Dasma organizohet ekzaktësisht një muaj pasi Ariani i bëri propozimin për martesë Inisit, në një ceremoni familjare të ideuar nga ai vetë. Në prani të të afërmve të tyre, Selimi i ka kërkuar bukuroshes së ekranit që të bëhet gruaja e tij. Momenti para shkëmbimit të puthjes ka qenë paksa zhgënjyes për Inisin, pasi nuk po shihte asnjë shenjë serioze në këtë propozim, ndërsa priste një unazë. Por s‘ka vonuar shumë dhe Ariani, pas shkëmbimit të puthjes i ka dhuruar unazën e veçantë, pas së cilës Inisi i ka thënë “po” propozimit të tij për martesë. Inisi dhe Ariani vendosën të martohen pak muaj pas lirimit të tij nga burgu i sigurisë së ulët së Rrogozhinës, më 16 shtator të vitit të kaluar. Ata rinisën bashkëjetesën në apartamentin e tij në Tiranë, pas një lidhjeje dashurie që e mbajtën si të tillë edhe gjatë gjashtë viteve, që Ariani ndodhej në burg.
Ariani dhe Inisi, para burgosjes së tij kanë bashkëjetuar për një vit e gjysmë. Ata u njohën në Tiranë, ndërkohë që familja e tij jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që prej vitit 1986. Nuk dihen planet e mëtejshme të 37-vjeçarit Selimi dhe 35-vjeçares, Inis Gjoni. Arjan Selimi ka lindur në vitin 1974 në Shkodër, ndërsa në kryeqytet ai njihet si një biznesmen i fuqishëm. Ai zotëron disa prej lokaleve më me emër në kryeqytet, në të cilat të rinjtë kalojnë pjesën më të madhe të kohës. Para arrestimit, 36-vjeçari kishte katër vjet që ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që familja e tij jeton ende atje. Gjatë kohës që nuk kanë qenë afër njëri-tjetrit, Inis Gjoni iu përkushtua teatrit, me vënien në skenë të disa shfaqjeve. Po ashtu, ajo u shfaq në ekran me programin e saj “Takim ekskluziv” në “Tv Alsat”. Tashmë, për ish-balerinën simpatike nis një jetë e re, ku patjetër ajo do t’i gëzohet pritjes së fëmijës së parë.