Ilva Tare Kush e tha qe gazetaria e politika jane per burrat

Ilva Tare: Kush e tha qe gazetaria e politika jane per burrat
Ishte vetëm 17 vjeç, kur provoi gazetarinë dhe iu përkushtua asaj me pasion dhe impenjim maksimal. Nuk mund ta dinte se një ditë, përballë saj do të uleshin njerëzit më të pushtetshëm në vend e do t’i përgjigjeshin pyetjeve, të cilat ajo gjithmonë i bën, duke pasur parasysh një publik të tërë që do të pyesë, por nuk mundet, sepse nuk ka as mikrofon, as kamera, as hapësirë mediatike.  

Është e vështirë të pyesësh dikë që është mësuar të pyesë, aq më tepër që ajo të “gozhdon” me sinqeritetin dhe të qenit e drejtpërdrejtë, pavarësisht se përballë kujt ndodhet. Vetëm pak ditë përpara se të nisë pushimet, ajo përgjigjet për “Gazeta Shqiptare”, sikundër vetëm ajo di: shpejt dhe pa komplekse.

Nga varet dashuria jote për punën?

Nga humori i ditës patjetër. Nëse do ta ndanim me përqindje, ka raste kur do punën, sidomos pas një suksesi të dukshëm. Ka raste kur do njëqind për qind lirinë tënde, por pavarësisht kësaj nuk mund të jetoj dot pa të, nuk ndodh. Sapo mbyllet mbrëmja e së martës, më shfaqet para syve paneli i së premtes, kur mbyllet i së premtes, mendon sa shpejt vjen e marta. Më mban në formë.

Pse i vure emisionit emrin tënd? Duket si mungesë modestie… Ta kanë keqkuptuar ndonjëherë?

Jo, nuk kam marrë komente negative, për hir të së vërtetës. Sa për emisionin, doja t’i jepja atij, imazhin tim, fytyrën time, shpirtin dhe përkushtimin tim, gjithë çka kisha investuar profesionalisht në tërë këto vite. Mendoj se ka ardhur koha, si gjithkund, edhe në Shqipëri, që emisionet identifikohen nga autorët e tyre.

Fundja emisioni im ishte. Ç’mëkat do të qe të mbante emrin tim? Nuk e shpika unë; kam parë që përdoret jashtë dhe nuk m’u desh të pyes veten: Pse jo?

 Thonë që je vajza, femra, gruaja që “ua mbledh” burrave…

Varet se çfarë kupton secili me “ta mbledh”. Nuk më pëlqen ta quaj vënie përpara të panelit. Pyetja ime nuk është vetëm imja, është e një publiku që s’ka mundësi të pyesë aq drejtpërdrejtë; kjo është arsyeja që këmbëngul për të marrë një përgjigje. Kjo marrëdhënia e pyetjeve-përgjigjeve të drejtpërdrejta nuk është shumë e zhvilluar, ndonëse emisionet u përkasin teleshikuesve.

Insistimi…duket si arsye që të jep më shumë siguri pasi gjykimi tipik shqiptar është se gazetaria politike i përket meshkujve…

Politika, gazetaria politike dhe e çdo fushe tjetër asnjëherë nuk kam menduar se ka gjini. Koha ka qenë një dëshmitare shumë e mirë e gjithë kësaj. Pse insistimi dhe njëlloj këmbëngulje sistematike për të marrë një përgjigje u toleroka për meshkujt, ndërsa për femrat tingëlloka e panatyrshme?

Ky lloj profili pune ka dy koefidenca: Atë që përdor për të mos marrë një “Jo” si përgjigje dhe atë që duhet të shmangësh për të mos rënë në kompromis kur je “on air”….A janë të menaxhueshme?

Dilema midis marrëdhënies të krijuar ndër vite dhe poltronit përballë plazmës së madhe në studio ekziston sigurisht, por po ju them me sinqeritet që ime më të jetë e ulur aty, ajo që më bëri, më rriti, sakrifikoi për mua, do të pyetej njësoj prej meje. Është emision i teleshikuesve dhe ata duan përgjigje, pavarësisht se kush pyet e kush pyetet.

I ndjek kolegët në televizione të tjera?

Po, aq sa mundem. Dy herë në javë është e pamundur. Pjesën tjetër je diku jashtë dhe mbetet pak kohë, por kur kjo e fundit gjendet, e bëj patjetër.

Po “qoka” a bën në emision?

Ndodh të vetësugjerohen njerëzit. Kur ekspertiza e tij, përvoja, studimi, shkrihen me temën, e mirëpres me kënaqësi.

Dalim pak jashtë punës…Besoj e di që ti ishe këtu, edhe kur nuk ishe këtu. Nëpërmjet shtypit ne mësuam itinerarin tënd, jashtë Shqipërisë, garderobën tënde…
Unë kam qenë me fat, për sa i përket vëmendjes që shtypi, si ai serioz, si tabloidet, më kanë kushtuar, edhe pse jo gjithmonë e kam dashur, sidomos për sa i përket gjërave të mia personale.

Dikur nuk e kishe kaq problem. Ke folur për martesën, bashkëshortin atëherë…

Asnjëherë nuk kam folur vetëm për martesën. Kam thënë: do të flasim edhe për martesën, krahas gjërave që lidhen me mua dhe projektet e mia profesionale.

Po detajet që zgjodhe? Pantallona në vend të fustanit; a nuk ishte arsye për të tërhequr vëmendjen?

Po për vete, jo për publikun. Unë gjithmonë kam qenë kundra rrymës. Që në fëmijëri, isha vajza më e madhe, pas meje dhe dy të tjera dhe nuk kam qenë kurrë e përkëdhelur, përkundrazi isha çapkëne e kritikohesha, sidomos për mësimet e violinës. Kështu u rrita dhe në martesën time nuk mund të kisha dasmën klasike, sepse unë nuk jam nusja klasike. Nuk mund të luaja virgjëreshën, ndërkohë që virgjërinë e kisha humbur prej kohësh. Kur të martohem sërish, premtoj që nuk do të kem pantallona, por nuk e di çfarë do kem.

Do martohesh sërish? Mendova se duke u divorcuar, mund të të ishte mërzitur martesa e s’do ta çoje më kurrë nëpër mend një të dytë…

As nuk e këshilloj martesën, as jap këshilla kundër saj. Në momentin që kushdo, edhe unë vetë, kam një lidhje shpirtërore dhe dua të krijoj familje, nuk kam për ta menduar dy herë. Do ta bëj një orë e më parë.

Duket sikur dëshiron të presësh dikë ose të të presin, ndërkohë që dera e apartamentit hapet…

Zakonisht kam pritur, por tani që po më pyet për plotësimin afër ideales, mendoj se njeriu kurrë s’mund t’i ketë të tëra njëherësh. Mund të ketë periudhë shumë të mirë për jetën private, një tjetër periudhë për punën, por të tëra në të njëjtën kohë, si zor t’i përjetojmë.

E ndan përvojën tënde me të tjerët?

Po, nuk e di pse më pyesin e u dukem me shumë eksperiencë, por patjetër, nëse diçka që kam përjetuar unë më parë, u hyn në punë atyre, pse jo?

E do martesën, familjen… po fëmijët? Ç’ndjen kur duhet të blesh diçka për një fëmijë të sapolindur të një miku, mikeshe?

Apo nuk kam shumë! (qesh) Edhe këtu tregoj që jam kundra rrymës. Nuk hyj në dyqane, por porosis diçka të personalizuar në internet. Kurse për vete, po, e mendoj. Nuk i trembem përgjegjësive. E mendoj, por as nuk çmendem për të që të them: dua një fëmijë dhe e dua tani. Ajo vjen si pasojë e shumë faktorëve situatave, madje edhe i elementeve si fati apo Perëndia që mund të vendosin të të lënë edhe pa të. Duhet të mirëpresësh gjithçka.

Po vijnë pushimet… Si i ke planifikuar?

Londër, mezi po pres. “Tonight…” e ka fajin, sepse prej tij kam një vit pa shkuar atje. Nuk doja të shkoja vetëm për fundjavë, sepse duhet ta shijoj në maksimum.

Duket sikur po flet me nostalgji…

Nuk është nostalgji. Për mua Londra është park, gjelbërim, frymëmarrje, frymëzim, opera më e mirë, artisti më i mirë, teatri i fundit, shopping çlodhës, një gotë verë buzë lumit…ç’të të them tjetër? Çfarë i duhen më pushimeve?

Kozeta Kurti Gazeta Shqiptare

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama