Ina Kosturi & Rudina Ciko koncert per ministrin e pare shqiptar te Poste-Telegrafeve Lef Nosi

Ina Kosturi & Rudina Ciko, koncert për ministrin e parë shqiptar të Postë-Telegrafeve, Lef Nosi
Lef. Nosi, dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, firmëtar i Aktit të Pavarësisë në vitin 1912, krijues i filatelisë shqiptare, kryetar i Bashkisë së Elbasanit në periudhën e qeverisë së Fan Nolit, u shqua me botimin e gazetës “Tomorri”, krijimin e shoqërisë “Afërdita”, letërkëmbimet me shumë personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë dhe historisë.

I përkushtuar ndaj gjurmimit të dokumenteve historikë, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike, u shqua si arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog etj. Botoi fletoren “Dokumenta historikë” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25 vjetorit të asaj ngjarjeje të madhe. Në tetor 1943 u zgjodh antar i Këshillit të Lartë.

Më pas, ai do të dënohet me vdekje dhe pushkatohet në vitin 1946. Në nderim të tij, koncerti instrumental që do të zhvillohet në Akademinë e Arteve, përtej interpretimit të veprave të repertorit klasik, sonatave të Brahmsit e Shumanit, sjell tingujt e veprave të vjetra shqiptare për violinë e piano, që interpretohen për herë të parë duke sjellë në skenë edhe sonatën e Nolit për violinë e piano, të kompozuar më 1937-n dhe një tjetër pjesë që mban emrin e një personaliteti të shquar të botës muzikore shqiptare si Thoma Nasi, e titulluar “Fyelli i bariut”. Pjesët do të interpretohen në skenën shqiptare nga duoja Ina Kosturi e Rudina Ciko. Sonata e Nolit është përzgjedhur edhe për faktin e miqësisë së ngushtë të këtyre patriotëve të shquar.

Aida Cama : DW

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama