Udhëtimi i parë drejt Shqipërisë. Çfarë ju shtyu ta vizitonit këtë vend?
Interesi im për muzikën e Ballkanit më shtyu të mendoja edhe për Shqipërinë. Në Amerikë, ku unë jetoj, nuk dinin pothuajse asgjë për këtë vend. U mundova të gjeja e të mblidhja sa më shumë informacione të mundesha për Shqipërinë. Në vitin 1968 vendosa të vija, ta shihja e ta njihja nga afër. Në verë të atij viti, së bashku me një grup turistësh qëndrova për dy javë. Ndaluam në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër.
Si u njohët me muzikën shqiptare? Cilat ishin kontaktet tuaja?
Në vitin 1968 unë nuk erdha me një plan të përcaktuar. Kur u ktheva sërish, fatmirësisht punoja me një agjenci turistike dhe isha në pozicionin e guidës për turistët anglezë. Shkuam në vende të ndryshme, patëm mundësi të dëgjonim muzikë si në veri ashtu edhe në jug të Shqipërisë. Ishte po atëkohë që vendosa kontakte edhe me Institutin e Kulturës Popullore. Pata një takim me drejtorin Zihni Sako, i cili më ofroi disa libra, por edhe materiale muzikore. Gjatë viteve, në vizitat e mëvonshme të miat jam takuar me drejtues të ndryshëm të këtij institucioni: Beniamin Krutën, Afërdita Onuzin, Mustafa Gërcaliun e të tjerë. Ky institut më ka ndihmuar shumë, jo vetëm me materiale, por për çdo gjë që unë kërkoja të dija. Në të shkuarën, së bashku me një specialist të këtij institucioni, kemi shkuar në vende të ndryshme të Shqipërisë ku kemi dëgjuar, bashkëbiseduar dhe kemi bërë regjistrime të shumta me njerëzit që banonin në ato treva. Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme për mua. Nga ajo kohë deri më tani e kam vizituar rreth 47 herë Shqipërinë, ku tashmë kam mjaft miq.
Prej 27 vjetësh ju drejtoni orkestrën muzikore të quajtur "Drita", e cila interpreton vetëm muzikë shqiptare. Si lindi kjo ide?
Është një orkestër shqiptare e themeluar më 1982-shin. Gjatë disa vizitave në Shqipëri kisha marrë me vete materiale të shumta muzikore, kisha blerë instrumente shqiptare dhe kostume popullore. Një ditë mendova se pse të mos i vija në përdorim. Amerikanët nuk dinin asgjë për Shqipërinë e për rrjedhojë as për kulturën e saj. Bisedova me disa miq të mi që luanin instrumente muzikore dhe së bashku themeluam më 1982-shin orkestrën që e quajtëm "Drita". Edhe pas 27 vjetësh ne vazhdojmë të jemi bashkë. Linda Levin është drejtuesja vokale. Kemi bërë disa koncerte në Amerikë, kryesisht për amerikanët dhe pak për shqiptarët që jetojnë atje. Kemi zgjedhur një publik amerikan, sepse shqiptarët e njohin kulturën e tyre, ndërsa amerikanët kanë nevojë ta njohin atë.
Çfarë muzike interpretoni?
Interpretojmë muzikë tradicionale të të gjitha trevave shqiptare, nga Veriu në Jug. Për materiale muzikore herë përdorim ato që unë kam regjistruar në treva të ndryshme shqiptare, të cilat i transkriptojmë me ndihmën e disa miqve tanë shqiptarë, e herë të tjera materiale që na janë ofruar nga Instituti i Kulturës Popullore. Muzika që ne bëjmë përfshin si muzikën e trevave fshatare, ashtu edhe atë qytetare. Një nga këngëtaret e mia më të preferuara mbetet Fitnete Rexha. Ruaj ende incizime të saj që në vitet ‘60. Ne nuk jemi profesionistë të muzikës. Të gjithë, përfshi këtu edhe vokalisten Linda Levin, kemi profesione të tjera, por çdo të shtunë pasdite praktikohemi kryesisht në shtëpinë time. Herë-herë luajmë muzikë shqiptare thjesht për kënaqësi, por ka edhe raste kur bëjmë prova intensive për koncerte. Kemi organizuar disa përgjatë këtyre viteve. Ndonjëherë bëjmë 2-3 koncerte në vit, ndonjëherë edhe më shumë. Kemi interpretuar në Los Anxhelos, Kaliforni, Nju Jork, Çikago, San Francisko, San Diego, por edhe në universitete. Për shqiptarët kemi interpretuar për herë të parë në vitin 1986. Ishin të shumtë ata që e ndoqën koncertin, ndërsa për ne ka qenë një eksperiencë shumë emocionuese.
Cili nga instrumentet ishte më i vështirë për ju?
Çiftelia. Shumë mund të mendojnë se është e lehtë, mjafton t‘u biesh telave. Por është mjaft e vështirë të interpretosh në mënyrë korrekte dhe orkestra jonë e synon gjithmonë këtë nivel.
Vokalistët këndojnë po ashtu shqip. Cilat materialet muzikore kërkojnë më shumë punë?
Ka disa këngë të jugut dhe disa të veriut që janë më të vështira në interpretim.
Më parë treguat se keni blerë kostume popullore gjatë vizitave në Shqipëri. Visheni me to kur interpretoni?
Kam kostumet e disa trevave në shtëpi. Për një farë kohe visheshim me këto kostume në të gjitha interpretimet, por me kalimin e kohës përmasat e anëtarëve të orkestrës kanë ndryshuar. Tani kemi zgjedhur të vishemi me këmisha të bardha dhe me brezin karakteristik shqiptar. Por e rëndësishme për mua është muzika, kostumet janë vetëm në aparencë.
Nga vizitat ndër vite, me një vështrim krahasues, si e gjeni ju sot Shqipërinë dhe muzikën shqiptare?
Dikur gjeja një Shqipëri më të gëzueshme, më të qetë, me më pak trafik dhe pa ndotje. Tani sigurisht që keni lirinë e supozuar dhe mendoj se ndryshimet kanë prekur edhe perceptimin kulturor. Ndikimi nga Perëndimi është gjithnjë e më i dukshëm, veçanërisht në gjeneratat e reja, por fatmirësisht ka ende persona të moshës së mesme apo të vjetër që i vazhdojnë traditat kulturore. Ndërsa për sa i përket muzikës, një pjesë e mirë e këngëtarëve të vjetër nuk jetojnë më, të tjerë kanë ikur jashtë shtetit dhe shumë pak janë ende këtu. Shpresoj që në vitet e ardhshme njerëzit t‘i kthehen interesit ndaj muzikës tradicionale.
Keni menduar që orkestra "Drita" të vijë të interpretojë edhe në Shqipëri?
Ne na janë bërë vazhdimisht ftesa për të ndjekur festivalin folklorik, por meqenëse arrinin me vonesë e kishim të pamundur organizimin. Sivjet na u propozua që të interpretonim në Festivalin e Gjirokastrës. Më erdhi shumë keq që, për shkak të situatës financiare dhe pozicionit delikat në profesionet e tyre, e patëm të pamundur të vinim. Shpresojmë në vitet e ardhshme.
Aktiviteti i orkestrës do të vazhdojë?
Sigurisht, aq sa mundemi e jemi në jetë.
Gazet Shqip