorit jo vetëm për të përballuar sëmundjen, por edhe për të sfiduar vdekjen që nxitonte ta merrte. Në sinkronë të plotë me të, për fattin e mirë dhe të madh të librit, janë edhe kujtimet e miqve të tij të afërt gjatë kësaj periudhe të vështirë të jetës së Dorit. Unë besoj se ky libër është një botim i veçantë dhe me interes në llojin e tij.
Pas këtij libri, a mendoni se kanë mbetur materiale të tjera ende të pazbuluara të Teodorit?
Po. Unë vetë kam dhe disa materiale të tjera, kryesisht krijimtari në vargje si, pjesën e dytë të poemës “E të tjera, e të tjera…”, disa vjersha, më shumë të personalizuara, shkruar në kohë të ndryshme, para vitit 2001. Kjo është dhe arsyeja që ato nuk janë përfshirë në këtë përmbledhje. Ndërkohë, miq të Dorit, herë pas here, më telefonojnë apo dërgojnë fjalë se kanë, dikush një dorëshkrim, dikush një poezi, dikush disa shënime të tij… I fundit që më ka dërguar fjalë dhe që pres ta takoj është Fadil Smajli i cili paska dy dorëshkrime të Dorit… Nuk besoj të jetë i fundit.
Çfarë përfaqëson sot për lexuesin shqiptar, por edhe opinionin publik në përgjithësi, trashëgimia letrare e publicistike e Teodor Kekos?
Unë e kam të vështirë si vëllai i Dorit t’i përgjigjem kësaj pyetje, por… Fakti që librat e tij janë ende të kërkuar dhe vështirë t’i gjesh në librari, tregon se letërsia e shkrimtarit Teodor Keko ka qenë dhe mbetet më shumë se interesante. Kjo ndoshta për mënyrën si zbuloi tranzicionin shqiptar dhe tjetërsimin e njeriut dhe shoqërisë në këto njëzetë vjet, veçanërisht në prozën e shkurtër. Ndoshta për stilin e tij të lirshëm dhe jashtë klisheve duke sjellë në letërsi një risi. Ndoshta… Më mirë le të flasin dhe shkruajnë ata që merren me këto punë pasi, ky është momenti i tyre. Në një kuptim, përkujtimi duhet t’ia lërë vendin tani analizës dhe studimit, gjithnjë në se meriton që letërsia e tij të analizohet e studiohet.
Si do ju përgjigjeshit skeptikëve që kritikuan atë që ata e konsideruan si teprim, në organizimin e aktiviteteve për dhjetëvjetorin e vdekjes së Teodor Kekos?
Unë bëj atë që më takon të bëj për vëllain tim dhe asgjë më shumë. Sa për ata që mendojnë ndryshe, ky nuk është problemi im dhe as faji i Dorit që, vërtet nuk pati fat në jetë që të jetonte gjatë, por është ndër njerëzit më me fat në atë botë pasi ka lënë shumë miq e dashamirës mbi tokë të cilët e kujtojnë në mënyra të ndryshme, me rast e pa rast, dhe përpiqen të kontribuojnë, gjithsecili sipas mundësive. Ç’të them më shumë?...
Unë e kuptoj inatin e tyre të vjetër me disa të gjallë, por nuk e kuptoj pse kanë frikë t’ua përmendin emrat edhe pas tridhjetë vjetësh këtyre të gjallëve dhe merren me një të vdekur?!... Për ta mbyllur, ata pak skeptikë që u ka mbetur merak se Teodor Keko po lëndohet nga lëvdatat, i ftoj publikisht të marrin pjesë në përkujtimin e tij më 20 gusht 2022 për të parë me sytë e tyre se Dori, edhe njëzet vjet pas vdekjes ka më shumë miq e dashamirës se ata në gjallje.