Britania ka thënë se do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëse vendi ynë nuk fut rregulla të reja për emigracionin. Brukseli i dha sot Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe vendimi u dha pasi u bënë ndryshime në mënyrën se si është drejtuar vendi me 3 milionë banorë.
Por, David Cameron ka bërë të qartë se ai do të bllokojë çdo përpjekje për të lejuar Shqipërinë që të bashkohet zyrtarisht me bllokun e 28 vendeve pa kufij, nëse nuk ka kufizime të reja për lëvizjen e lirë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama buzëqeshi gjatë një konference për shtyp në Tiranë, të mbajtur ditën e sotme më 24 qershor 2014. Me këtë vendim për Shqipërinë u hoq pengesa e parë në rrugën e saj të gjatë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka dështuar tri herë që nga viti 2009 për të fituar statusin e lakmuar. Vendet, përfshi Britaninë e Gjermaninë, e kanë bërë të qartë se nuk do të lejohet përparimi i mëtejshëm pa përpjekje për të luftuar korrupsionin dhe pa një gjyqësor të pavarur.
Liderët e BE-së do takohen të premten për të nënshkruar formalisht vendimin për të lejuar Shqipërinë që të nisë procesin e përgatitjes për të aplikuar për anëtarësimin. Kryeministri shqiptar Edi Rama përshëndeti lajmin dhe tha se Shqipëria kishte hequr pengesën e parë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në përpjekjen e saj të katërt.
Megjithatë, Downing Street e bëri të qartë se do e përdorë veton për të bllokuar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, pa rregulla të reja për të parandaluar emigrantët nga vendet e varfra që të vijnë në Britani në kërkim të punës.
Një burim tha: “Është absolutisht e qartë se përpara se ky vend të anëtarësohet ndonjëherë, do të duhet të aplikohen marrëveshje tranzicionale. Nëse nuk e bëjnë, nuk do i lëmë të hyjnë. Fundi i historisë”.
Cameron çon përpara idenë se vendet e reja duhet të arrijnë njëfarë niveli të ardhurash për kokë përpara se të hapen kufijtë për vendet e tjera. Kjo pason shqetësimet në lidhje me fluksin e njerëzve nga vende si Polonia dhe së fundmi Bullgaria dhe Rumania.
Shqipëria nuk do të lejohet të ecë në rrugën drejt integrimit në BE pa bërë reforma në sistemin e drejtësisë, në luftën kundër informalitetit, në parandalimin e dokumenteve të falsifikuara, në pastrimin e parave, kultivimin e drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Si Britania dhe vende të tjera si Holanda, Gjermania, Franca, Republika Çeke dhe Spanja, kanë mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Shqipërisë.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se, me vendimin e BE-së, Shqipëria kishte "rifituar dinjitetin e humbur në sytë e partnerëve ndërkombëtarë".