Integrimi Gjosha Fryma pozitive e qeverise do te vazhdoje

Integrimi, Gjosha: Fryma pozitive e qeverise do te vazhdoje

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha është thirrur sot në një seancë dëgjimore në komisionin e Integrimit. Deputetja e PD-së, njëherësh kryetare e komisionit, Majlinda Bregu ka pyetur ministren Gjosha se çfarë u bë lidhur me pritshmëritë për statusin.  Gjosha deklaroi se Ministria e Integrimit do të vazhdojë punën që në qershor Shqipëria të marrë statusin kandidat. Ajo deklaroi se falënderon vendet e BE-së pavarësisht përgjigjes për shtyrjen e statusit. Gjosha theksoi se rëndësi ka fryma pozitive e qeverisë. “Fryma pozitive e qeverisë do të vazhdojë, sepse integrimi është një prioritet kombëtar”, -tha Gjosha.

Ndërsa sa i përket buxhetit, Gjosha theksoi se buxheti për ministrinë e integrimit është modest krahasuar me ministritë e tjera, por ka rritje me 65 % krahasuar me 2013-ën. Ministrja tha se në muajin janar do të shtohet struktura me 15 veta. Pjesa më e madhe e buxhetit do të kalojë për strukturat dhe për vizitat e punës.  Ndërsa kryetarja e komisionit, Majlinda Bregu, theksoi se me këtë buxhet dhe paketë fiskale qeveria do të rrisë skepticizmin në vendet e Bashkimit Evropian si dhe do të vihet në pikëpyetje stabiliteti ekonomik i Shqipërisë. Bregu gjithashtu fajësoi qeverinë për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Dje humbëm atë që Komisioni Evropian e kishte konfirmuar dy herë në tetor. Duhet të kuptojmë se çfarë mesazhi çoi qeveria e re që u shty statusi për vendin kandidat në BE”, -u shpreh Bregu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama