Gjykata e Tiranës do të japë sot masën e sigurisë për Ilir Kupën, të arratisurin nga burgu i Trikalas në mars 2013. Kupa u arrestua nga policia ditë më parë në afërsi të kryeqytetit, ndërsa akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Gjatë seancës së sotme Kupa është revoltuar në sallën e gjyqit, ku ka thënë se në Shqipëri s’ka kryer asnjë krim, veç armëmbajtje pa leje. Ai ka kërkuar të zbardhet vrasja e shokëve të tij.
“Janë gjëra që nuk duhet të diskutohen, s’kam asnjë vepër penale në Shqipëri, përveç një armëmbajtje pa leje”, tha Ilir Kupa sot në seancën gjyqësore në Tiranë.
Ndërkohë, në Tiranë ndodhen edhe një ekip i policisë greke të cilët kërkojnë ekstradimin e Ilir Kupës, i cili akuzohet në Greqi për një sërë veprash penale. Policët grekë, që ndodhen në Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me homologët e tyre shqiptarë, do të kontrollojnë vendin ku qëndronte i fshehur i arratisuri, ndërsa do të marrin në pyetje edhe shumë të kërkuarin, me qëllim që të zbardhin arratisjen e tij nga burgu i Trikalas.
Autoritetet greke synojnë të mësojnë se cilët e organizuan arratisjen, cilët merrnin pjesë në organizim dhe sidomos të gjejnë të dhëna lidhur me rrjetet që ekzistojnë brenda dhe jashtë burgjeve, si dhe bashkëpunëtorët e të arratisurve. I arrestuari po mbahet nga policia shqiptare, ndërsa kanë filluar procedurat për ekstradimin e tij në Greqi, ku akuzohet për një sërë veprash penale, si vrasje me dashje, vrasje me dashje e mbetur në tentativë, grabitje me armë dhe vepra të tjera.
‘Bëni çfarë të doni me mua, vetëm në Greqi mos më çoni”. Kjo ka qenë fraza e të shumëkërkuarit prej 10 -muajsh Ilir Kupa, sapo është arrestuar nga policia e Tiranës. Ilir Kupa, 27 vjeç u arratis ne mars 2013, së bashku me dhjetë persona të tjerë nga burgu i Trikallas, ndërsa gjatë ndjekjes së policisë greke, tre prej tyre mbetën të vrarë, dy prej të cilëve ishin Marjan Kola dhe Edison Lika. Për të shumëkërkuarin Ilir Kupa policia greke gjatë verës i përcolli informacion palës shqiptare për dyshimet se, ai kishte kaluar kufirin së bashku me një të dënuar tjetër.