Një gjë e tillë u konfirmua dje edhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani në konferencën e zhvilluar pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “Kërkesa e sektorit privat të ekonomisë ka pasur norma pozitive, por të ngadalta, të rritjes. Ritmet e konsumit privat mbeten të përmbajtura, të ndikuara nga pasiguritë për të ardhmen dhe një sjellje konsumatore hezituese”,- tha Fullani.
Njëkohësisht me këtë, individët kanë qenë më të kursyer në drejtim të investimeve. “Edhe investimet private mbeten gjithashtu, të ngadalta. Kërkesa e huaj në rritje, ka mbështetur zgjerimin e investimeve në sektorin e industrisë, por kërkesa e brendshme e ngadaltë nuk ka favorizuar rritjen e investimeve në sektorët e shërbimit e të ndërtimit”,- vijoi Fullani.
E gjithë kjo panoramë është pasqyruar menjëherë tek kreditë, ku të dhënat tregojnë se ka një rënie të theksuar të kërkesës për kredi. “Analizat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se rritja e moderuar e kredisë mbetet më së pari një funksion i kërkesës së reduktuar të ekonomisë për të. Ky qëndrim konfirmohet nga opinionet e bizneseve, të cilat shfaqin një tendencë të dobët për investime, por edhe nga reduktimi i numrit të aplikimeve për kredi pranë bankave të nivelit të dytë”, – vijoi kreu i BSH-së.