Ai iu përgjigj me një buzëqeshje thuajse të shuar. Flokëverdhë dhe syshkruar, tipike për një kukull Barbi, është gruaja që drejton akuzat në gjyqin e vrasësit masiv, në gjyqin që po shqyrton rastin më të rëndë të ndodhur në Norvegjinë e paqtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por dukja dhe veprimi i kësaj prokuroreje është një fasadë që nuk flet në fakt për të vërtetën. Pas fytyrës së bardhë dhe në dukje krejt paqësore, pas syve të shkruar ndodhet vullneti i hekurt i një gruaje që drejtohet nga bindja e palëkundshme në mënyrën skandinave të trajtimit të krimit dhe të kriminelëve dhe mbi të gjitha në mënyrën e dënimit të kriminelëve që shpesh është konsideruar nga “të huajt” si një mënyrë “tepër e butë”.
Në komentet e bëra para fillimit të gjyqit, Bejer Engh bëri të ditur se ndihej e nderuar që ishte pjesë e grupit të prokurorëve. “Ky rast do të më japë mundësinë të tregoj sistemin tonë human të drejtësisë para gjithë botës”, deklaroi ajo para gazetarëve të shumtë, pak para fillimit të seancës së parë të gjyqit. Këtë javë, taktikat e saja mjeshtërore në sallën e gjyqit të njeriut që u mori jetën 77 personave krejt të pafajshëm, të gjithë të rinj në moshë, i kanë qetësuar të gjithë ata që kishin frikë se mos Breivik do të arrinte që të manipulonte lehtësisht procesin, duke mbjellë idetë dhe kredot e tij raciste. Prokurorja gjithsesi u tregua shumë civile gjatë gjithë procesit, një veti që është shpesh shumë e vështirë për t’u gjetur te prokurorët e tjerë në të gjithë botën, veçanërisht në raste të tilla ekstreme, ku shprehjet e agresivitetit, padurimit e madje dhe bërtitjet janë pjesë e proceseve dramatike.
Në Norvegjinë e sotme, e cila ende nuk e ka marrë veten nga trauma e madhe kombëtare me të cilën u përball në 22 korrik të vitit të kaluar, pikërisht kjo prokurore po lëvdohet dhe po merr mbështetje për performancën shumë pozitive që pritet të përcaktojë edhe rezultatin përfundimtar të gjykimit. Ndoshta do të varet prej saj nëse një vend i paqtë dhe civil si Norvegjia do të vazhdojë edhe më tej me metodën humane të zgjidhjes së konflikteve penale, apo do të ndryshojë, pikërisht pas kësaj ngjarjeje shumë të rëndë dhe me pasoja tragjike për të gjithë. Gjithsesi nuk ka asnjë dyshim se ky do të jetë një gjyq që do të përfundojë me dënimin e të akuzuarit të madh. Vrasësi masiv e ka pranuar edhe vetë vrasjen e të rinjve në ishull dhe ata që u vranë si pasojë e bombave që u vunë në Oslo. I veshur si një oficer policie, Breivik mbërriti në ishullin e Utojës disa orë pas shpërthimit të bombave në Oslo dhe sipas planeve që i kishte bërë kohë më parë dhe i kishte llogaritur me saktësi, kreu masakrën ndaj të rinjve që ishin mbledhur për një aktivitet partiak. Të gjitha këto vrasje janë bërë nga ana e tij me një gjakftohtësi jashtëzakonisht të madhe dhe me një precizion të rrallë. Të rinjtë janë goditur veçanërisht ndërsa ishin duke u futur në ujë të tmerruar nga ajo që po ndodhte.
Vrasësi deklaroi para gjykatësve se veprimet e tij ishin të pamëshirshme, por “të nevojshme”, sepse ishin një pjesë integrale e një lufte kundër “multikulturalizmit marksist” dhe mbështetësve të Partisë Laburiste, e cila po lejonte palën e myslimanëve që të vinte në Europë. Breivik deklaroi se fushata e tij bazohej tek e mira dhe jo tek e keqja, sepse kishte në qendër të saj dhe si objektiv pikërisht shpëtimin e ekzistencës së europianëve të bardhë. Ai ngulmoi se ajo u organizua nga një grup klandestin i së djathtës ekstreme, i njohur si “Kalorësi Tempullar”. Tani e gjithë çështja rreth së cilës po vërtiten debatet dhe vetë procesi gjyqësor është shpallja e tij “i aftë”, apo “i paaftë” mendërisht. Psikiatrit dhe mjekët e specializuar janë ndarë në dy kampe në lidhje me këtë çështje dhe do të jetë gjykata ajo që do të thotë fjalën finale për këtë përcaktim. Në sytë e fanatikëve të së djathtës ekstreme, një verdikt për gjendjen e tij normale mendore do të përbënte një justifikim për veprimet e tij kriminale. Si pasojë e një vendimi të tillë, ai do të burgosej dhe ndoshta nga ana e të djathtëve ekstremë mund të konsiderohej edhe si një martir.
Megjithatë, nëse ai do të shpallej “i paaftë mendërisht” do ta kalonte pjesën e mbetur të jetës në një spital psikiatrik dhe kauza e tij në sytë e ndjekësve potencialë të tij do të shkatërrohej. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, përgjatë hapësirës së dy orëve, prokurorja duket se i ka mëshuar shumë idesë për shpalljen e të akuzuarit “të paaftë mendërisht”. Me një qetësi të jashtëzakonshme, ndërsa fliste para të akuzuarit që qëndronte para saj i ulur, ajo i tha atij se prokurorët nuk kishin asnjë lloj prove apo fakti për ekzistencën e “Kalorësve Tempullarë”. Më tej ajo e shtjelloi gjithë çështjen në favor të idesë se gjithçka kishte qenë pjellë e mendjes së sëmurë të të akuzuarit, i cili kishte qenë një braktisës shkolle dhe një biznesmen i dështuar dhe tepër i dhënë pas lojërave kompjuterike me luftë, të tilla si “World of Warcraft”.
Breivik kishte pretenduar më parë se ai ishte urdhëruar nga të ashtuquajturit “Kalorësit Tempullarë” gjatë një takimi të bërë në Londër në pranverën e vitit 2002. Sipas tij, në këtë takim, nëntë prej strategëve politikë më brilantë të Europës “u betuan në një ceremoni, në të cilën merrnin pjesë të gjithë të veshur me uniforma dhe doreza të bardha”. Po sipas rrëfimit të tij, anëtarët e këtij grupi përfshinin edhe mentorin e tij me emrin “Riçard zemërluani”. Por, pas disa pyetjeve të shpejta dhe të holla nga ana e prokurores, Breivik ka nisur që të japë përgjigje të ndryshme e aspak të sakta dhe në këto rrethana teksa e shihte që situata po i rrëshqiste nga duart, ai ka vendosur që të heshtë dhe të mos ta vazhdojë më marrjen në pyetje nga ana e prokurores.
41-vjeçarja Inga Bejer Engh është një nga prokuroret e karrierës më të famshme në vend dhe e ka arritur këtë pozicion kohë më parë. Pasi studioi të drejtën ndërkombëtare, nisi punën në vitin 1997 në Kombet e Bashkuara si këshilltare ligjore. Më pas ka punuar që prej dhjetë vjetësh si prokurore e shtetit në Norvegji, duke pasur disa çështje të vështira të suksesshme në disa prej krimeve më të mëdha të vendit. Në vitin 2002, ajo ishte pjesë e një grupi prokurorësh, të cilët u morën me çështjen e helmimit të pijeve alkoolike nga një grup mafiozësh në vend, veprimet e të cilit u kishin marrë jetën tetë personave.
Më pas ajo futi në burg një burrë që kishte hedhur acid në fytyrën e së shoqes. Ajo ka qenë gjithashtu edhe pjesë e grupit të prokurorëve që gjykuan një neonazist norvegjez. Ajo është nëna e dy djemve të vegjël dhe jeton në periferi të Oslos. Çdo mëngjes çon djemtë e saj në kopsht dhe më pas merr rrugën për në punë, në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme të vendit. Kur u dha lajmi për bombën që kishte vënë Breivik, ajo ishte në makinë së bashku me dy djemtë e saj. Reagimi i parë që pati me të dëgjuar këtë lajm ishte se si mund t’i ndalonte djemtë që të mos e dëgjonin një lajm të tillë, që do t’i trondiste pa masë.
Gjatë marrjes së gjatë në pyetje të të akuzuarit të madh, në seancën e parafundit ajo ngulmoi me të gjithë profesionalizmin e saj që ta detyronte Breivik të çorientohej në lidhje me aktet dhe ngjarjet që pretendon se janë të vërteta. Dhe në fund të marrjes në pyetje, beson se ia ka arritur që të tregojë se njeriu që mori kaq shumë jetë njerëzish nuk është aspak normal, por ka jetuar në një botë ëndrrash dhe fantazish.
Ndërsa në lidhje me disa vërejtje që i bënë, sepse i shtrëngoi dorën Breivikut kur ai erdhi për herë të parë në sallën e gjykimit, ka thënë: “Unë kam të njëjtën etikë profesionale me të gjithë të akuzuarit. Sipas përvojës sime, në këtë mënyrë përfitoj më shumë prej tyre”. Ajo është e bindur që kjo është çështja e jetës së saj dhe në këtë rast do të japë më të mirën që ka brenda vetes.