Institucioni i bajraktareve

Nevoja e ngutshme e Perandorisë Osmane për t’i plotësuar me ushtarë me pagesë radhët e forcave të rregullta të armatosura, që ishin zbrazur nga dezertimet e spahinjve dhe jeniçerëve, u bë më e ndjeshme duke filluar nga lufta e gjatë midis Perandorisë Osmane dhe koalicionit të shteteve evropiane në vitet 1683-1699 e, veçanërisht, gjatë luftërave të dendura që ajo zhvilloi në shek. XVIII. Prandaj gjatë gjithë kësaj periudhe rekrutimi mori përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha dhe u bë një nga mënyrat kryesore për të rritur forcat luftarake nëpër frontet e luftës dhe për të siguruar repartet e mbrojtjes së kufijve, si dhe ato të qetësisë së brendshme në kohë paqeje.
Porta e Lartë ngarkonte me rekrutimin e këtyre forcave në Shqipëri qeveritarët e sanxhakëve, kurse këta ngarkonin me këtë punë komandantët e reparteve deri 100 veta (bylykbashët) duke rënë në marrëveshje me ta për punë të pagesës, armatimit, ushqimit, destinacionit etj. Por sanxhakbejlerët dhe krerë të tjerë të fuqishëm, siç ishin derebenjtë, u orvatën ta shtrinin rekrutimin edhe në krahinat e vetëqeverisura, duke i afruar e duke u marrë vesh me krerët e tyre. Këto marrëveshje duhet të kenë filluar në vitet 40 të shek. XVIII, pasi njihen faktet që, në luftërat e viteve 1683-1699, 1714-1718 dhe 1736-1739, malësorët mbajtën anën e Republikës së Venedikut dhe të Perandorisë së Austrisë kundër Perandorisë Osmane. Orvatjet e para për rekrutim malësorësh me pagesë për llogari të shtetit osman nuk mbetën pa rezultat, veçanërisht në krahinat më të varfra, si Mirdita, Dukagjini e Malësia e Madhe, banorët e të cilave kishin nevojë më të ngutshme të lehtësonin mjerimin ekonomik ku ndodheshin.
Në mesin e shek. XVIII, rekrutimi i ushtarëve malësorë u përhap në të gjitha krahinat e vetëqeverisura bashkë me famën se ata ishin luftëtarë me vlerë të dorës së parë. Familjet e mëdha aristokrate shqiptare, e veçanërisht ato të Shqipërisë Veriore që luftonin për të marrë e për të mbajtur pushtetin, i rritën kërkesat për luftëtarë. Shpesh faktori ushtarak malësor bënte që fitorja t’u buzëqeshte atyre familjeve të fuqishme, që siguronin më shumë luftëtarë malësorë. Fama e këtyre forcave luftarake dhe rritja e kërkesave për to, e rriti jo vetëm numrin e të rekrutuarve, por edhe bajrakët e vjetër u zëvendësuan me bajrakë të rinj. Repartet ushtarake ku bënin pjesë luftëtarë fisesh të ndryshme, nuk mund të mbanin flamuj me emblemat e vjetra që tashmë s’kishin asnjë kuptim. Ata u pajisën me flamuj të rinj, të cilët aristokratët e mëdhenj ua besuan krerëve ushtarakë, që i rekrutonin dhe i komandonin ato reparte fisesh të përziera. Këta krerë ushtarakë tashmë u quajtën dhe morën emrin bajraktar. Institucioni i tyre, ndonëse bashkëjetoi me institucionin e kuvendeve të krahinave të vetëqeverisura, mbuloi dhe e zëvendësoi dalëngadalë ndarjen e vjetër sipas atyre krahinave. Tani ndarja e tyre filloi të bëhej në bazë të territorit ku rekrutohej reparti që komandonte secili bajraktar. Kështu këto territore formuan bajrakë, që nuk ishin tjetër veçse njësi territoriale administrative ushtarake. Në disa vise një njësi e tillë përputhej me shtrirjen e një krahine të vetëqeverisur, në disa të tjera ajo përmblidhte dy e më shumë krahina të tilla, kurse në krahina më të mëdha u krijuan dy a më shumë bajrakë. Në këtë mënyrë në Malësinë e Shkodrës u krijuan 22 bajrakë, në atë të Pukës 7, në Mirditë 5, në Malësinë e Lezhës 4 dhe në Malësinë e Kthellës 3. Këta të fundit u quajtën edhe bajrakët e Ohrit meqenëse gjendeshin administrativisht në kufijtë e sanxhakut të Ohrit.
Sipas këtij institucioni, bajraktarët u bënë përfaqësuesit e shtetit osman dhe pozitën e tyre e bënë të trashëgueshme. Pesë bajrakët e Mirditës formonin një njësi administrative që udhëhiqej nga një kapedan e nga një kuvend, i përbërë nga përfaqësues të bajrakëve të veçantë. Bushatllinjtë krijuan një kryebajraktar. Këtë funksion ia njohën Gjon Markut që hyri në shërbim të tyre pas vitit 1769. Funksioni i kryebajraktarit ishte i trashëgueshëm në vijën mashkullore. Kështu malësitë e lira hynë efektivisht nën sundimin e oxhakëve feudalë, ndonëse ruajtën vetëqeverisjen e brendshme të tyre sipas së drejtës dokesore.
Në malësitë e lira të jugut, bajraktari mbajti titullin kapedan. Edhe në këto malësi rekrutimi ushtarak me pagesë njihej prej kohësh nën emrin e stratiotëve, të cilët sikurse edhe malësorët e Veriut, kishin shërbyer në forcat ushtarake të shteteve të Venedikut dhe të Napolit. Udhëheqësit ushtarakë të tyre, kapedanët, që e kishin bërë të trashëgueshëm këtë titull në familjet e tyre, formonin kuvendet udhëheqëse të krahinave përkatëse dhe nga gjiri i tyre zgjidheshin prijësit e forcave luftarake të krahinës në rast sulmesh ose luftimesh kundër feudalëve sundues. Duke mbetur edhe në gjysmën e dytë të shek. XVIII në shërbim të huaj, këta kapedanë ishin shumë më pak të varur nga sundimtarët vendas dhe nuk ranë nën ndikimin e tyre, por nuk iu shmangën asnjëherë interesave të venedikasve në bregdetin shqiptar derisa Republika e Venedikut ekzistoi si shtet më vete. Për këtë arsye himariotët e suliotët ranë shpesh në konflikt me qeveritarët e mëdhenj osmanë.
Kapedanët mundën të shfrytëzonin mirë grindjet feudale dhe suliotët arritën deri aty sa në fund të shek. XVIII të kishin nënshtruar 66 fshatra, të cilat i morën nën mbrojtje kundrejt detyrimeve që më parë i merrnin agallarët çamë. Kjo formë shfrytëzimi, përveç asaj të rekrutimit të bashkëfshatarëve prej tyre, u veshi tipare më të qarta të zotërve feudalë. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII ata ndryshonin fare pak nga feudalët e zakonshëm, bylykbashë e derebenj. Disa prej tyre që u islamizuan fituan edhe tituj feudalë, sikurse bajraktari i Hotit.
Krahinat e vetëqeverisura i shlyenin shtetit një haraç vjetor. Atë ia jepnin në majë të jataganit e jo me dorë, për t’i treguar pozitën e privilegjuar që kishin fituar në sajë të shpatës e të luftës. Në vitin 1638 banorët e Malësisë së Madhe i jepnin shtetit osman një flori në vit dhe një burrë për shtëpi në rast lufte. Krahina e Mirditës jepte vetëm ushtarë me rrogë. Himara e Kurveleshi i jepte një haraç ose taksë për kokë. Shpeshherë fshatarësia e këtyre krahinave nuk e shlyente haraçin. Kështu, në vitin 1620 Dukagjini, Pipëri e Kelmendi “nuk i paguanin haraç askujt”, në vitin 1675 Himara nuk u bind të paguajë haraçin. Të njëjtin veprim bëri edhe malësia e sanxhakut të Shkodrës në vitin 1692.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama