Drejtorja e INSTAT, Ines Nurja shpjegoi se shifrat e zbardhura nuk janë ato përfundimtare, por parapake, të marra nga shumatoret e anketuesve. Rezultatet përfundimtare pritet të dalin gjatë vitit të ardhshëm. “Këto janë disa rezultate paraprake të cilat dalin nga kontrollimi i shumatoreve të anketusve. Por nuk ka filluar ende kontrollimi dhe analizimi i pyetësorëve të mbledhur në terren. Ulja e numrit ndodh për faktin se janë rritur vitet e fundit emigrimet. Ne kemi kontrolluar censusin e Italisë dhe në të kemi parë që numri i emigrantëve shqiptarë atje është rritur. Megjithatë duhet të presim edhe censuset e tjera të Greqisë dhe vendeve të tjera për të parë më mirë numrin e emigrantëve tanë”, – tha Nurja.
Instat ndërkohë nuk di ende të thotë një numër në lidhje me minoritetet në vend. Drejtorja tha se një shifër e tillë nuk mund të dilte njëkohësisht me të dhënat paraprake. Treguesit e saktë në lidhje me minoritetet INSTAT pritet t’i nxjerrë gjatë muajve në vijim. Regjistrimi i minoriteteve ishte çështja që hapi një debat të madh në vend para dhe gjatë zhvillimit të Censusit. “Rezultate për minoritetet do të dalin vitin tjetër, pasi ato janë nëpër pyetësor. Nëpër shumatore nuk kishte të shënuar numër të minoriteteve”, – vijoi Nurja.
Më shumë meshkuj se femra. Në Shqipëri jetojnë 1 milionë e 421 mijë meshkuj dhe 1 milionë e 409 mijë femra me një diferencë 11 800 në favor të meshkujve. Kjo është një shifër ndryshe krahasuar me dhjetë vite më parë, kur në Shqipëri dominonin femrat. Shumatorja e anketuesit përmbante numrin total të: ndërtesave të regjistruara, banesave të banuara, banesave të pabanuara, banesave për biznes, njësive ekonomike familjare, meshkujt, femrat, total i personave.
Në Shqipëri dominojnë meshkujt, por në Shkodër dhe Tiranë, femrat
Censusi ka nxjerrë se pjesa më e madhe e popullsisë përbëhet nga meshkujt me një avantazh prej 11 800 personash kundrejt femrave. Kjo është një shifër që pasqyron ndarjen e përgjithshme, por si paraqitet situata sipas qarqeve të vendit? Në 10 qarqe të vendit janë meshkujt ata që dominojnë kundrejt numrit të femrave, por Tirana dhe Shkodra janë ndryshe. Në të dy këto qarqe, numri i femrave paraqitet më i madh krahasuar me atë të meshkujve. Në Tirane, jetojnë rreth 5 600 femra më shumë se meshkuj. Në Shkodër ndërkohë, diferenca është 1 mijë në favor të femrave. Diferenca më e madhe ndërkohë në favor të meshkujve është Fieri. Në këtë qark, jetojnë 4 400 meshkuj më shumë se femra, diferenca në Elbasan është 2 mijë përsëri në favor të meshkujve, po ashtu edhe në Durrës. Në Dibër gjithashtu janë 1 700 meshkuj më shumë se femra, në Gjirokastër 1 200, në Korçë 2 800, në Kukës 800, etj.
Shqipëria, më shumë qytetarë se katundarë
Migrimi i madh gjatë këtyre dy dekadave ka ndryshuar edhe raportin e popullsisë që jeton në qytet me atë që jeton në fshat. INSTAT ka nxjerrë nga të dhënat e Censusit se pjesa më e madhe e popullsisë së Shqipërisë jeton në qytet. “Qytetarët” përbëjnë 53.7 për qind të popullsisë së vendit, kurse “katundarët”, 46.3 për qind të saj. Kjo shifër vjen pas një dyndje masive të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane gjatë viteve të fundit, duke u vendosur kryesisht në periferi të qyteteve. “Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7 % e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3 % në zonat rurale”, – specifikon Instat.
Niveli i lartë i levizjes së popullsisë pasqyrohet edhe nga ndryshimi i numrit të banorëve në qytete të ndryshme të vendit. Pjesa më e madhe e tyre kanë shënuar ulje të numrit të popullsisë krahasuar me 2001, kurse Tirana dhe Durrësi kanë pësuar rritje. Zvogëlimin më të madh të popullsisë e kanë shënuar Fieri, Elbasani, Dibra dhe Berati. Kështu përshembull, nëse në vitin 2001 qarku i Fierit shënonte rreth 382 mijë banorë, dhjetë vote më vonë, në të banojnë rreth 311 mijë banorë, kurse në Elbasan, në vitin 2001 kanë jetuar 362 mijë banorë, kurse në vitin 2011, jetojnë 296 mijë banorë. Në Berat gjithashtu, dhjetë vite më parë jetonin 193 mijë banorë, kurse në 2011 banojnë 141 mijë. Popullsia e Dibrës gjithashtu është ulur me 53 mijë banorë për 10 vjet. Zvogëlim të popullsisë gjithashtu kanë pasur gjithashtu Gjirokastra, Kukësi, Korça, etj.
Një fakt tjetër interesant sipas INSTAT ka të bëjë me numrin e banesave në Shqipëri. Që prej vitit 2001, numri i banesave është rritur me 290 mijë duke shkuar nga 785 mijë në 2001 në 1 milion e 76 mijë në tetor të këtij viti, kur edhe është realizuar Censusi. Rritja sipas Instat është rreth 37 për qind. Një rritje e tillë i dedikohet valës së madhe të ndërtimeve që karakterizoi vitet 2003-2005, gjatë të cilave është realizuar edhe pjesa më e madhe e ndërtimeve gjatë kësaj dekade. Krahas banesave, INSTAT ka numëruar edhe numrin e ndërtesave në të gjithë vendin, të cilat përllogariten në 686 mijë nga 512 mijë në vitin 2001. Pjesa më e madhe e ndërtesave janë ngritur në zonat rurale, me 46 për qind kundrejt rritjes 34 për qind në ato urbane duke treguar kështu edhe ritme të mëdha ndërtimi në këto zona, gjatë viteve 2000.
Gjatë këtyre viteve gjithashtu është rritur edhe numri i bizneseve familjare. Nga Censusi del se ndërmarrjet kanë ulur numrin e të punësuarve familjar, nga 4.2 mesatarisht në 2001 në 3.8 në vitin 2011. Për sa i përket numrit, bizneset familjare janë rritur me rreth 26 mijë krahasuar me vitin 2001.
Tirana, qyteti më i dendur, Leskoviku më pak i banuari
Shqipëria ka një dendësi popullsie prej 98.5 banorë për kilometër katror. Qyteti më i dendur është ai i Tiranës, ku Instat deklaron se një kilometër katror ndahet midis 10 533 banorëve, kurse ai me dendësinë më të vogël është Leskoviku, ku një kilometër katror i takon jo më shumë se dy banorëve (1.8).
Harta e publikuar nga Instat tregon se numri më i madh i popullsisë është i vendosur në ultësirën perëndimore të vendit. Krahas Tiranës, shumë të dendur janë edhe Durrësi, Shkodra, Vlora, Saranda, Korça e Elbasani ku dendësia i kalon 8 500 banorë për kilometër katror.
Instat gjithashtu nxjerrë edhe numrin e popullsisë sipas qarqeve dhe bashkive. Më i populluari pas qarkut të Tiranës (598 mijë banorë) është Fieri me 382 mijë banorë, më pas vijnë Elbasani me 362 mijë, Korça me 265 mijë, Shkodra me 256 mijë, Durrësi me 245 mijë,etj. Qarqet më të vogla janë Kukësi me 111 mijë banorë, Gjirokastra me 113 mijë, Lezha me 159 mijë si dhe Dibra me 189 mijë banorë.
Si bashki, menjëherë pas Tiranës me 380 mijë banorë të regjistruar, vjen Durrësi me 132 mijë, Elbasani me 125 mijë, Fieri me 123 mijë banorë, Vlora me 103 mijë, etj. Pjesa më e madhe e popullsisë rurale banon në qarkun e Fierit dhe në atë të Elbasanit me respektivisht 259 mijë dhe 237 mijë banorë.
Paradokset e Censusit
E dhëna e parë që të bie menjëherë në sy pas publikimit të treguesve paraprak të Censusit është ulja e numrit të popullsisë së vendit. Instat deklaron 2 milionë e 830 mijë banorë me një zvogëlim popullsie prej 237 mijë banorësh! Por kjo shifër bie në kundërshtim me listat e zgjedhëve të KQZ-së, të cilat konfirmojnë një numër më të madh të popullsisë edhe pa përfshirë ata nën moshën 18 vjeç.
Vetëm shtatë muaj më parë, u zhvilluan zgjedhjet lokale, ku sipas KQZ numri i votuesve në Shqipëri ishte më shumë se 3.1 milionë. Si është i mundur gjithë ky zvogëlim i popullsisë vetëm për shtatë muaj? Aq më tepër, që nëse vijojnë t’i referohemi shifrave të KQZ-së, 3.1 milionë janë vetëm votues, pra mbi 18 vjeç. Shqipëria ka një moshë mesatare prej 31 vjeç, nga e cila mendohet se 20 për qind janë jo më shumë se 18 vjeç. Nëse numrit të KQZ-së i shtojmë edhe numrin e përafërt të banorëve nën 18 vjeç, rreth 600 mijë, del se numri i popullsisë së vendit shkon në 3.7 milionë banorë. Shifrat e këtyre dy institucioneve kanë një diferencë rreth 900 mijë banorë. Ose listat e KQZ-së janë të fryra ose dhe Instat është i saktë, ose 14 milionë eurot që u përdoren për Censusin shkuan kot dhe KQZ është e saktë.
Paradoksi tjetër lidhet me ndarjen e popullsisë. Komuna Paskuqan në Tiranë sipas Instat numëron 37 mijë banorë, kurse bashkia e Pogradecit numëron 21 mijë banorë, ose rreth 45 për qind më pak. Paskuqani dhe Rrashbulli i Durrësit kanë banorë më shumë se Pogradeci, Kavaja, Gjirokastra, Kukësi, Fushë-Kruja, Lezha, Peshkopia, Kuçova, etj.
Shqipëria në shifra
Popullsia totale: 2 831 741
Meshkuj: 1 421 810
Femra: 1 409 931
Popullsia urbane: 1 521 907
Popullsia rurale: 1 309 834
Ndërtesa: 686 405
Banesa: 1 075 881
Banesa të banuara: 722 481
Njësi ekonomike familjare: 740 256