Ingrid Gjoni nga PUB-i ne komisariat

Ingrid Gjoni, nga PUB-i në komisariat

Patrullat e Përgjithshme të Policisë shoqërojnë te pub “Kanon” këngëtaren Ingrit Gjoni dhe e procedojnë për fyerje dhe kundërshtim të punonjësit të policisë gjatë kryerjes së detyrës. Ndërsa këngëtarja e pyetur nga Gazeta, ka akuzuar policët se “ia kanë bërë për inat”, por ka pranuar se ka pasur një konflikt mes grupit të miqve me të cilët ajo ndodhej dhe policisë. Sipas këngëtares Ingrid Gjoni, ajo së bashku me 14 miq të saj, përfshi edhe Çiljeta Xhilagën, ishin duke dëfryer në pubin “Kanon”, pas spektaklit “Miss Globe International”, kur për shkak të një mikeshës së tyre, që siç duket e kishte tepruar me pijen ka ndodhur incidenti me policinë. Ndërhyrja e policëve të patrullës së përgjithshme që mbikëqyrin zonën e Bllokut ka irrituar grupin e të rinjve, të cilët e kanë lënë grindjen mes tyre dhe i janë kthyer policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2.40, në të gdhirë të ditës së djeshme. Kjo i ka kushtuar shoqërimin në ambientet e Komisariatit numër 2 të Tiranës këngëtares Gjoni, dy mikeshave të saj, J. Gjuzi, N. Lera, si dhe një djali nga Rubiku. Sipas policisë, shoqërimi ka zgjatur 2 orë, kurse sipas vetë Gjonit vetëm 10 minuta. Policia tha se ata janë lënë të lirë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre me shkrim për ngjarjen. Ndërsa këngëtarja dhe miqtë e saj janë proceduar në gjendje të lirë prej policisë, për shkak të incidentit të denoncuar nga uniformat blu.

Burime policore thanë për Gazetën, se miqtë dhe vetë këngëtarja dukeshin që kishin konsumuar alkool në pub. Debatet me policinë sipas tyre, janë kryer me zë të lartë dhe nuk kanë munguar fyerjet dhe sharjet ndaj uniformave blu të Patrullës së Përgjithshme. Këta të fundit duket se nuk kanë hezituar të njoftojnë sallën operative, duke kërkuar ndihmën e grupeve të gatshme të Komisariatit numër 2 të Tiranës për t’i mbështetur. Personat e përfshirë ne incidentin me policinë duket se nuk i kanë vazhduar më në rrugën “Vaso Pasha” debatet me policinë, por janë dërguar në ambientet e shoqërimit të komisariatit. Ata kanë dhënë versionet e tyre për ngjarjen, ndërkohë që punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në raportin e shërbimit e tyre kanë denoncuar për fyerje dhe kundërshtime gjatë kryerjes së detyrës këngëtaren Gjoni. Nuk kanë pasur mundësi të mbajnë në qeli këngëtaren simpatike për një akuzë të tillë, por nuk e kanë “falur” duke e referuar në Prokurorinë e Tiranës me akuzën e fyerjes dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë.

Vetë këngëtarja Ingrid Gjoni ka rrëfyer për Gazetën të vërtetën e incidentit me policinë, duke e konsideruar veten jashtë këtij konflikti me policinë. Zonjusha Gjoni, çfarë mund të na thoni rreth incidentit të ndodhur në të gdhirë të së martës me policinë? Është e vërtetë që kam qenë në pub “Kanon”, pas spektaklit “Miss Globe International”, ku ishim të ftuar dhe bashkë me shoqet e mia, Çiljetën dhe disa të tjera shkuam për të festuar. Kemi qenë rreth 15 vetë dhe po kalonim mirë, kur një shoqja jonë, e cila kishte pirë pak u konfliktua me policët.Çfarë ndodhi mes shoqes tuaj dhe policëve?Nuk e mora vesh menjëherë se çfarë po ndodhte, por e pashë të debatonte me ta. Ishte në gjendje të dehur, ndaj dola vetë për t’u sqaruar me policët. Por ata reaguan shumë ashpër dhe patëm një konflikt.


Çfarë ndodhi më pas?Më pas ata kërkuan që të shkonim në rajonin e policisë dhe unë kam qenë për dhjetë minuta atje, vetëm për të sqaruar atë çfarë ndodhi. Unë u përfshiva krejt rastësisht në atë histori dhe nuk ka të bëjë fare me mua kjo çështje. Juve e përjashtoni veten nga ky konflikt?Sigurisht, nuk isha unë personi i konfliktit dhe nuk kisha pse të acarohesha me policinë. Janë policët që ma kanë bërë këtë situatë për inat.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama