Ish- kryeprokurorja Ina Rama flet në studion e Top Channel
Zonja Rama ju si e shihni refuzimin e kërkesës tuaj për t’u kthyer në gjyqësor?
E shoh si një vendimmarrje të marrë në kundërshtim me ligjet e këtij vendi dhe gjithë kuadrin ligjor që është në fuqi. Unë kam prezantuar që janarin e vitit që shkoi, janarin e vitit 2013, kërkesën për t’u rikthyer në detyrën e gjyqtares së Apelit të Tiranës, një kërkesë e prezantuar në KLD dhe një kërkesë bërë me dije edhe Presidentit të Republikës, për shkak të kompetencave të Presidentit në axhendën e KLD dhe tagrin kushtetues që ai ka. Kam pritur për më shumë se një vit që kjo kërkesë të futet në një nga mbledhjet e radhës që KLD, e cila vitin që kaloi ka zhvilluar shumë mbledhje dhe të marra kryesisht me….
Pse mendoni se nuk u fut në rendin e ditës dhe u mbajt kaq gjatë në sirtarë?
Në qoftë se do më duhet të jap arsyet e mija, sigurisht do t’i lidh ato me arsye politike. Nuk gjej asnjë argument ligjor që të justifikojë mbajtjen pezull, në sirtar, të kërkesës sime për t’u shqyrtuar nga KLD. Ligji shprehet se Prokurori i Përgjithshëm në mbarimin e mandatit të tij kthehet në të njëjtën detyrën e mëparshme ose në një të barasvlershme me të, ose qëndron si Prokuror në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo çështje është mbajtur pezull prej një viti. Unë i jam ridrejtuar Presidentit, Zv/kryetarit të KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë përpara dy muajsh me një kërkesë tjetër, për t’i rikujtuar kërkesën time, për ta futur këtë çështje në rendin e ditës. Ndaj kësaj kërkese ka reaguar vetëm Ministri i Drejtësisë, i cili ka kërkuar që çështja ime të futet në rendin e ditës të mbledhjes së KLD-së. Përsëri nuk pati asnjë lloj reagimi as nga Presidenti dhe as nga Nënkryetari i KLD-së në përgjigje.
Cilat janë hapat që do të ndërmerrni pas këtij refuzimi?
Do të më duhet kohë ta mendoj këtë gjë. Bëhet fjalë për të zgjedhur problemin e të ardhmes time dhe të punësimit tim. Patjetër që do të ndërmarr hapat që do të gjykoj të arsyeshëm dhe do t’i shikoj të përshtatshme. Por patjetër që do të më duhet kohë për ta ndërmarrë këtë. Shpresoja që KLD do të reagonte në përputhje me ligjin në këtë vendimmarrje dhe jo ta shkelte atë, siç ndodhi sot.
Ju keni qenë kryeprokurore dhe keni pasur në dorë çështje shumë të bujshme, siç janë dosja “Durrës-Kukës”, “Gërdeci” apo “21 janari”. Mendoni se drejtësia është vënë në vend për këto çështje?
Në kohën që ne kemi ngritur akuzën dhe kemi shprehur qëndrimin tonë final për këto çështje dhe gjykatat gjithashtu kanë mbajtur një qëndrim të tyre. Nëse unë nuk gabohem, për të gjitha këto çështje që ju përmendët, gjykatat nuk kanë mbështetur atë pretendim që ne kemi patur. Pra nuk kanë mbështetur Prokurorinë në të gjitha kërkesat e saj. Duke qenë persistente dhe konsistente në gjërat që unë kam bërë në cilësinë e Prokurorit të Përgjithshëm më duhet të them se Drejtësia nuk është vendosur për këto çështje. Në këndvështrimin gjithmonë të Prokurorit të Përgjithshëm që ka miratuar, ka mbështetur pozicionin e prokurorisë në atë kohë.
Nëse do ta kishit sërish këtë detyrë, çfarë do të bënit ndryshe me këto dosje kaq të rëndësishme, që gjykatat të mos i hidhnin poshtë?
Unë nuk besoj se gjykatat i kanë rrëzuar ato çështje për shkak të mangësisë së punës së prokurorisë. Sigurisht ato kanë qenë dosje komplekse, çështje të vështira. Mund të hetoheshin edhe më mirë me një suport më të madh të institucioneve të tjera shtetërore që marrin pjesë në hetim. Ju e dini shumë mirë në çfarë klime janë hetuar ato dosje. Kanë qenë të gjitha dosje sensitive me ngarkesa politike, në të cilat prokuroria ka mbetur edhe e vetme në hetimet që ka bërë. Me një mbështetje tjetër, me një këndvështrim tjetër, me një mbështetje politike tjetër, ndoshta do të kishim rezultate më të mira. Por, përsëri, unë besoj që vendimmarrja nga gjykatat për ato çështje nuk lidhet me defekte të punës së prokurorisë, por me qasje të ndryshme të gjykatës ndaj çështjeve që ne kemi dërguar në gjyq.
Si e shihni propozimin për një prokuror apo një grup prokurorësh të huaj për “21 janarin”?
Është një propozim që ndoshta duhet të valutohet në një kontekst të caktuar. “21 janari” është një çështje që për një pjesë të madhe të saj ka marrë një rrugë gjyqësore dhe tashmë është gjykata që duhet të vendosi mbi akuzat e ngritura. Një pjesë e çështjes që është ende në Prokurori mund të hetohet nga prokurorë shqiptarë, mund të ketë asistencë nga prokurorë të huaj. Është pak sfiduese do të thosha si ide, por ndoshta, ndoshta, nuk është shumë e përshtatshme të thuhet, ndoshta ka nevojë që ne, jo vetëm prokuroria, por sistemi, të asistohet me një ndihmë konkrete nga ekspertë të huaj.
Flitet gjithnjë për reformë, por ku duhet të jetë më urgjente ndërhyrja, në gjykatë apo në prokurori?
Unë nuk mendoj se duhen veçuar problemet, ato duhen parë në mënyrë integrale. Por gjithmonë jam e idesë se në qofte se do të përcaktojmë momentet delikate dhe që duhet të kenë prioritet, e gjitha kjo duhet t’i nënshtrohet një procesi shumë të kujdesshëm ekspertësh, analistësh, politikanësh, për të bërë prezent problematikën qoftë në aspektin teknik, qoftë në aspektin politik, të problemeve sociale apo të nivelit të integritetit e moralit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, për të parë se ku çalon problemi, ku është defekti kryesor. Në thelb, në thelb mendoj që çdo reformë duhet të ketë si synim në drejtësi mbështetjen dhe motivimin e elementëve pozitivë që pa diskutim janë, ekzistojnë dhe kanë nevojë të ndjejnë që shteti i mbështet në betejën e tyre, në sfidën e tyre për të vendosur drejtësi në këtë vend, e cila, mendoj, që është më e nevojshme se asnjëherë.